Lajmet e fundit

Mali i Zi ka ekstraduar një partner biznesi të Hyeong Do Kwon, një sipërmarrës koreano-jugor i njohur si “mbreti i kriptovalutave”, i cili kërkohet si në Shtetet e Bashkuara ashtu edhe në Korenë e Jugut për shkak të mashtrimeve me kriptovaluta në vlerë të dhjetëra miliarda eurove.
Kwon dhe partneri i tij i biznesit, Hon Chang-Joon, u dënuan më 19 qershor 2023 nga Gjykata Themelore në Podgoricë me nga katër muaj burgim, për falsifikim të dokumenteve të udhëtimit, shkruan abcnews.al, transmeton Klankosova.tv.
Ata ishin arrestuar në aeroportin e Podgoricës prej ku kishin tentuar nisjen me aeroplan privat për në Dubai, me pasaporta të paligjshme.
Arrestimi i Do Kwon-it kishte marrë vëmendje botërore, sepse ai është një prej personave më të kërkuar, lidhur me mashtrimet që dyshohen të jenë kryer përmes kriptovalutave.
Policia tha më 5 shkurt se Hon Chang-joon iu dorëzua zyrtarëve të Koresë së Jugut në aeroportin në Podgoricë dhe se do të kthehej në vendin e tij në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Interpoli (Agjencia Ndërkombëtare Policore).
Kwon mbetet në paraburgim në Mal të Zi, derisa zyrtarët të vendosin nëse ai do të ekstradohet në Korenë e Jugut apo në Shtetet e Bashkuara.