Lajmet e fundit

"Mund të ngritë një debat, besoj muajt e ardhshëm do të diskutohet më shumë që t'iu jepet një rrugë mbindërtimeve të tjera, jo vetëm këtij. Pasi që e dimë se ndërtimet apo anekset ilegale ndodhin edhe në vende të tjera", ka thënë Muja për KlanKosova.tv.
Ai ka treguar se frymëzimin e gjeti përballë ndërtimeve pa leje, në ndërtesat që ishin te shtëpia e prindërve të tij në lagjen "Dardania" në Prishtinë.
"Para se të zhvendosesha për të jetuar në Berlin - sa isha në Prishtinë, më ishin dukur të zakonshme këto objekte, më ishin mësuar sytë dhe jo larg shtëpisë së prindërve të mi ekzistojnë tri objekte të mëdha prej nga edhe jam inspiruar, edhe vizualisht edhe konceptualisht".
INTERVISTA E PLOTË:
Pse zgjodhët ndërtesën e ish "Gërmisë" për këtë vepër dhe cila është porosia që dëshironi ta përçoni?
Alban Muja: Vepra quhet "Above everyone" apo "Mbi të gjithë" është projekt që e kemi realizuar në kuadër të Manifesta Bienales. Manifesta e ka krijuar këtë projekt të ri dhe gjithsesi është edhe një tjetër mbindërtim në Prishtinë, një mbindërtim i ri, kësaj here në qendër.
Mbi një ndërtesë që ka histori, ish-qendrën "Gërmia" apo ish-ndërtesa e Shtëpisë së Mallrave, e cila për shumë qytetarë që e mbajnë mend është njëfarë përmbledhje kolektive. Kemi menduar se sjellja e diskutimeve për mbindërtimet, mbi një objekt të tillë në qendër të Prishtinës, ku shihet nga qytetarët, ku vepra sillet te qytetarët dhe jo qytetarët te vepra. Mund të ngritë një debat, që besoj muajt e ardhshëm do të diskutohet më shumë që t'iu jepet një rrugë mbindërtimeve të tjera, jo vetëm këtij. Pasi që e dimë se ndërtimet apo anekset ilegale ndodhin në vende të tjera.
Ku gjetët frymëzimin që ta realizoni në këtë formë veprën tuaj?
Alban Muja: Pa dashtë të kritikoj, tek ne pas luftës, shumë njerëz, disa ndoshta kanë qenë të shtyrë që të krijojnë një kulm mbi kokë, por ka pasur edhe plot prej tyre që e kanë përdorur mungesën e ligjit. Ideja është që ne ta hapim si diskutim, t'i hapim një rrugë. Ideja ka qenë që të ngrihet një debat, një vepër arti, si projekt, si ide ka filluar edhe më herët në vepra më të vogla, si piktura dhe vizatimi.
Para se të zhvendosesha për të jetuar në Berlin, sa isha në Prishtinë më ishin dukur të zakonshme këto objekte, më ishin mësuar sytë, dhe jo larg shtëpisë së prindërve të mi ekzistojnë tri objekte të mëdha prej nga edhe jam inspiruar, edhe vizualisht edhe konceptualisht. Andaj, ne as s'e lavdërojmë, as se glorifikojmë çfarë ka ndodhur, vetëm e kthejmë si në formë të diskutimit dhe si të tillë shpresojmë të vazhdojë nga qytetarët edhe gjatë këtyre 100 ditëve të Manifesta Bienales.
Mendoni se do të keni ndikim tek institucionet, konkretisht Komuna e Prishtinës?
Alban Muja: Fati që Përparim Rama është arkitekt e di më mirë se ne problemin. Ne diskutuam, unë e pashë që aty është një plan, një ide çka do të ndodhë. Besoj se ky projekt mundet të ndihmojë në diskutimin se si të orientohen. Besoj se zgjedhje do të ketë pasi që edhe e diskutuam, edhe më tha se është një ide, besoj se ideja se shpejti do të ekzekutohet aty ku është e mundur.
Si është pritur vepra juaj nga qytetarët?
Alban Muja: Ne gjithsesi fokus kemi pasur të komunikojmë me qytetarët që kalojnë në shesh, dhe i kemi marrë komentet, disa i kemi marrë të shkruara, disa prej tyre nuk e dinë çka është kjo. Ne jo gjithmonë kërkojmë të ketë një rrugë, një rrugë dhe zgjidhje, po të ketë një diskutim tek publiku.
Sa pritni që të ketë audiencë gjatë festivalit dhe a mendoni që Kosova duhet të bëjë më tepër për të organizuar festivale si Manifesta?
Alban Muja: Ne duhet me qenë të lumtur që mes dy qyteteve evropiane është Prishtina destinacioni i Manifesta. Ndoshta për herë të është si referencë jo vetëm për atë që e kemi pasë të kaluarën, por si pikë referuese për artin. Kjo nuk ndodh shpesh andaj kjo do të sjellë shumë audiencë jo vetëm në lokale por edhe ndërkombëtare kjo vjen vetëm njëherë. Ne mundemi me i përkrahë artistët lokalë dhe veprat në hapësira publike, vepra që kanë një referencë, që kanë ide që munden të komunikojnë me publikun dhe kohën që po jetojmë.
Fotografitë e realizuara nga Rinor Topalli.
