Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci ka folur për paraqitjen e fjalëve përfundimtare në gjyqin e madh të Thaçit dhe të tjerëve.
Përmes një postimi në Facebook, Lladrovci tha se ky është fundi i një gjyqi sa të padrejtë, aq të pabesueshëm, i cili sipas tij, është nisur dhe është bazuar në prova të marra nga shteti gjenocidal, me akuza të fabrikuara, me dëshmitarë të pabesueshëm dhe jokredibilë, përkundër luftës të drejtë, në pajtim me normat ndërkombëtare, në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n, transmeton Klankosova.tv.
Pos tjerash, ai tha se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerët, siç tha ai, janë sinonim i luftës të drejtë, personifikim i të drejtës për liri, drejtues dhe heronj të luftës dhe paqes, strateg të shtetit dhe shtetësisë.
“Prandaj, besoj fuqishëm se i vetmi vendim i drejtë është shpallja e pafajësisë së tyre”, ka shkruar i pari i Drenasit.
Ai shtoi se drejtësia në Hagë ndaj heronjve të luftës dhe paqes është pjesë e pandashme nga themelet e shtetit, e pandashme nga vlerat e aleancës tonë historike me NATO-n dhe SHBA-në dhe e drejta për të qenë shtet demokratik, burim i paqes dhe sigurisë rajonale, brenda vlerave euro-atlantike.
“Lirimi i heronjve tanë të luftës dhe paqes është i vetmi vendim i drejtë, andaj, i presim fitimtarë nga kjo betejë e fundit për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj!”, ka shkruar ai.
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.