21:38 - AAK-ja s’mori pjesë në seancë, Tahiri: Pamë një improvizim të skajshëm
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri foli pas seancës për amandamentet e Presidentit, ku AAK-ja nuk mori pjesë.
Ai tha se kjo seancë është thirrur për të bërë një improvizim dhe siç tha, për të shpërndarë mjegull tek qytetarët.
“U thirr për të bërë një improvizim, u shfrytëzua për të bërë disa deklarata politike, gjoja për të ndërruar Kushtetutën, proces ky i cili s’mund të ndodh në pikë të natës dhe nuk mund të ndodh në rrethana kur nuk ka diskutim paraprak. Pamë një improvizim të skajshëm, një tendencë për të shpërndarë një mjegull tek qytetarët e Kosovës”, tha ai.
21:29 - Ndërpritet seanca, nuk ka kuorum për amandamentet e Presidentit
Është ndërprerë seanca e Kuvendit të Kosovës lidhur me amendamentet për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit të vendit.
Deri tek ndërprerja e seancës erdhi pas mungesës së kuorumit për votimin e këtyre amendamenteve.
21:31 - Në orën 22:00, Kuvendi me seancë tjetër
Kryekuvendarja Albulena Haxhiu ka njoftuar se në orën 22:00 do të zhvillohet një seancë tjetër pa dhënë detaje rreth saj.
Haxhiu këtë e bëri të ditur pas ndërprerjes së seancës për amendamentet e Presidentit, për votimin e së cilave nuk pati kuorum.
21:27 - Musliu, Kurtit: Prej kujt po tuteni që po mbani seanca natën?
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti, duke i thënë se prej kujt po frikësohen që po mbajnë seanca natën.
Ajo gjithashtu u shpreh se ende nuk ka marrë ftesë për pjesëmarrje në këtë seancë.
“Kisha pas qejf një përgjigje prej Albin Kurtit, prej kujt po tuten që po mbajnë seanca natën. Kish me qenë shumë me rëndësi se po më duket që po tuten fort sa i përketë seancës”.
“Edhe në momentin kur po flas, unë hala s’kam pranuar ftesë për pjesëmarrje në këtë seancë dhe jam e bindur që askush nga deputetët nuk ka pranuar ftesë për thirrje të kësaj seancë”, tha ajo./Klankosova.tv
21:13 - Bajrami: S’ka rend dite më të rëndsishëm se mos me i çu qytetarët sërish në zgjedhje
Deputetja e Hykemete Bajrami, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, gjatë seancës së sotme parlamentare theksoi se nuk ekziston çështje më e rëndësishme për ditën sesa të mos dërgohen qytetarët përsëri në zgjedhje.
Ajo u shpreh se ata që po përpiqen ta çojnë vendin në zgjedhje janë pikërisht ata që tashmë kanë fituar 51% të votave, duke i sjellë në rend të ditës amandamente kushtetuese që, sipas saj, nuk mund ta parandalojnë rrugën drejt zgjedhjeve të reja.
“Sot nuk ka rend të ditës më të rëndësishëm se mos me i çu qytetarët në zgjedhje prapë dhe kush po i çon në zgjedhje, po i çoni ju që i keni marrë 51 për qind të votave dhe i keni sjellë në rend të ditës amandamente kushtetuese, të cilat assesi nuk e evitojnë çuarjen e vendit në zgjedhje”, tha Bajrami, së cilës më pas kryeparlamentarja ia ndali fjalën.
21:04 - LDK-ja përkrah amandamentet për zgjedhjen e Presidentit nga populli
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se partia që e drejton ai i mbështet në parim amandamentet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit nga qytetarët.
Komentet, ai bëri në seancën e jashtëzakonshme parlamentare që po mbahet aktualisht.
“Janë në frymë me bindjen tonë ideologjike, presidenti i Kosovës duhet të zgjedhet nga qytetarët drejpëdrejt”.
” Ta përsëris edhe një herë LDK i mbështet dhe i voton”, deklaroi më tutje Abdixhiku.
21:01 - Hamza për presidentin nga populli: Në parim jemi për, por kërkon trajtim në përputhje me Kushtetutën
Kandidati i PDK-së, Bedri Hamza ka folur në seancën e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se sonte ka pritur zgjedhjen e Presidentit apo Presidentes së vendit.
Mirëpo, në lidhje me amandamentet për zgjedhjen e drejtpërdrejt të Presidentit, Hamza tha se në parim janë për, por sipas tij, kjo kërkon trajtim në përputhje me Kushtetutën.
“Sonte kam pritur që, në fakt jo sonte, po shumë më herët që Kosova ta ketë të zgjedhur Presidenten apo Presidentin dhe jo të vijmë në këtë situatë që në orët e fundit të mandatit, deputetët e Kuvendit të sfidohen me një seancë të jashtëzakonshme, pa material dhe të flasim për plotësim-ndryshimin, apo amandamentimin e aktit më të lartë juridik të vendit, Kushtetutës së Kosovës. Pra, në parim jemi për, por kjo kërkon një trajtim në përputhje me rregulloret, me ligjin dhe Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh ai./Klankosova.tv
20:59 - Nagavci: Zgjedhja e Presidentit nga populli do të kishte legjimitet më të madh demokratik
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së Arbërie Nagavci, gjatë fjalimit të saj në seancën e jashtëzakonshme e ka arsyetuar përkrahjen e këtyre amandamenteve që parashohin zgjedhjen e Presidentit nga populli.
Nagavci deklaroi se me zgjedhjen e Presidentit nga populli, do të kishte legjimitet më të madh demokratik.
“Kur qytetarët votojnë për presidentin, ata ndihen më të përfshirë në procesin politik dhe kjo e rritë interesimin për demokracinë dhe zgjedhjet në përgjithësi”, deklaroi Nagavci gjatë seancës.
20:52 - Kërkesa për ndryshime kushtetuese për Presidentin, Zemaj: E vonshme
Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka folur para seancës e cila u thirr në mbrëmje rreth ndryshimeve kushtetuese sa i përket zgjedhjes së Presidentit.
Ai e ka cilësuar si të vonshme kërkesën për këto ndryshime.
“Kërkesa për ndryshime është e vonshme, këto ndryshime që kanë kaluar edhe nëpër filltrat e Gjykatës Kushtetuese kanë një kohë të gjatë”, deklaroi Zemaj.
20:47 - Orët e fundit, Presidenti “mbledh” deputetët në seancën e amandamenteve
Tashmë ka nisur seanca në Kuvendin e Kosovës.
Deputetët janë mbledhur për të votuar amandamentet e propozuara nga Vjosa Osmani, të cilat synojnë që presidenti i vendit të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.
Këto amendamente kaluan pak orë në parë në Komisionin për Legjislacion.
20:44 - Rashiq para seancës: Nuk besoj se Lista Serbe është e gatshme për veprime konstruktive
Ministri për Komunitete dhe Kthim Nenad Rashiq, ka folur para mediave para nisjes së seancës për votimin e ndryshimeve kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit nga populli.
Ai u pyet nga gazetarët nëse beson se Lista Serbe do t'i votojë këto ndryshime.
Rashiq deklaroi se nuk beson se Lista Serbe do ta bëntë një gjë të tillë.
"Unë nuk besoj që Lista Serbe është e gatshme që të bëjë çfarëdo veprimi i cili është konstruktiv",deklaroi Rashiq para mediave.
Ndër të tjera, ai deklaroi se si ministër nuk ka rol kyç në zgjedhjen e Presidentit.
20:28 - Hamza para seancës: Shumica e deputetëve nuk i kanë amendamentet
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza është deklaruar pas thirrjes së seancës lidhur me amendamentet për Presidentin.
Ai është shprehur se shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës nuk i kanë amendamentet.
“Pjesa dërmuese e deputetëve as aq i kanë amendamentet, as që i kanë marrë materialet”.
“Për tema kaq të rëndësishme, kur është në pyetje ndryshimi i Kushtetutës, edhe pse PDK-ja vazhdimisht ka qenë e hapur që të diskutojmë që presidenti ka mundësi të zgjedhet me votë të drejtpërdrejt, mirëpo jo 2-3 orët e fundit, kur i skadon mandati Presidentes aktuale dhe Kosova do të ketë President, jo për një dokument kaq të rëndësishëm, jo për amendamente të cilat janë të trajtuara nga Gjykata Kushtetuese para 15 vjetëve, jo në këtë kohë kur shumica e deputetëve nuk e kanë as materialin”, u shpreh Hamza./Klankosova.tv