Lajmet e fundit

Joe Biden fillimisht ishte i martuar me dashurinë e tij të shkollës së mesme, Neilia, e cila kishte vdekur tragjikisht së bashku me të bijën e tyre një vjeçare Naomi, pasi që një traktor-rimorkio ishte përplasur makinën e tyre. Dy djemtë e tij i kishin mbijetuar aksidentit, mirëpo kaluan disa muaj nëpër spitale. Biden flet për lidhjen me fëmijët e tij si dhurata më e mirë që ka pasur ndonjëherë në jetë.
Tre vite më vonë vëllai i Joe e kishte prezantuar me Jill. Atëkohë ajo ishte një studente.
Në një interviste për Vogue, Jill ka thënë që kurrë nuk e kishte menduar që lidhja e tyre do të funksionoj, kjo pasi që Biden ishte nëntë vite më i vjetër.
“Kam menduar që kjo kurrë nuk do të funksionoj. Ai ishte nëntë vjet më i vjetër se unë. Mirëpo në takimin e parë ishim për të parë filmin “A man and a Woman” në një teatër në Filadelfia. Pastaj ai më përcolli për në shtëpi dhe në fund patëm një shtrëngim duarsh. Menjëherë pas kësaj kam telefonuar nënën dhe i kam thënë më në fund njoftova një gjentelmen” ka thënë Jill Biden, transmeton Klan Kosova.
Joe Biden i ka propozuar pesë herë derisa në fund Jill ka pranuar martesë.
“I kam thënë disa herë, ende jo, ende jo. Tashmë isha lidhur me djemtë e tij dhe ata veçse kishin humbur nënën e tyre, andaj duhet të isha 100% e sigurt që doja këtë martesë” ka vazhduar Jill.
Ndërsa Joe ka treguar që i ka dhënë një ultimatum Jill-it.
“Kjo është hera e fundit që të propozoj. Nuk ma ndien se kur martohemi mirëpo dua të kem një zotim” i kishte thënë Joe dhe Jill kishte pranuar.
Këta të dy janë martuar me 17 qershor në vitin 1977 në New York, në një ceremoni në prani të 40 familjarëve dhe shoqërisë së ngushtë, dhe të dy djemve, Beau dhe Hunter.