Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu, ka deklaruar se autoritetet serbe i kanë pasivizuar 200 adresa të shqiptarëve në jug të Serbisë deri tani këtë vit.
Lutfiu tha se këto të dhëna i mori nga stacionet policore në Bujanoc dhe Preshevë për periudhën janar-korrik 2025.
“Përgjigjen me shkrim e mora dje: gjatë periudhës së lartpërmendur, në Komunën e Preshevës janë pasivizuar 174 adresa, ndërsa në Komunën e Bujanocit 26 adresa”, ka shkruar ai në Facebook transmeton Klankosova.tv.
Ai theksoi se ka “dyshime për dhënat në komunën e Bujanocit dhe se është në pritje “të një përgjigje tjetër për ta vërtetuar këtë”.
Lutfiu shtoi se “ajo që po ndodh është racizëm, një spastrim i pastër etnik”.
Pasivizimi i adresave është një çështje për të cilën shqiptarët në jug të Serbisë janë ankuar vazhdimisht dhe kanë dalë në rrugë për të protestuar.
Pasivizimi nënkupton fshirjen e qytetarëve prej adresave ku kanë qenë të regjistruar. Ky hap rezulton me humbjen e shtetësisë serbe, e rrjedhimisht të të gjitha të drejtave civile – përfshirë të drejtën për të votuar, për të pasur pronë, për të pasur sigurim shëndetësor e pension dhe për t’u punësuar.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.