Dy humbjet e përfaqësueses së Suedisë nga Kosova në kualifikimet për Botërorin 2026 kanë shkaktuar reagime të ashpra në mediat suedeze.
“Fotboll Skanalen” e përshkruan situatën si një “dështim”, ndërsa “Expressen” titullon “Totalisht të shkatërruar”, duke vënë në qendër të kritikave dy sulmuesit kryesorë të ekipit.
Alexander Isak (Liverpool) dhe Viktor Gyokeres (Arsenal) ishin dy nga transferimet më të mëdha të verës në Premier League, me një vlerë të kombinuar prej rreth 210 milionë Eurosh, por nuk arritën të realizonin asnjë gol në këto dy ndeshje, transmeton Klankosova.tv.
Veçanërisht Isak është kritikur për performancën e tij në kualifikueset e këtij viti: 3 ndeshje, 0 gola, 0 asist, 3 shanse të pastra të humbura.
Falë këtyre dy fitoreve ndaj Suedisë, Kosova mban pozitën e dytë në grup me 7 pikë, pas Zvicrës që ka 10 pikë. Sllovenia ka 3 pikë, ndërsa Suedia, pas 4 ndeshjeve, ka vetëm 1 pikë. Ky rezultat tregon se loja me zemër nuk krahasohet me miliona euro, pasi Kosova arriti të triumfonte duke u mbështetur në përkushtim dhe luftë në çdo minutë, ndërsa Suedia, edhe pse me lojtarë multimilionerë, nuk arriti të shfrytëzonte talentin e saj për të marrë rezultat pozitiv.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.