Pas konferencës për shtyp të kryeministrit shqiptar, Edi Rama dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka mbyllur punimet Samiti për Ukrainën në Tiranë, ku të pranishëm ishin liderët e Evropës Juglindore.
Me t'u mbyllur ky samit, liderët kanë dalë me deklaratë të përbashkët, njofton Klankosova.tv.
Presidentja Vjosa Osmani, Presidentja Maia Sandu, Presidenti Jakov Milatoviq, Presidenti Stevo Pendarovski, Presidenti Aleksandar Vuqiq, Presidenti Volodymyr Zelensky, Kryeministri Edi Rama, Kryetarja e Këshillit të Ministrave Borjana Kristo, Kryeministri Nikolay Denkov, Kryeministri Andrej Plenkoviq, Kryeministri Ion-Marcel Ciolacu u mblodhën në Tiranë dhe dhanë këtë deklaratë:
- Agresioni ushtarak i paprovokuar i Rusisë kundër Ukrainës mbetet kërcënimi më i madh për sigurinë evropiane dhe paqen ndërkombëtare. Ky akt agresioni është i papranueshëm dhe është një shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Kartën e OKB-së, dhe një krim kundër popullit ukrainas.
- Ne përsëritëm mbështetjen tonë të palëkundur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht që nga vitit 1991 dhe mbetemi të përkushtuar për t’i ofruar Ukrainës mbështetjen e nevojshme për të mbizotëruar kundër luftës së agresionit rus për aq kohë sa duhet për të arritur një paqe gjithëpërfshirëse, e drejtë dhe e qëndrueshme në përputhje me Kartën e OKB-së dhe në bazë të Formulës së Paqes të Ukrainës.
- Ne i bëjmë thirrje të gjithë komunitetit ndërkombëtar që të rrisë fuqishëm mbështetjen për Ukrainën në luftën e saj të vazhdueshme për liri, pavarësi dhe integritet territorial.
- Ne dënojmë me forcë synimet e Federatës Ruse për të mbajtur zgjedhje presidenciale në territoret e okupuara përkohësisht të Ukrainës, gjë që paraqet një shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare. Theksojmë natyrën e paligjshme të zgjedhjeve të ardhshme në Republikën Autonome të Krimesë dhe qytetin e Sevastopolit dhe në territoret e pushtuara nga Rusia të rajoneve Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhya dhe Kherson të Ukrainës.
- Gjatë diskutimeve të sotme në Tiranë, ne kemi rikonfimuar solidaritetin tonë me Ukrainën dhe popullin e saj në mbrojtjen e tyre heroike të lirisë së tyre dhe vlerave tona të përbashkëta dhe shprehëm gatishmërinë tonë për të marrë pjesë në zbatimin e Formulës së Paqes të Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky, e cila është në përputhje me qëllimet dhe parimet e Kartës së OKB-së dhe të marrë pjesë në Samitin inaugurues të Paqes, duke siguruar pjesëmarrjen më të gjerë të mundshme ndërkombëtare në këtë proces.
- Ne jemi të bindur se lufta në shkallë të plotë të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës ka treguar nevojën kritike dhe rëndësinë thelbësore të një Evrope të bashkuar dhe të fortë, e aftë për t'u përballur me sfidat globale për paqen dhe prosperitetin e popujve tanë. Theksuam se na bashkojnë vlerat e përbashkëta evropiane dhe vizioni i zhvillimit të tyre të mëtejshëm brenda një Evrope të bashkuar.
- Ne riafirmuam vendosmërinë tonë për të intensifikuar përpjekjet e përbashkëta për të siguruar përparim të mëtejshëm dhe mbështetje të ndërsjellë drejt anëtarësimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Ukrainës, Republikës së Moldavisë dhe Gjeorgjisë në Bashkimin Evropian.
- Ne mbështesim plotësisht të drejtën e Ukrainës për të zgjedhur masat e veta të sigurisë. Aleatët e NATO-s dhe vendet aspirante lavdërojnë hapat e ndërmarrë drejtë anëtarësimit të saj të ardhshëm në NATO dhe mbështesin Ukrainën që të bëhet anëtare e Aleancës sapo ta lejojnë kushtet e sigurisë.
- Kemi nenvizuar angazhimin tonë të vendosur për të sjellë para drejtësisë ata individë përgjegjës për krimin e agresionit, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e tjera mizori sipas ligjit ndërkombëtar të kryera në lidhje me luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, përmes hetimeve dhe ndjekjeve të duhura, të drejta dhe të pavarura në nivel kombëtar ose ndërkombëtar, duke përfshirë punën e Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës dhe Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të siguruar që pretendimet për krime lufte dhe krime të tjera ndërkombëtare të hetohen plotësisht dhe në mënyrë të drejtë nga mekanizma të pavarur, efektiv dhe të fuqishëm ligjor.
- Ne ramë dakord të bashkëpunojmë dhe të fokusojmë përpjekjet tona në kthimin e fëmijëve ukrainas të dëbuar dhe zhvendosur me forcë në mënyrë të paligjshme dhe të paligjshme.
- Ne zotohemi të rrisim përpjekjet tona bashkëpunuese për të luftuar dezinformimin, duke përfshirë narrativat e rreme rreth luftës, dhe të mbetemi të përkushtuar në luftimin e luftës hibride dhe sfidave të sigurisë kibernetike, duke kontribuar në stabilitetin dhe sigurinë e komunitetit ndërkombëtar.
- Sot në Tiranë, ne riafirmuam solidaritetin dhe mbështetjen tonë për Ukrainën, shprehëm angazhimin tonë për të marrë pjesë në rimëkëmbjen dhe rindërtimin e Ukrainës pas luftës, në mënyrë që t'i mundësojmë popullit ukrainas të rindërtojë vendin e tij, duke angazhuar të gjithë partnerët përkatës, duke përfshirë kompanitë private dhe ndërkombëtare. institucionet financiare, me synimin për të siguruar mbështetjen financiare, investimet dhe njohuritë e nevojshme për të siguruar një të ardhme të begatë për Ukrainën.
- Ne, miqtë e Ukrainës, konfirmojmë besimin tonë të fortë se vetëm të bashkuar do të jemi në gjendje të rivendosim paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e drejtë në kontinentin evropian.
14:40 - Zelensky: Mbështesim integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në fjalën e tij në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka falënderuar qytetarët shqiptarë për mbështetjen e vazhdueshme.
Zelensky theksoi se e mbështesin integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, teksa ai kërkoi përkrahje edhe për vendin e tij.
“Të gjithë qytetarët e Shqipërisë për mbështetjen e sinqertë që na keni dhën për popullin tonë dhe të gjithë mbështetjen që i jepni drejtësisë në Evropë, në fakt mbështetjen që e kemi marrë në një kohë të trazuar me luftë të skajshme dhe të falënderojmë për të gjitha paketat që keni mbështetur. Edhe sot kemi parë mbështetjen nga Shqipëria”, u shpreh Zelensky.
Ai theksoi se çdo komb ka nevojë për sigurinë e vet gjithashtu edhe këto janë elemente që përkufizojnë çdo të mirë që mund të ofrojë një komb.
“Duhet që ju te keni besim te ne, stabiliteti që mund t’i ofrojmë Evropës por edhe vlerat e përbashkëta, të integrimit tonë të plotë në BE, ne e mbështesim integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE por ju duhet edhe ju të na mbështesni neve”.
“Duhet të vijojmë që së bashku të bashkëpunojmë, të ecim përpara, natyrisht të na mbështesni të merrni pjesë në samitin e paqes të na mbështesin edhe në formulën e paqes planin me 10 pika”.
“Ne duhet të mbijetojmë, duhet të kemi vendime konkrete, nuk mund të ndajë çmimin për artileri. Gjithçka që ne kemi vendosur kjo është nisma më e mirë e të gjithëve, të na sillni armatimet në kohë, kjo është çështja, nëse ne do të fitojmë, do të varemi nga kjo pikë”, u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
13:21 - Mbyllet Samiti për Ukrainën në Tiranë, liderët e pranishëm realizojnë foton familjare
Ka përfunduar Samiti Ukrainë-Evropa Juglindore në Pallatin e Kongreseve. Pas mbylljes së punimeve, liderët e pranishëm në Samit kanë realizuar foton familjare.
Të pranishëm në foton familjare ishin liderët e Evropës Juglindore dhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Në fotografi ishte edhe e para e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani.
12:27 - Zelensky: Është e rëndësishme që Putini të humbasë, dështimi i tij është siguria jonë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në fjalën e tij në Samitin për Ukrainën, përmendi nevojën që Rusia duhet të humbasë.
Zelensky potencoi se regjimi i Putinit duhet të humbasë, pasi siç tha ai, me dështimin e tij do të ketë siguri, njofton Klankosova.tv
“Është hera e dytë që po takohemi në një format të tillë. Kryeministër faleminderit për mikpritjen. Tani po përcaktohen rrugëtimet për Evropë për breza të ardhshëm. Evropa të jetë hapësirë që çdo vend që të përcakton fatin e vet”, u shpreh Zelensky.
“Është e rëndësishme që Putini, regjimi i tij të humbasë, dështimi i tij është siguria jonë. Nuk duhet të ketë Evropë me dinjitete të ndryshme, dikush meriton më shumë siguri apo paqe apo dikush injorohet për paqen që nuk e ka”.
“Çdo komb në Evropë që i ruan parimet e meriton integrimin. Ne të gjithë meritojmë të jemi pjesë e komunitetit evropian dhe euroatlantik”, vazhdoi ai.
Ai ka ftuar të gjithë të pranishmit në samitin e parë global që do të mbahet në Zvicër.
“Ne kemi treguar vërtetuar që mund t’ bësh ballë armikut që është më i fortë në botë, çdo komb mund t’ia dalë”.
Zelensky gjithashtu paralajmëoi një forum për industrinë e mbrojtjes.
"Do të prezantojë detaje që të organizohet një forum për industrinë e mbrojtjes qoftë në Kiev qoftë në një nga vendet e tuaja (Ballkan)”.
“Gjithçka që na bën neve partnerë të mirë e bën Putinin më të dobët e dobëson atë, për këtë arsye ai investon aq shumë në ndarje dhe kriza ai e di me perça e sundo, ai e di fare mirë se çka i bën mirë interesave të tij, Ne duhet të shohim se çka i bën mirë interesave tona. Vetëm në këtë formë do të mbrojmë ne do të mbrojmë njëri-tjetrin”, u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. /Klankosova.tv.
11:49 - Zelensky jep detaje nga biseda me Ramën (VIDEO)
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka dhënë pak detaje nga biseda e tij me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.
Përmes një postimi në Facebook, ai thotë se pos tjerash, kanë folur për nevojat e mbrojtjes së Ukrainës dhe mundësinë e prodhimit të përbashkët të armëve.
Zelensky poashtu shkruan se falë qeverisë dhe popullit të Shqipërisë, nuk do ta harrojnë kurrë qëndrimin e ngrohtë të shoqërisë shqiptare ndaj ukrainasve.
“Që në ditët e para të pushtimit, Shqipëria mbështeti Ukrainën, luftën tonë për liri dhe integritet territorial. Gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama, nënshkruam Marrëveshjen e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë. Ky dokument do të kontribuojë në zhvillimin e bashkëpunimit tonë dhe forcimin e pozitave të Ukrainës në rajonin e Ballkanit. Sot folëm edhe për nevojat e mbrojtjes së Ukrainës dhe mundësinë e prodhimit të përbashkët të armëve. Falë qeverisë dhe popullit të Shqipërisë, ne nuk do ta harrojmë kurrë qëndrimin e ngrohtë të shoqërisë suaj ndaj ukrainasve!”, ka shkruar Zelensky, njofton Klankosova.tv.
12:19 - “Slava Ukraini”, Rama: Rusia s’ia doli të përmbysë qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokatrike
Kryeministri shqiptar, Edi, Rama, është shprehur i nderuar për praninë e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Shqipëri, për herë të parë.
Gjatë fjalës së tij në tryezën e Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore”, ai tha se prania e Zelenskyt në Shqipëri, tregon se Putini nuk ia ka dalë të përmbysë qeverinë dhe popullin ukrainas.
“Kjo është një luftë që as Ukraina as Bashkësia e Kombeve me të njëjtin qëndrim nuk e zgjohën, një katastrofë nga zgjedhja e vetme e një njeriu.Prania juaj këtu është një kujtesë që ai nuk ia ka dalë e që pavarësisht fuqisë ushtarake e propagandës toksike, Rusia nuk ia ka dalë të përmbysë qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Ukrainës. Nuk ia ka dalë të shtypë vullnetin e popullit të Ukrainës të jetojë në një atdhe të lirë, të pavarur dhe demokratik. Nuk ia ka dalë të shtypë të vërtetën, kontrasti nuk mund të jetë më i fortë se kaq. Putini donte ta fshihte Ukrainën nga harta për çështje ditësh por sot Ukraina është më shumë se kurrë e ankoruar në Evropë dhe me besimplotë se kurrë për fatin e vet Evropian”, tha Rama, njofton Klankosova.tv.
Tutje, Rama ritheksoi se Shqipëria vazhdon të ofrojë mbështetje për Ukrainën
“Hedh sytë rreth kësaj tryeze dhe shoh fytyra të njohura, të gjithë jemi bërë bashkë për të paktën 1 dekadë për t’u takuar dhe për të folur për sfidat tona dhe për planet e të ardhmes. Pavarësisht asaj për të cilën mund të mos jemi dakord, për të parë përpara në vend se të shohim pas, histori brutale që na kanë mbajtur peng për shumë breza. E them herë pas here, mikut tim të dashur, presidentit ukrainas, vetë nuk kemi kapacitetet për të ofruar mbështetjen financiare e ushtarake për Ukrainën, por i bashkohemi thirrjes për pjesëtarët më të mëdhenj të aleancës sonë se siguria jonë varet nga mbështetja e tyre, e cila nuk duhet të jetë peng i vonesave burokratike”.
Në fund, kreu i qeverisë shqiptare ia kaloi fjalën Zelenskyt duke thënë “Slava Ukraini” që në shqip i bie “Lavdi Ukrainës”.
11:20 - Osmani: Momenti i njohjes së Kosovës do të vjen së bashku me fitoren e Ukrainës
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyn e kanë pritur presidenten e Kosovës Vjosa Osmani, në kuadër të samitit për Ukrainën.
Osmani u prononcua më pas për mediat duke thënë se do ta mbështesin Ukrainën.
E para e shtetit të Kosovës kur u pyet nëse do e kërkojë njohjen e pavarësisë nga presidenti Zelensky, ajo u shpreh e bindur se ky moment do të vjen së bashku me fitoren e Ukrainës.
“Do të jemi këtu deri në fitoren e Ukrainës. Këto janë çështje bilaterale, ne gjithmonë e kemi bërë një kërkesë të tillë, me mirëkuptimin e plotë se Ukraina është në gjendje të jashtëzakonshme duke luftuar për lirinë e saj, jam e bindur se ai moment do të vjen së bashku me fitoren e Ukrainës”, u shpreh Osmani, njofton Klankosova.tv.
10:43 - Zelensky ia dorëzon Ramës çmimin “Yaroslav i Urti” (VIDEO
Para nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit që përforcon e promovon miqësinë mes Shqipërisë dhe Ukrainës, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i ka dorëzuar medalje Edi Ramës.
Çmimi “Yaroslav i Urti” iu dorëzua Ramës me vendimin e Zelenskyt për kontributin e jashtëzakonshëm personal dhe për mbështetje, njofton Klankosova.tv.
Ndiqni më poshtë momentin e dorëzimit të medaljes dhe firmosjes së marrëveshjes.
10:28 - Shqipëria dhe Ukraina me marrëveshje për forcimin e miqësisë (VIDEO)
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit që përforcon dhe promovon miqësinë me të dyja shteteve, njofton Klankosova.tv.
Rama ka publikuar pamje nga momenti i firmosjes në llogarinë e tij në Facebook.
Kjo është vizita e parë e Zelenskyt në Shqipëri e cila është bërë në kuadër të “Samitit për Ukrainën”.
10:11 - Kjo është dhurata që Rama ia bëri Zelenskyt
Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka mirëpritur presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në vizitën e tij të parë në Shqipëri, si bashkë-organizator i Samitit “Ukrainë – Europa Juglindore” që nis sot punimet në Tiranë.
Rama dhe Zelensky nisën një takim kokë më kokë, në zyrën e kryeministrit, që vijon me takimin mes dy delegacioneve të Shqipërisë dhe Ukrainës.
Pasi bënë një foto, Rama i tregoi Zelenskyt zyrën e tij dhe më pas i dha një dhuratë.
Dhurata ishte pikërisht libri i tij me mbishkrimin sipër ‘Edi Rama’, ku shfaqeshin në kopertinë dhe skicat e njohura të tij.
10:00 - Osmani përfaqëson Kosovën në Samitin Ukrainë- Evropa Juglindore në Tiranë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, me ftesë të kryeministrit Edi Rama të Shqipërisë, ka udhëtuar për Tiranë për ta përfaqësuar Kosovën në Samitin Ukrainë- Evropa Juglindore.
Në këtë Samit, Presidentja Osmani do të jetë krahas presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe liderëve të tjerë nga Evropa Juglindore.
Në dy vjetorin e fillimit të luftës së paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, Samiti synon të riafirmojë angazhimin e përbashkët të shteteve të Evropës Juglindore për mbështetje ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.
Nga ky samit, parashihet t`i bëhet thirrje komunitetit ndërkombëtar që ta rrisë fuqishëm mbështetjen për Ukrainën, si dhe të diskutohet ndihma konkrete e shteteve të EJL-së për Ukrainën.
10:04 - Rama takon Zelenskyn
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është takuar brenda në kryeministri me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenksyn, në kuadër të samitit për Ukrainën.
Rama dhe Zelensky do të mbajnë më vonë edhe një konferencë të përbashkët për media.
09:29 - Në samitin për Ukrainën në Tiranë po merr pjesë edhe Vuçiqi
Në Tiranë po mbahet samiti i parë Ukrainë-Evropë Juglindore në të cilin po merr pjesë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Në këtë takim po merr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani si dhe homologu i saj serb, Aleksandar Vuçiq dhe liderë të vendeve të tjera të rajonit, transmeton Klankosova.tv.
Takimi sipas agjendës është parashikuar të fillojë në orën 9:30 dhe do përfundojë me firmosjen e një marrëveshje.
Ndërsa, në orën 11:00 pritet që liderët të mbërrijnë në pallatin e Kongreseve ku do të zhvillohet më pas Samiti.
Agjenda e Samitit të Ukrainës (28 Shkurt 2024)
09.00 – Presidenti Zelensky do të mikpritet nga Kryeministri Rama, në Kryeministri.
09.05 – Kryeministri Rama do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Presidentin e Ukrainës Zelensky.
9.30 – Takimi bilateral mes dy delegacioneve.
10.10 – Firmosja e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Ukrainës
11.00 – Doorstep dhe mbërritja e liderëve ( Pallati i Kongreseve)
11.30-Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy do të mbajnë fjalët hapëse të Sesionit.
13:00 – Foto Familjare
Të gjitha mediat
13.30 – Kryeministri Rama dhe Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky do të mbajnë një Konferencë të përbashkët për shtyp.
09:15 - Zelensky: Do të takoj mikun e palëkundur të Ukrainës, kryeministrin shqiptar Edi Rama
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka arritur mbrëmë në Tiranë të Shqipërisë, ku sot do të marrë pjesë në samitin për Ukrainën.
Zelensky me anë të një postimi në rrjetin e tij social në platformën X, theksoi se sot do të takoj mikun e palëkundur të Ukrainës, kryeministrin Edi Rama.
“Do të takoj mikun e palëkundur të Ukrainës, kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe do të marr pjesë në samitin Ukrainë-Evropa Juglindore”, shkroi Zelensky.
“Në bisedimet tona dypalëshe me kryeministrin dhe ekipin e tij, do të diskutojmë bashkëpunimin në mbrojtje dhe politik, mbështetjen për formulën e paqes dhe marrëveshjet e sigurisë. Shqipëria është një nga vendet që ka nënshkruar Deklaratën e Vilniusit të G7, të cilën ne e vlerësojmë shumë”.
“Ne do të diskutojmë rrugën tonë të përbashkët drejt qëllimit euroatlantik në samitin Ukrainë-Evropë Juglindore, i cili tashmë po mbahet për herë të dytë. Unë do të propozoj mbështetjen e përpjekjeve të Ukrainës për të arritur paqen e drejtë dhe të qëndrueshme, si dhe organizimin e Samitit Global të Paqes në Zvicër.
Ai theksoi se do të zhvilloj edhe bisedime dypalëshe me pjesëmarrësit e samitit.