Lajmet e fundit

Mbi 1 mijë shqiptarë janë riatdhesuar pas nënshkrimit të komunikatës së përbashkët mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe homologut të tij Britanik, Rishi Sunak.
Në një deklaratë të përbashkët mbi punën e agjencive ligjzbatuese të dy vendeve për problemin e emigracionit të paligjshëm thuhet se në atdhe janë kthyer persona që kanë pasur kërkesa të pabazuara azili, shkelës të ligjit dhe kthime vullnetare.
Ky numër i shqiptarëve të kthyer llogaritet për periudhën nga dhjetori i vitit të shkuar deri në javën e parë të prillit të këtij viti.
“Në vijim të Komunikatës së Përbashkët mes Kryeministrave të Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, për të frenuar emigracionin e paligjshëm, skuadrat policore të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë kanë intensifikuar punën operacionale për të adresuar migracionin e paligjshëm, veçanërisht kalimet me varka drejt Anglisë".
"Autoritetet shqiptare dhe britanike po punojnë së bashku për të parandaluar hyrjen dhe qëndrimin e paligjshëm të emigrantëve ilegalë në Britaninë e Madhe. Që nga nënshkrimi i Komunikatës, mbi 1 000 shtetas shqiptarë janë kthyer në Shqipëri. Këto të dhëna përfshijnë shtetas që kanë depozituar kërkesa të pabazuara azili, shkelës të ligjit, si dhe kthime vullnetare, për periudhën nga 13 Dhjetori i vitit 2022 deri në javën e parë të Prillit 2023”, thuhet në deklaratë.
Shqipëria dhe Mbretëria e Bashkua kanë ngritur një Taskë Forcë të përbashkët për emigracionin. Kjo Task Forcë koordinon masat dhe veprimet e posaçme operacionale për menaxhimin e emigrimit të paligjshëm të shtetasve shqiptarë drejt Britanisë së Madhe.
“Këtu përfshihen kontrolle të përforcuara për kriteret e lëvizjes së lirë në të gjitha Pikat e Kalimit Kufitar në të gjithë vendin, verifikime shtesë për shtetasit shqiptarë që konstatohen se ndodhen ilegalisht në territorin e Britanisë së Madhe, si dhe shkëmbimin e oficerëve të lartë të policisë në të dyja vendet”, vijon deklarata.
Sipas të dhënave llogaritet që në vitin 2022 ka pasur 1 888 kthime të shtetasve shqiptarë, nga të cilët 954 prej tyre (51%) janë kthime të detyruara dhe 934 (49 %) kthime vullnetare.
Në vitin 2023, nga janari deri në mars janë kthyer 795 shtetas shqiptarë. Prej tyre, 389 shtetas (49%) ishin kthime të detyrueshme dhe 406 shtetas (51%) janë riatdhesime vullnetare.
“Rritja e kthimeve vullnetare është një tendencë në rritje dhe shpresëdhënëse dhe është 90% më e lartë se në vitin 2021 (kur ishin 492 kthime vullnetare)”, thuhet në deklaratë ku më tej shtohet se operacionet e riatdhesimit do të vijojnë./tvklan