Lajmet e fundit

Aeroplanthi ka nisur punën me Milanin, pavarësisht epitetit që mbante kur luante vetë futboll, si trajner Montella qëndron me këmbë në tokë duke mos preferuar të krijojë iluzione në lidhje me Milanin e ri, por humori i mirë nuk i mungon në lidhje me këtë projekt të ri, sic kuptohet edhe në intervistën e tij të fundit.
“Mund të thuhet se ky është viti zero, por në fund të fundit këto janë vetëm fjalë. E vërteta është që duhet të ndërtojmë diçka të re. Ka ende shumë punë për të bërë. Jam shumë i kënaqur në lidhje me këtë fazë të parë. Duket që djemtë kanë dëshirë për tu ringritur pas 3 viteve në të cilat gjërat nuk kanë shkuar dhe aq mirë dhe ku shumë prej tyre nuk kanë shfaqur gjithë potencialin që kanë”.
Te Milani me Montellën është rikthyer misioni për të gjetur lojën e bukur, edhe pse sponsori kryesor i saj, Silvio Berlusconi që e ka kërkuar me aq ngulm, duket drejt largimit.
“Punojmë kryesisht, ose totalisht me topin. Sipas meje lojtari duhet të dijë se cfarë duhet të bëjë në cdo situatë gjatë ndeshjes, ajo që dua është kontrolli i ndeshjes dhe i lojës, nuk kam qenë kurrë i bindur se mund të fitosh duke luajtur keq. Kjo është filozofia ime”.
Por idetë janë vetëm njëra anë e medaljes pasi ato duhen vënë në jetë dhe në këtë drejtim Montellës grupi që ka në dispozicion nuk i mjafton.
“Këtu topi i kalon Gallianit, klubi e di që ka nevojë për përforcime”.
Deri më tani te Milani është blerë vetëm Lapadula, me klubin që pret të mbyllë kalimin e shumicës së aksioneve te kinezët, për ti dhuruar më pas Montellës lojtarët për të cilët ka nevojë./supersport.al