Lajmet e fundit

13:58 - Tahiri (PDK): Në seancë po mungojnë deputetët e Vetëvendosjes dhe Listës Serbe
Po vazhdon seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit ku po diskutohet rreth draft-rezolutës për mbështetjen financiare të policisë së Kosovës.
Në këtë seancë nuk po merr pjesë asnjë deputet nga shumica parlamentare dhe anëtarë nga qeveria.
Për këtë mungesë, kritika pati dhe shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri.
Tahiri tha se po mungojnë deputetët e Vetëvendosjes dhe ata të Listës Serbe.
"Ky është tmerri më i madh që përjeton Republika e Kosovës, dy dekada pas çlirimit dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës", tha ai.
_____________________________________________________________________________________________________
12:58 - Tahiri, Qeverisë: Ju e doni policinë veç kur ju ngushtohet
Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Besnik Tahiri, ka adresuar një varg kritikash ndaj qeverisë dhe shumicës.
Tahiri pyeti se si është e mundur të tradhëtohet besimi qytetarë?.
"Do të kishim pasur dëshirë ta dëgjojmë tregimin e shumicës se çka mendojnë rreth tri kërksave të Partisë Demokratike të Kosovës, që janë listuar në rezolutën e opozitës", tha Tahiri.
"Cila është arsyeja se pse nuk është paguar rrezikshmëria për disa muaj? A është se nuk ka buxhet? A nuk ka dije? A nuk ka vullnet? Apo këta e duan policinë veç kur ju ngushohet?", tha Tahiri.
______________________________________________________________________________________________________
Në seancën e Kuvendit të Kosovës po mbahet seanca e jashtëzakonshme ku po diskutohet për mbështetjen financiare të policisë.
Në seancë nuk po merr pjesë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe as qeveria e Kosovës.
12:40 - Në Kuvendin e Kosovës po mbahet seanca e jashtëzakonshme ku po diskutohet për mbështetjen financiare të policisë.
Aty nuk gjenden as deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe as qeveria.
Pjesë e seancës janë veç deputetët e opozitës.
______________________________________________________________________________________________________
12:19 - Haliti kërkon nga Sveçla të tregojë se nga kush e si është kërcënuar Presidentja Osmani
Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, është shprehur se është i shqetësuar me pretendimet për kërcënim ndaj presidentes Vjosa Osmani.
Për këtë ai ka kërkuar nga Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, që të raportojë para deputetëve.
“Duhet ta dimë se është arrestuar dikush për kërcënim. Shqetësimi më i madh sot për sot është ta dimë se nga kush është kërcënuar presidentja”, është shprehur Haliti, njofton KlanKosova.tv.
“A janë marrë masa ndaj personave/personit, duhet ta dimë a është kërcënuar me telefon, SMS, gojarisht nga dikush. Ky është problemi që do të doja ta diskutoja sot”, ka thënë Haliti në seancën ku po flitet për policinë.”
“Do të doja që Ministri i Brendshëm të raportonte për këtë, sepse opinioni ka ngelur në interpretime të ndryshme pa pasur informacion zyrtar”.
Për kërcënim ndaj saj ka folur vetë Osmani në konferencën ku ka treguar se nuk do ta dekretojë Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.
12:08 - Deputeti Humolli për bojkotimin e Vetëvendosjes: Ky është një lloj grushtshteti
Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli, ka deklaruar se sjellja e Lëvizjes Vetëvendosje, është mosrespektim i institucioneve të Kosovës.
“Ky është një lloj grushtshteti që bëhet kundër institucioneve. Kemi parë grushtshtete që bëhet nga opozita...”, është shprehur Humolli, njofton KlanKosova.tv.
“Siguria po goditet dhe jo rastësisht kemi parë grupe nga Serbia që kanë marrë guximin të futen. E kanë bërë këtë sepse kanë parë dobësimin e institucioneve të sigurisë. Këto veprime çojnë mesazh për destabilizim”.
Humolli ka ftuar deputetët, sidomos ata të shumicës parlamentare që ta mbajnë fjalën e dhënë gjatë fushatës zgjedhore.
11:31 - “Është çështje ekzistenciale për policët, jo pozitë-opozitë”, thotë Hoti
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, vlerëson se vendimi i Lëvizjes Vetëvendosje për ta bojkotuar seancën ku po diskutohet për policinë, është e pashëndetshme për jetën parlamentare në vend.
Ai ka theksuar se kjo pikë nuk duhet të ishte çështje ballafaqimi midis pozitës dhe opozitës, njofton KlanKosova.tv.
“Është çështje ekzistenciale për 7,000 familje të policëve. Qysh ia shpjegon këtë policit që e çon në veri dhe shtesën nuk ia qet. Nuk ka kuptim kjo sjellje”, është shprehur Hoti.
Sipas Hotit, shtesat e rrezikshmërisë, sigurimi shëndetësor dhe pensionimi i parakohshëm nuk do të duhej të refuzoheshin.
“Është shqetësuese që hyni në vitin e katërt të qeverisjes dhe keni menaxhuar me 8.63 miliardë. Ku kanë shkuar këto para?”.
11:19 - Musliu e lexon mesazhin e policit kufitar: Nuk kemi vetura të blinduara, rrezikshmëria është e lartë
Po mbahet seanca e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, ku po trajtohet draft-rezoluta për mbështetjen financiare të policisë.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës Ganimete Musliu, gjatë fjalimit të saj e lexoi një mesazh që e kishte marrë nga një policor kufitar.
Nëpërmjet këtij mesazhi bëhej e ditur se gjendja është e tmerrshme.
"Jam polic kufitare, dhe gjendja në policnë kufitare të vijës së gjelbër është e mjerueshme. Nuk kemi vetura të blinduara, nuk kemi ujë të pijes, nuk kemi mjete higjienike bazike. Rrezikshmëria është shumë e lartë, punën e kryejmë me vetura të thjeshta e shumë të dëmtuara", tha Musliu.
Në seancë po mungon shumica, pra deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Të pranishëm janë vetëm ata të opozitës.
______________________________________________________________________________________________________
11:13 - Berisha, Vetëvendosjes: Pse nuk po përkrahet policia?
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka thënë se miratimi i rezolutës për policinë do ta lehtësonte situatën për ta.
Ai ka kritikuar mungesën e Lëvizjes Vetëvendosje në seancë, që sipas tij edhe mund të jetë duke planifikuar diçka pozitive.
“Pse pozita nuk është këtu? Pse nuk përkrahet policia as edhe me rezolutë? Sepse mendojnë se edhe rrejnë edhe mashtrojnë dhe e marrin votën prapë në sajë të një propagande prej 6 milionësh. Me 6 milionët për propagandë do t’i kryente të gjitha nevojat e policisë”, ka thënë Berisha, njofton KlanKosova.tv.
“Bojkoti i pozitës këtu… Kanë me ba diçka, por brengën e kanë që nuk duan t’i lënë meritë kërkujt. Kjo është shumë e ulët. Asnjë votë s’po e dua vetëm t’ua ndreqim jetën këtyre policëve”.
Ai ka thënë se “qeveria, aparaturën e propagandës duhet ta kthejë kah Serbia”, jo kah opozita kosovare.
10:50 -Berisha (PDK): Kryetarët e komunave nga opozita t’u ofrojnë pa pagesë policëve shërbimet shëndetësore
Në Kuvendin e Kosovës po mbahet seanca e jashtëzakonshme, ku po trajtohet draft-rezoluta për mbështetjen financiare të policisë së Kosovës.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovë Hysen Berisha, ka kërkuar që të mbështetet kjo draft-rezolutë me votë.
Por, ai bëri edhe një kërkesë për kryetarët e komunave që vijnë nga partitë opozitare.
“Nëse nuk e përkrahim edhe kësaj radhe këtë nismë ligjore me votë, me votën e shumicës, atëherë i thërras kryetarët e komunave që drejtohen nga opozita, me theks të veçantë të Partisë Demokratike, që të vendosen një beneficion, policëve dhe familjarëve të tyre që pa pagesë t’u ofrohen shërbimet shëndetësore. Të paktën këtë mund ta bëjmë pa ndonjë sforcim”, tha Berisha.
______________________________________________________________________________________________________
10:40 - Qalaj numëron sfidat e policisë, kërkon miratimin e rezolutës
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta miratojë rezolutën e propozuar nga ta për përmirësimin e kushteve në Policinë e Kosovës.
Sipas kësaj rezolute kërkohet që policisë t’u kthehen shtesat, të bëhen me sigurim shëndetësor dhe të mundësohet dalja e tyre në pensionim të parakohshëm. Në këtë linjë, Qalaj, duke numëruar sukseset e policisë, ka thënë se nuk ka ditë më të mirë që rezoluta të miratohet, njofton KlanKosova.tv.
“Miratimi i saj do të ishte dëshmia më e mirë për përkushtimin ndaj policisë, kur puna e tyre na bënë krenarë të gjithëve”, është shprehur Qalaj.
Në fjalën e tij, Qalaj ka përmendur aksionin e 24 shtatorit dhe suksesin e policëve në përballje me terroristët serbë. Ndaj sipas fjalët që janë thënë për këtë suksese, duhet të kthehen në vepra.
10:48 - Draft-rezoluta e plotë për mbështetjen financiare të policisë (Dokument)
Kuvendi i Kosovës po e mban seancën e jashtëzakonshme ku po trajtohet draft-rezoluta për mbështetjen financiare për Policinë e Kosovës.
Ky draft u propozua nga deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Rashit Qalaj.
Në seancë janë deputetët e opozitës ndërsa po mungojnë ata të Lëvizjes Vetëvendosje.
Klan Kosova ka siguruar dokumentin e plotë të draft-rezolutës.
Nëpërmjet kësaj kërkohet pagesa e shtesave të rrezikshmërisë për policët.
Po ashtu kërkohet edhe sigurim shëndetësor si dhe miratimi i Projektligjit për pensionimin e parakohshëm.
10:33 - Nis seanca për policinë, mungon Vetëvendosja
Ka nisur seanca e Kuvendit për shqyrtimin e Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.
Në seancë po mungojnë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Të pranishëm janë ata të opozitës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Prezantimin e rezolutës po e bën iniciuesi i saj, deputeti i PDK-së Rashit Qalaj.