Lajmet e fundit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka mirëpritur shpalljen e aktgjykimit në rastin e vrasjes së Marigona Osmanit.
“Gjykim i drejtë për krimin mizor”, ka shkruar ajo.
“Gjykata Themelore në Ferizaj shqiptoi dënimin maksimal ndaj një prej krimeve më mizore të shkaktuara viteve të fundit, dhunës deri në vdekje ndaj Marigona Osmanit nga krimineli Dardan Krivaça dhe bashkëpunëtori në krim, Arbër Sejdiu”, ka shtuar ajo.
“Ndërgjegja kolektive mbase mund të jetë më e qetë kur drejtësia në emër të popullit, vihet siç duhet.
Uroj që drejtësia ndaj rasteve të dhunës e vrasjeve të grave të jetë në nivelin më të lartë profesional, duke shqiptuar dënimet më meritore, të pa ndikuara dhe të pa ngarkuara nga mendime provinciale e patriarkale siç kemi parë në të kaluarën”.
Gjykata ka dënuar Krivaqën me dënim të përjetshëm për vrasjen e Osmanit, derisa Sejdiu është dënuar me 15 vjet burgim.
Në një shkrim tjetër në llogarinë e saj në Facebook, ajo ka thënë se Marigona do të mbetet në kujtimet e të gjithë neve, me dhimbjen për ndarjen e saj nga kjo botë dhe mizorinë të cilën e përjetoi.
“Marigona dhunshëm u nda nga jeta, në moshë tejet të re, pa pasur mundësi të shohë perspektivën e jetës e ëndrrat të cilat nuk arriti t'i jetësonte”, ka shkruar ajo.
Tutje, Haxhiu ka shtuar se Marigona nga sot do të kujtohet edhe si shpresa për të gjitha gratë viktima të dhunës e vrasjeve të cilat presin përgjigjet më profesionale nga sistemi i drejtësisë në vend.