Lajmet e fundit

Raundi i dytë për zgjedhjen e pasuesit të Ilir Metës në presidencën e Shqipërisë me shumë gjasa do të digjet, pasi kanë mbetur edhe pak orë nga afati i fundit për paraqitjen e kandidaturave.
Konferenca e Kryetarëve e mbledhur të martën e kaluar vendosi që sot deri në orën 16:00 kandidatët me 20 firma deputetësh të depozitoheshin në Kryesinë e Kuvendit dhe më tej nesër do të mblidhet Komisioni i Ligjeve fillimisht paradite që të shqyrtojë emrat dhe pasdite kuvendi për votim.
Negociatat për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit mes maxhorancës dhe opozitës janë ndërprerë, pasi kryetari i grupit parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj tha se PS ka prishur marrëveshjen e arritur me konsensus. I njëjti pretendim vjen dhe nga ana e PS.
Ndërkaq Kuvendi nesër do të zhvillojë seancën plenare për zhvillimin e votimit të dytë për zgjedhjen e Presidentit të ri.