Lajmet e fundit

Jeta Loshaj, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, ka komentuar deklaratat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, pas vizitës së tij në Kroaci, ku u bë e ditur se Aleanca i ka dhënë Kroacisë “aminin” për mbikëqyrjen e hapësirës ajrore me avionët luftarakë të blerë nga Franca.
Loshaj tha se vizitat e Ruttes në Ballkanin Perëndimor janë të rëndësishme për riafirmimin e rolit strategjik të rajonit në sigurinë gjeopolitike të Evropës Juglindore, pavarësisht se Kroacia tashmë është anëtare e BE-së dhe NATO-s.
“Edhe vizitat e mëhershme të zotit Rutte në Ballkanin Perëndimor, sado që Kroacia tashmë është anëtare e BE-së dhe NATO-s, sigurisht që janë të rëndësishme për ta riafirmuar rëndësinë e këtij rajoni sa i përket sigurisë gjeopolitike në Evropën juglindore.
“Sado që Ballkani Perëndimor nganjëherë mund të shihet si një zonë periferike sa i përket krizave më të mëdha që po ndodhin në botë, prapë se prapë ky rajon nuk duhet të anashkaluar", tha Loshaj në "Info Magazinë" në Klan Kosova.
Duke folur për sigurinë, Loshaj theksoi se në rajon ekziston një “vakum sigurie” dhe se situata nuk mund të konsiderohet e qëndrueshme.
“Situata e sigurisë në përgjithësi nuk mund të meret si e mirëqenë, prandaj duhet të merren hapa për të ‘gozhduar’ sigurinë e NATO-s”, tha Loshaj.
Ajo ndër tjerash tha se këto janë “thirrje zgjimi”, që NATO të mos e lë anash Ballkanin Perëndimor. /Klankosova.tv