Lajmet e fundit

Ndarja e nxënësve në objekt të posaçëm shkollor është zgjidhja e problemit për nxënësit shqiptarë të Çashkës në Maqedoni të Veriut. Kjo është marrëveshja e arritur me prindërit maqedonas, të cilët protestuan për disa muaj me radhë duke pamundësuar në këtë mënyrë mësimin shqip në këtë komunë.
Në shkollën “Totor Janev” ku nxënësit shqiptarë do të jenë të “padëshiruar” në të ardhmen, ishte kryeministri teknik Talat Xhaferi. Ai theksoi se nga viti i ardhshëm shkollor nxënësit shqiptarë do të zhvendosen në objekt të ri, për të cilin nuk ka madje as nismë për ndërtim.
“Siç e dini nxënësit që mësojnë në gjuhën shqipe do vazhdojnë deri në fund të vitit në këtë objekt. Në rrjedhë janë procedurat për themelimin e një subjekti të ri të shkollës së re në të cilën do të mësohet në gjuhën shqipe dhe nxënësit nga viti i ardhshëm që mësojnë në gjuhën shqipe nga këto objekte do të transferohen në objektin e ri, në subjekt të veçantë dhe në këtë drejtim është rruga e zgjidhjes së kësaj problematike dhe për atë jemi këtu”, deklaroi Talat Xhaferi, kryeministër teknik i Maqedonisë së veriut.
Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, ndërkohë thotë se përveç pesë nxënësve shqiptarë të klasës së parë, do të shqyrtohet mundësia që në objektin e ri të transferohen edhe 80 nxënës shqiptarë të cilët aktualisht ndjekin mësimin në gjuhen maqedonase. Objekti i ri shkollor sipas, Shaqirit, do te jetë në fshatin Banjicë të Çashkës, që është pesë kilometra larg vendit ku u zhvilluan protestat.
“Ata fëmijë që janë atje dhe fëmijët e rinj të cilët do të regjistrohen dhe çdonjëri tjetër që do të ketë nevojë, komfort ligjit të arsimit fillor dhe mundësive për të transferuar në bazë të mundësive financiare nga Ministria e Arsimit nuk shoh asnjë lloj pengese ligjore që edhe tjerët nxënës sigurohet kuadro të transferohen”, tha Jeton Shaqiri – ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Kryetari aktual i Çashkes, Goran Stojanovski, nuk e sheh si zgjidhje ndarjen e nxënësve në baza etnike. Ndërsa në kohën ku po protestohej kundër mësimit shqip, ai nuk mori masa për bindjen e banorëve maqedonas se ndarjet nuk janë të mira.
“Ndodhën protestat dhe këtu u përzien edhe politikat dhe duke pasur parasysh procesin parazgjedhor”, u shpreh Goran Stojanovski, kryetar i komunës së Çashkës. /Alsat M