Ministria e Financave, Punës dhe Trasnfereve, më 20 prill njoftoi se Agjencia e Vlerësimit Kreditor “Fitch Ratings” ka dhënë Vlerësimin Kreditor ‘BB-‘ për Kosovën, duke shënuar kështu herën e parë që vendi marrë këtë lloj vlerësimi si shtet.
Sipas njoftimit të MFPT-së, Vlerësimi Kreditor është indikator tepër i rëndësishëm që tregon aftësinë e një vendi për të shlyer borxhet, dhe merr parasysh qëndrueshmërinë e politikave fiskale, borxhin publik, deficitin, rritjen ekonomike, sektorin bankar, dhe cilësinë e qeverisjes ndër tjera.
Mirëpo, ky vlerësim nga “Fitch”, ish-guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti, po thotë se vjen si pasojë e punës që ai e ka bërë sa ka qenë në krye të institucionit kryesor financiar në vend.
“Vlerësimi i ‘Fitch’ për vitet e fundit, duke përfshirë vitet 2021, 2022 dhe deri në mars të 2023-s, ka qenë një referencë e rëndësishme për performancën e Bankës Qendrore të Kosovës, sidomos gjatë kohës së drejtimit tim si guvernator. Jam shumë i lumtur që ‘Fitch’ ka vlerësuar punën që unë kam bërë sa kam qenë në krye të BQK-së. Kosova ka marrë vlerësimin kreditor ‘BB’ nga Agjencia e Vlerësimit Kreditor Fitch Ratings, për herë të parë në historinë e vendi dhe kjo atribuohet menaxhimit të institucionit financiar, në këtë rast Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Mehmeti, raporton Klankosova.tv.
Ai thotë se marr parasysh faktin se gjatë kësaj periudhe, vendi ka pranuar vlerësime pozitive nga institucionet financiare ndërkombëtare të cilat e kanë konfirmuar rrugën pozitive të vendit, “prisja një vlerësim të favorshëm edhe nga Fitch”.
“Vlerësimi i tyre reflekton arritjet e sistemit financiar në vend dhe rolin tim si guvernator në drejtimin e Bankës Qendrore të Kosovës”, ka potencuar ish-guvernatori i BQK-së.
Tutje, Mehmeti ka përmendur edhe disa pjesë nga ky vlerësim që i është bërë Kosovës.
“Sektori bankar i Republikës së Kosovës është vlerësuar si një sektor i mirëkapitalizuar, me kapitalin e klasit të parë që arriti në 13.9% të aseteve të peshuara me rrezik në fund të vitit 2023. Përveç kësaj, sektori bankar vlerësohet për kthimin në ekuitet prej 19.9% dhe treguesin e mbulimit me likuiditet prej 2.8 herë më të lartë se kërkesat rregullatorë”.
“Me një pjesëmarrje prej 84% të aseteve të sektorit bankar në pronësi të huaj, kryesisht nga bankat me origjinë nga Bashkimi Evropian, institucionet financiare të Republikës së Kosovës përfitojnë nga standardet e larta prudenciale dhe ekspertiza ndërkombëtare. Pronësia e jashtme përforcon stabilitetin dhe qëndrueshmërinë e sektorit”.
“Treguesi i kredive jo-performuese është shumë i ulët, duke rënë më tej në 1.9% në fund të vitit 2023, ku kreditë jo-performuese janë të provizionuara plotësisht, dhe tregojnë për një cilësi të lartë të portfolios kreditore në kuadër të sektorit bankar”.
“Republika e Kosovës ka mbajtur një rritje të qëndrueshme nominale të kreditimit, me një mesatare prej afërsisht 15% në dy vitet e fundit, që tregon për një mjedis të favorshëm financiar që mbështet rritjen ekonomike”, ka shkruar ish-guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek ekonomi dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.