Lajmet e fundit

Sulmuesi kosovar Vedat Muriqi e nisi mjaft mirë aventurën në La Liga me fanellën e Mallorcas, pasi në tri ndeshjet e para, shënoi dy gola dhe asistoi një tjetër.
Por, klubi spanjoll, pavarësisht kësaj, ka vendosur të mos përdorë opsionin për ta blerë sulmuesin kosovar, i cili në gjashtë përballjet e fundit, nuk ka shënuar asnjë gol.
Sipas medieve turke, thuhet se Muriqi do të rikthehet në Turqi, te skuadra e Fenerbahçes, shkruan 90min, transmeton Klankosova.tv.
Muriqi e kishte nisur në mënyrën më të mirë të mundshme karrierën në Spanjë, duke u shfaqur edhe në mesin e kandidatëve për çmimin e lojtarit të muajit në La Liga. Gjithsesi, sulmuesi 27-vjeçar, në gjashtë ballafaqimet e fundit nuk ka arritur të gjejë golin, pavarësisht se luajti 90 minuta në të gjitha ndeshjet.
Sipas medieve spanjolle, Mallorca, e cila është mposhtur që shtatë ndeshje rresht, është buzë rënies, ka vendosur të mos përdorë opsionin për ta blerë kosovarin për 11 milionë euro.
Muriqi, i cili do të rikthehet në Lazio para sezonit të ri, nuk është në planet e gjigantit italian.
Sulmuesi me eksperiencë njoftoi në mars se do të rikthehej në Turqi. Muriqi kishte përdorur këto deklarata: "Sa herë që nuk kam luajtur në Lazio, kam dashur të luaj në Turqi në formë huazimi. Kjo nuk ndodhi. Unë patjetër që duhet të jetoj në Turqi pas futbollit në planin tim të jetës. Jam 28 vjeç, por patjetër që dua të kthehem një ditë në Turqi. Kam kaluar vitin atje dhe ne ndërtojmë jetën tonë atje".