21:02 Infermierja deklarohet në polici: Ajo më sulmoi e para - s'përdora dhunë e as forcë të madhe
Infermierja Aurona Pelaj, e cila shihej teksa e rrah dhe e përqesh bashkë me disa kolege të saj, një të moshuar e cila ishte banore e një shtëpie të pleqve në Pejë, ka dhënë deklaratë në polici, pas arrestimit.
Në një tekst të gjatë të publikuar nga sinjali, specifikohet që Pelaj, ka arsyetuar sjelljet e saj duke thënë se “ajo [e moshuara] e para më ka sulmuar”, meqë siç theksonte ajo ishte agresive, përcjell klankosova.tv.
”Unë kur kam filluar punën ajo veç ka qenë banore e shtëpisë dhe se nga mjeku është konstatuar se e njëjta ka çrregullime mendore. Në ditën kur ka ndodhur rasti ajo ka qenë shumë agresive dhe kohë pas kohe përjetonte kriza nervoze dhe për këtë e kemi njoftuar doktorin. Atë ditë, e kemi pasur për detyrë që t’ua ndërrojmë pampersat pasi e moshuara (viktima) e kishte kryer nevojën fiziologjike dhe me duart e saj e ka ndotur hapësirën. Unë e kam dëgjuar një zhurme te banjoja dhe kam shkuar që të shikoj. Aty koleget e mija kishin pasur telashe dhe desha të ju ndihmoj. Ajo (viktima e moshuar) më ka sulmuar dhe më ka shkaktuar lëndime në dorë, më ka sulmuar me shqelm e para. Unë nuk kam përdor dhunë e as forcë të madhe përveç me ndalu sulmin e saj ndaj meje. Ajo atë ditë e ka sulmuar edhe një banore tjetër”, ka deklaruar ajo.
Pelaj ka deklaruar po ashtu se forca që e ka përdorur sipas saj ka qenë nën afekt, por në një formë i ka konsideruar si të drejtë veprimet e saj, me arsyetimin se duhet të jetë dominonte ndaj personave me probleme psikike.
”Në shkollë jemi mësuar se personat që paraqesin rrezik për personelin dhe kanë probleme psikike duhet të tregohemi dominant ndaj tyre. Unë jam e vetëdijshme se veprimi ka qenë i tepruar dhe nën afekt, por ajo e para më ka sulmuar dhe veprimet e mija kanë qenë paralajmëruese dhe jo me forcë të madhe. Koleget e mija janë munduar ta vënë nën kontroll atë (të moshuarën). Janë munduar me forcë ta ndërrojnë, ka qenë e fuqishme dhe është dashtë disa veta ta vënë nën kontroll”.
Në dëshminë e saj, Pelaj është shprehur e penduar thellësisht dhe emocionalisht keq për rastin që ka ndodhur.
Ajo ka deklaruar po ashtu se publikimi i videos është bërë me qëllim nga qendra pasi ajo e ka lënë punën gjatë ditës së djeshme.
Sipas saj, ajo s’ka qenë e përgatitur që të merret me persona që kanë probleme psikike.
Pamjet e rrahjes së të moshuarës në qendrën për përkujdesjen e të moshuarve “Orenda” në Pejë kanë tronditur vendin.
Dy infermieret, Aurona Pelaj dhe Altina Rexhepi dyshohet se e sulmuan gruan e moshuar brutalisht, teksa Remize Kuqi regjistroi momentin.
20:51 - Sindikata e QKUK-së: Nuk i tolerojmë sjelljet e infermiereve si ndaj të moshuarës në Pejë
Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së ka reaguar pas rastit të sulmit fizik ndaj të moshuarës në shtëpinë e të moshuarve në Pejë “Orenda”.
Në njoftimin e lëshuar thuhet se ndjehen të shqetësuar për këtë ngjarje.
“Duke falënderuar qytetarët për besueshmërinë që kanë në infermierët dhe profesionin e infermierit, i sigurojmë që veprimet e tilla asnjëherë nuk do i pranojmë dhe tolerojmë”.
“Sjellje të tilla nuk u përkasin infermierëve, andaj ftojmë OIK ( Oda e Infermierëve të Kosovës ) që tani pas konfirmimit nga ana e Inspektoratit dhe Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me validitetin e licencave të punës të marrë masa urgjente ndaj atyre “infermiereve”, me ç’rast do mbrohen edhe infermierët e tjerë nga njollosja e profesionit të infermierit, si dhe duke siguruar qytetarët që vepra të tilla nuk do të tolerohen”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
19:58 - Osmani: Dhuna ndaj të moshuarës, krim i dyfishtë, rasti të trajtohet me prioritet
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka dënuar ashpër aktin e dhunës nga një infermiere që i është bërë një të moshuare, e cila ishte dërguar për kujdes, në një shtëpi të pleqve në Pejë.
Osmani thotë se t’i bësh cak dhune të moshuarit është krim i dyfishtë pasi kontributi i tyre është themeli i vendit, njofton Klankosova.tv.
“Dhuna është e papranueshme pavarësisht ndaj kujt drejtohet. T’i bësh cak dhune të moshuarit është krim i dyfishtë. Ata janë pjesa më e ndjeshme e shoqërisë, kontributi i tyre është themeli jonë”.
“Akti i sotëm i dhunës ndaj një të moshuarës është tronditës, i papranueshëm dhe i patolerueshëm, ndaj Zyra e Presidentes e dënon fuqishëm. Mekanizmat kompetent duhet t’i forcojnë dhe mbikëqyrin kriteret e përzgjedhjes, në mënyrë që atyre që u besohet trajtimi i fëmijëve, grave dhe të moshuarve të kalojnë nëpër filtra të ashpra të rekrutimit. E kemi obligim ta bëjmë një shoqëri sa më humane dhe kjo përpjekje jona duhet të jetë e përditshme”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Osmani, mes tjerash, ka kërkuar nga organet e drejtësisë që këtë rast ta trajtojnë me prioritet, njofton Klankosova.tv.
“Zyra e Presidentes fton organet e drejtësisë që këtë rast ta trajtojnë me prioritet ngase akte të tilla janë të patolerueshme dhe të dënueshme”.
19:52 - Dyshohet se kërcënoi pronarin e qendrës “Orenda”, arrestohet burri i njërës nga infermieret (VIDEO)
Policia e Kosovës ka arrestuar një person në shtëpinë e pleqve “Orenda” në Pejë.
Dyshohet se bashkëshorti i njërës prej infermiereve të përfshira në sulmin ndaj të moshuarës ka kërcënuar pronarin e kësaj qendre, Anton Rasaj, për suspendimin nga puna të gruas së tij, njofton Klankosova.tv.
Rastin për Klankosova.tv e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
"Rreth orës 18:55 policia është njoftuar nga ankuesi për një kanosje dhe është arrestuar një person. I njëjti është duke u intervistuar", tha Gashi.
Infermierja ishte e përfshirë në sulmin ndaj të moshuarës që u bë publik sot, teksa policia deri tani ka arrestuar tre persona për këtë rast.
18:30 - MSh-ja ka bërë inspektimin e shtëpisë së të moshuarve “Orenda” në Pejë
Ministria e Shëndetësisë e dënon dhunën e ushtruar ndaj të moshuarës që ka ndodhur në shtëpinë e të moshuarve “Orenda” në Pejë.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se kjo është një sjellje jonjerëzore nga infermieret në fjalë.
“Inspektorati Shëndetësor ka qenë sot për inspektim në këtë institucion privat në të cilin jepen dhe shërbime të përkujdesit shëndetësor. Të arrestuarat dhe të përfshirët në ngjarje janë të profesionit infermiere, të licencuara nga Oda e Infermierëve, Mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë”.
“Pas inspektimit, Raporti i Inspektoriatit Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë do t’i dërgohet Odës, institucion ky i pavarur, me qëllim marrjen e masave konform ligjit, statutit, rregullave dhe kodit etik në fuqi”.
“Mbesim të përkushtuar për të ruajtur dinjitetin e çdo pacienti dhe të qytetarëve në përgjithësi kur përkujdesi i tyre u besohen profesionistëve shëndetësorë. Çdo abuzim me këtë besim do të ketë reagimin tonë të pa kompromis. Të njëjtën besojmë që do ta kenë dhe Odat e profesionistëve shëndetësorë”, thuhet në njoftim, transmeton Klankosova.tv.
18:25 - Sulmi ndaj të moshuarës, flet dhëndri i saj: Është nënë dëshmori, e tërhoqëm nga kjo shtëpi (VIDEO)
Erzen Vala, dhëndri i të moshuarës ndaj të cilës u ushtrua dhunë fizike derisa gjendej në një shtëpi të moshuarish në Pejë, ka njoftuar se familja e viktimës tashmë e kanë tërhequr atë nga kjo shtëpi.
Në një prononcim për Klankosova.tv, ai ka thënë se deri në publikimin e videos ku shihet qartë dhuna e ushtruar ndaj saj nga një infermiere e kësaj shtëpie, nuk kanë parë shenja dhuna te viktima.
“Në videon që ka qarkulluar shihet qartë se është përdorur dhunë. Ne me marrjen e videos, me bashkëshorten time Zhenetën kemi ardhur për të bërë kërkesën për ta tërhequr. Pjesa tjetër se kush janë ato e për çfarë arsye e kanë bërë këtë vepër, ia lëmë ligjit atë pjesë”.
“Ka rreth një vit që është në këtë shtëpi. Deri më tani nuk kemi mundur të vërejmë se është përdorur dhunë ndaj saj. Zonja vuan nga Alzheimeri. Nuk kemi parë shenja dhune në trup, bindshëm e them se jemi pritur mirë, sa herë ka ardhur bashkëshortja ime ta vizitojë, jemi pritur mirë nga menaxhmenti”, tha Vala, raporton Klankosova.tv.
Dhëndri i të moshuarës konfirmoi se ajo është edhe nënë dëshmori, ndërsa tha se arsyeja pse familja e ka dërguar atë në shtëpi të moshuarish ka qenë “imponimi i jetës”.
“Viktima e ka djalin që jeton në Belgjikë, ka edhe vajzën, shoqen time. Është edhe djali që i është vrarë, është nënë e dëshmorit. Nuk e kemi sjellë për shkak të dëshirës, por e ka imponuar jeta për ta sjellë për një jetë më të mirë”, theksoi Vala.
Në fund, ai tha se menaxhmenti aktualisht është duke biseduar me inspektorët shëndetësorë për procedurat e mëtejme, teksa shtoi se familja e viktimës do të shohë se çka mund të bëjë në vijim. /Klankosova.tv
17:16 Policia me detaje shtesë: Sulmi ndaj të moshuarës ndodhi para 5 dite, u arrestuan tre persona
Sulmi ndaj të moshuarës në Shtëpinë e të Moshuarve në Pejë nga një infermiere ka ndodhur pesë ditë më parë, më 29 tetor, sipas Policisë së Kosovës.
Deri më tani, Policia ka arrestuar tre persona të përfshirë në këtë rast pasi në pamjet e publikuara sot, pos infermieres që e sulmon të moshuarën, ka edhe persona tjerë që nuk veprojnë për të parandaluar sulmin, njofton Klankosova.tv.
Këtë për Klankosova.tv e ka thënë zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Në këtë rast ka tre persona që janë arrestuar nga ajo qendër për të moshuar. Rasti ka ndodhur të shtunën më 29 tetor dhe mbi tre personat e arrestuar rëndojnë vepra të ndryshme penale”.
“Një person është arrestuar për veprën ‘Sulm’, një për veprën ‘Ndihmë për kryerje të sulmit’ dhe personi i tretë për veprën ‘incizim i paautorizuar'”, tha Gashi për Klankosova.tv.
Gashi, mes tjerash, bëri të ditur se me urdhër të Prokurorit, personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë. /Klankosova.tv
17:35 - Pacolli reagon për dhunën ndaj të moshuarës, shpreh dëshirën ta takojë
Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka reaguar pas publikimit të pamjeve që tronditën vendin, ku e moshuara sulmohet fizikisht nga infermieret, në një shtëpi të pleqve në Pejë.
Pacolli tha se infermieret abuzuan më një nënë të moshuar, madje e një dëshmori.
“Ju që e goditni, ju që qeshni dhe ju që filmoni. Çfarë keni për të thënë tani? A e shihni që gjithçka në këtë botë kthehet si një bumerang. Keni krijuar lajme negativë në të gjithë vendin. Keni abuzuar me një nënë të moshuar. Madje e një dëshmori”, ka shkruar Pacolli në një postim në Facebook, transmeton Klankosova.tv.
Tutje Pacolli shprehu dëshirën që ta takojë viktimën e dhunës dhe ta dëgjojë se çfarë ka për të thënë ajo.
“Unë dëshiroj shumë ta takoj këtë grua dhe të dëgjoj çfarë ka për të thënë ajo. Por ju që keni shkaktuar këtë dhunë, shpresoj se do të keni mjaft kohë për të menduar për veprimin tuaj në qelinë tuaj”, përfundoi Pacolli.
17: 08 - “Orenda” publikon vendimin, katër infermieret janë suspenduar të martën (Dokument)