Lajmet e fundit

Roberto Mancini hodhi edhe njëherë tjetër poshtë zërat që flasin për një largim të mundshëm të tij nga Interi por në të njëjtën kohë nuk nguroi të thumbonte drejtuesit e klubit zikaltër, presidentin Erick Thohir dhe pronarët e rinj kinezë.
Në New York Interi nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1 ndaj argjentinasve të Estudiantesit, teksa golit të realizuar nga japonezi Yuto Nagatomo që në fillim iu përgjigj Desabato në fundin e pjesës së parë.
Pas miqësores së zhvilluar ndaj skuadrës argjentinase, Mancini intervistuar nga mediat theksoi se nuk ka aspak ndërmend të japë dorëheqjen nga stoli zikaltër: Më keni dëgjuar të flas ndonjëherë për dicka të tillë, unë ndodhem këtu dhe punoj për të përmirësuar Interin”, deklaroi tekniku italian.
Më tej 51-vjecari nga Iesi thumboi drejtuesit duke u shprehur:” Shpresoj që edhe të tjerët të punojnë për ta bërë Interin më të fortë”.
I pyetur për tensionin që ekziston mes tij dhe krerëve më të lartë të klubit Mancini u përgjigj në mënyrë diplomatike duke shtuar sa ai punon vetëm për të përgatitur në mënyrën më të mirë skuadrën për fillimin e kampionatit. Lidhur me deklaratat e fundit të presidentit Thohir, trajneri theksoi se ai është presidenti dhe mund të thotë cfarë të dojë.
Përsa i përket afrimit të mundshëm të Candrevas kalimi i të cilit te Interi është thuajse i sigurtë Mancini deklaroi se për momentin Antonio është një futbollist i Lazios dhe nuk mund të flasë për të./supersport.al