Lajmet e fundit

Nga fitorja në “San Siro” kundër Romës që e riktheu Interin në vendin e parë, në gjykatë ku mori pjesë në seancën e divorcit. Roberto Mancini kërkon t’i japë zyrtarisht fund martesës me ish bashkëshorten Federica, e cila do të përfitojë një çek për të gjitha shpenzimet. Gjithsesi, në dalje të gjykatës, Mancini nuk ka dashur të komentojë çështjet e jetës private, duke u përqëndruar te ecuria fantastike e Interit në 11 javët e para të kampionatit.
“Në përfundim të ndeshjes kundër Romës përgëzova të gjithë lojtarët një nga një. Roma ishte favorite por ne arritëm të fitonim duke nxjerrë në pah karakterin tonë. Më vjen mirë që kryesojmë kampionatin por jemi ende në fillim dhe mund të ndodhë gjithçka. Konkurrenca është bërë më e ashpër”.
Në vijim të intervistës, Mancini ndalet edhe te ecuria e rivalëve duke e pranuar se Milani dhe Juventusi janë aty në pritje të hapave falsë, shkruan SuperSport.al
“Milani po ngjitet por edhe Juventusi po fiton terren. Nuk duhet të harrojmë Romën dhe Napolin që renditen menjëherë pas nesh. Për titullin ka ende kohë”.
Një përgjigje diplomatike nga ana e trajnerit italian pas daljes nga dera e gjykatës ku duhet të prezantohet sërish në 20 Janar dhe ndoshta në atë kohë ai do të jetë në gjendje të japë një përgjigje më të qartë në lidhje me garën për titullin kampion.