19:11 - Von der Leyen e Scholz presin hetimet e 24 shtatorit para se të vendosin për masa ndaj Serbisë
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ishte ngjarje e tmerrshme.
Këto komente, ajo i bëri në Tiranë gjatë konferencës për media bashkë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministrin Edi Rama.
Von der Leyen dhe Scholz u pyetën nëse institucionet e BE-së do të marrin masa ndaj Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq pas këtij sulmi terrorist.
“E dënojmë fuqishëm sulmin e tmerrshëm të 24 shtatorit. Aktualisht jemi në proces të mbledhjes së fakteve për atë sulm, dhe në bazë të atij hetimi, ne do të vendim për hapat tjerë, në bashkëpunim të ngushtë me shtetet anëtare”, deklaroi ajo, raporton Klankosova.tv.
Ndërkaq, kancelari gjerman tha se i dënojnë si BE, dhe si Gjermani, të gjitha aktivitetet e dhunshme në veri të Kosovës.
“E dënojmë vërtetë sulmin ndaj policëve dhe të gjitha aktivitetet që i pamë në Kosovë, duke sulmuar institucionet dhe njerëzit. Janë gjëra që s’do t’i pranojmë, dhe është e qartë që BE-ja, shtetet anëtare dhe Gjermania, janë të qartë në këtë pikë”, tha Scholz.
Duke folur për rastin e 24 shtatorit në Banjskë, ai tha se “kemi kërkuar për hetim shumë intensiv dhe presim pjesëmarrje të të gjithëve në këtë dhe të mbështesin këtë hetim që është duke u bërë nga institucionet e Kosovës”.
“Është qenësore që autoritetet serbe të bashkëpunojnë me Kosovën në këtë pikë, që mendoj se është shumë mirë nëse kjo do të ndodhte”, deklaroi kancelari Olaf Scholz. /Klankosova.tv
14:50 - Kurti: Edhe 25 vjet pas Kosova kërcënohet me invazion nga Serbia
Tirana për herën e parë po e organizon Samitin e Procesit të Berlinit.
Në këtë samit po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Kurti para liderëve rajonal dhe evropianë foli rreth agresionit të Serbisë në Kosovë, më 24 shtator ku u vra polici Afrim Bunjaku.
Ai tha se autorët enden të lirë në Serbi dhe pse publikisht e pranuan përfshirjen e tyre.
"Ky ishte një akt i ligë sponsorizuar nga Serbia, siç tregojnë provat e pakundërshtueshme. Ne kemi konfiskuar mbi 5 milionë euro armatim të sofistikuar dhe municione të prodhuara në Kragujevc dhe Çaçak. Katër herë në dy vitet e fundit Serbia ka sjellë ushtrinë e saj në kufirin tonë", tha Kurti.
Shefi i ekzekutivit tha se edhe 25 vjet pas fushatës gjenocidale, Kosova kërcënohet me invazion nga Serbia.
"Ky moment na kërkon të reflektojmë dhe të mos e vazhdojmë punën si zakonisht. Një akt i tillë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar", tha shefi i qeverisë.
Në këtë organizim po merr pjesë edhe kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq.
______________________________________________________________________________________________________
12:50 - Michell: Kosova dhe Serbia të shohin drejt së ardhmes, mos të mbahen peng nga e kaluara
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund ta mbajnë peng rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian.
Kështu deklaroi presidenti i Këshillit të Evropian Charles Michel, gjatë fjalimit të tij në Samitin e Berlinit që po mbahet për herë të parë në Tiranë.
Ai iu drejtua dyja vendeve duke se fantazmat e së shkuarës nuk duhet t’i lejojnë që t’u djegin të ardhmen.
Michel kërkoi nga Kosova e Serbia të shohin drejt të ardhmes dhe sipas tij kjo kërkon kurajë politike.
“Pajtimi kërkon kurajo politike dhe fokus tek e ardhmja. Kjo do jetë fryma për samitin mes BE-së dhe Ballkanit që do zhvillohet në Bruksel”, tha ai.
_________________________________________________________________________________________________
12:21 - Rama: Të gjithë ne besojmë fortë këto ditë në nevojën e një çatie të përbashkët
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në fjalën e tij hyrëse në Samitin e Berlinit në Tiranë, tha se të gjithë ne sot besojmë në nevojën e një çatie të përbashkët.
Ai u shpreh se një luftë në pragun e Evropës ku një regjim ka detyruar një vend të pavarur të mbrojë territorin e vet, siç u shpreh ai, na ka treguar që bota po ndryshon shumë më shpejtë.
Të gjithë ne besojmë fortë këto ditë në nevojën e një çatie të përbashkët, një tryeze të bashkëndarë e madje edhe të një llogoreje të përbashkët në këto kohë sprove që duket se do të përkeqesohen para se të përmirësohen”, është shprehur ai.
“Një luftë në pragun e Evropës ku një regjim ka detyruar një vend të pavarur të mbrojë territorin e vet na ka treguar që bota po ndryshon shumë më shpejtë e shumë më ndryshe se sa që e kemi parashikuar shumica prej nesh. Ka një sulm shkatërrues kundër Izraelit që ka detyruar një tjetër komb demokratik që të vetëmbrohet, ndërkohë që jemi solidarë me Izraelin”.
“Përhapja e tmerrshme e urrejtjes dëshmon edhe njëherë që pikëpamjet e ndryshme për botën po krijojnë ndasi midis e përreth komitetit tonë demokratik”, u shpreh tutje Rama.
12:00 - Scholz: Kosova dhe Serbia duhet t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura në dialog
Në Tiranë, po mbahet për herë të parë Samiti i Procesit të Berlinit.
Në fjalën e rastit kancelari gjerman Olaf Scholz, foli edhe për veriun e Kosovës.
Ai tha se eskalimi i situatës atje ka treguar se sa është i rëndësishëm tejkalimi i konflikteve që kanë ekzistuar për kohë të gjatë dhe që i kanë lënë prapa vendet e rajonit.
“Duhet të gjejmë rrugën implementimit të marrëveshjes që kanë dal nga dialogu i udhëhequr nga Bashkimi Evropian”, tha Scholz.
11:41 - Scholz u bashkohet liderëve rajonal e evropian në Samitin e Berlinit në Tiranë
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, u është bashkuar liderëve rajonal e evropian në Samitin e Berlinit në Tiranë.
Scholz është pritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përcjell Klankosova.tv.
11:33 - Abazoviq: Rama ka sjellë gjithë Evropën në Tiranë
Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq ka mbërritur në Samitin e Berlinit në Tiranë, ku është pritur nga Edi Rama.
Ai ka thënë se kryeministri Rama e ka sjellë gjithë Evropën në Tiranë, përcjell Klankosova.tv.
“Kryeministri Rama ka sjellë gjithë Evropën në Tiranë edhe në Ballkanin Perëndimor, kjo është një shenjë shumë e mirë shpresoj se ardhmëria e të gjithëve është në Bashkimin Evropian”, është shprehur ai.
11:28 - Bërnabiq mbërrin në Samitin e Berlinit në Tiranë
Tashmë ka filluar arritja e liderëve në Samirin e Berlinit në Tiranë.
Aty ka mbërritur edhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.
11:25 - Rutte për situatën në veri: Shpresoj që të gjithë të ndihmojmë për të ulur tensionet
Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, ka mbërritur në Tiranë, në Samitin e Berlinit.
Ai ka folur për situatën në veri të Kosovës, duke thënë se shpreson që të gjithë të ndihmojnë në uljen e tensioneve, përcjell Klankosova.tv.
“Tensionet në veri të Kosovës, ne natyrisht kërkojmë shumë që të shtensionohet situate, kam folur javë më parë me presidentin, Vuçiq, sot po kështu kam mundësi të flas kryeministren e Serbisë dhe kryeministrin e Kosovës dhe shpresoj që të gjithë të ndihmojmë për të ulur tensionet”, është shprehur ajo.
11:17 - Albin Kurti mbërrin në Samitin e Berlinit në Tiranë, pritet nga Rama
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbërritur në Samitin e Berlinit në Tiranë.
Aty ai është pritur nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, përcjell Klankosova.tv.
Ndryshe, tashmë është duke u bërë edhe pritja e liderëve të tjerë.
10:24 - Begaj për Samitin e Berlinit në Tiranë: Ngjarje e madhe historike
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, përmes një postimi në Facebook ka thënë se mbajtja në Tiranë sot e Samitit të Procesit të Berlinit është një ngjarje e madhe historike.
Ai gjithashtu u ka uruar mirëseardhje dhe punime të mbara delegacioneve pjesëmarrëse, përcjell Klankosova.tv.
“Mbajtja ne Tiranë sot e Samitit të Procesit të Berlinit është një ngjarje e madhe historike për rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe rajonit. I uroj mirëseardhjen dhe punime të mbara delegacioneve pjesëmarrëse”, ka shkruar tutje Begaj.
08:44- Rama tregon sallën se ku do të mbahet Samiti i Berlinit
Sot kryeqyteti i Shqipërisë Tirana, për herë të parë do të jetë organizatore e Samitit të Procesit të Berlinit.
Liderët e Bashkimit Evropian dhe të rajon do të mblidhen dhe takimet do të mbahen në ambientet e Piramidës.
Para nisjes kryeministri Edi Rama ka ndarë në Facebook pamjet ku do të mbahet ky samit.
Në këtë samit merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.

______________________________________________________________________________________________________
09:38 - Gjithçka gati për fillimin e Samitit të Berlinit në Tiranë (FOTO)
Sot do të mbahet Samiti i Berlinit në Tiranë.
E duket se për fillimin e këtij samiti tashmë është gjithçka gati, njofton Klankosova.tv.
Më poshtë mund t’i shihni pamjet e realizuara nga gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, e cila po e përcjellë nga afër këtë ngjarje.

08:22 - Samiti i Berlinit, mbi 2 mijë persona do të përkujdesen për sigurinë
Sot në kryeqytetin e Shqipërisë në Tiranë do të nis Samiti i Berlinit.
Mbrëmë kanë mbërritur edhe delegacionet e para.
Policia e Shtetit, bëri të ditur se mbi 2 mijë persona do të përkujdesen për sigurinë.
“Për sigurinë e Samitit janë angazhuar 1604 punonjës të Policisë së Shtetit, 400 punonjës të Gardës së Republikës dhe 200 punonjës të Policisë Bashkiake Tiranë”, thuhet në njoftim.
08:15 - Pamje të hapësirave se ku do të mbahet Samiti i Procesit të Berlinit (VIDEO)
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shpërndarë disa pamje nga Tirana, ku kryeqyteti shqiptar do të jetë nikoqir Samiti i Procesit të Berlinit.
Sipas pamjeve të publikuara nga Rama, lokacioni se ku do të mbahen takimet e Samitit të Procesit të Berlinit do të jenë në hapësirat e “Piramidës”.
Kujtojmë se gjatë ditës, Rama bëri të ditur se gjatë këtij samiti nuk do të flitet për agresionin e Serbisë ndaj Kosovës.
Rama tha se për këtë çështje, vendi se ku duhet të diskutohet është dialogu në Bruksel.
07:43 - Samiti i Berlinit: Kurti sot do të takohet me kancelarin Scholz
Sot në Tiranë, do të mbahet Samiti i Berlinit.
Aty do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Është paralajmëruar edhe një takim mes tij dhe kancelarit të Gjermanisë Olaf Scholz.
Ndërkaq të dielen kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, deklaroi se në këtë samit nuk do të diskutohet rreth agresionit të Serbisë mbi Kosovë, të kryer më 24 shtator.
Ai tha se hapësira për diskutim të hapur mes të pranishmëve është e programuar, dhe se nuk është një samit i cili merr përsipër të gjejë zgjidhje për probleme lidhur me çështjen e Banjskës, por janë probleme që trajtohen dhe duhet të zgjidhen nën ombrellën e BE-së.
07:42 - Kjo është agjenda e Samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë
Sot pritet që të fillojë Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë.
Ky samit so të fillojë me pritjen e liderëve, për të vazhduar kështu me fjalën hapëse.
Agjenda e plotë:
Në orën 11:00 do të jetë pritja e liderëve.
Në orën 11:30 fjala hapëse.
Në orën 12:00 nis sesioni i punës, integrimi i rajonit në tregun e përbashkët europian dhe përmirësimi i konvergjencës me BE.
Në orën 13:30 fotografia familjare.
Në orën 15:30 nis sesioni i dytë i punës, mbështetja e tranzicionit të gjelbër dhe dixhital në Ballkanin Perëndimor.
Në orën 16:45 do të përurohet Kolegji i Europës në Tiranë.
Në orën 17:30 do të nënshkruhet marrëveshja rajonale për njohje reciproke të kualifikimit profesional.
Në orën 17:45 konferenca e përbashkët për shtyp.
Në orën 18:30 ceremonia e inaugurimit të Piramidës.
https://klankosova.tv/kurti-udheton-drejt-tiranes-per-samitin-e-procesit-te-berlinit/