Në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut ka përfunduar procesi zgjedhor për kryetar të komunës.
Aktualisht është duke u bërë numërimi i votave dhe sipas Kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, shumë shpejtë pritet që të publikohen rezultatet preliminare, njofton Klan Kosova.
Albert Bajrami, Hekuran Sokoli, Liridon Zeqiri
? 20:23
Daka: Shumë shpejt do të dalim me rezultatet preliminare për Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka bërë të ditur se tashmë kanë nisur që të numërohet votat nga procesi zgjedhor për kryetar të Komunës së Podujevës dhe asaj të Mitrovicës së Veriut.
“Procesi zgjedhor është përmbyllur. Jemi në fazën e numërimit të votave dhe shpresoj që kjo fazë do të përfundojë shumë shpejtë”, është shprehur Daka për Klan Kosova.
“Ishte një ditë zgjedhore jashtëzakonisht e qetë më gjashtë incidente që kanë qenë kryesisht minore”.
“Tashmë po arrijnë rezultatet e para dhe besoj që shumë shpejt do të dalim me rezultatet preliminare ndërsa ato përfundimtare do të dihen pas përfundimit të votave me kusht dhe atyre me postë”.
? 20:00
Rudari: Jemi duke prirë në të gjitha vendvotimet
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës Nexhmi Rudari, është deklaruar për procesin zgjedhor që sot u zhvillua për të parin e Podujevës.
Rudari në një konferencë për media tha se sipas informacioneve që ka është duke prirë në të gjitha vendvotimet.

"Do të doja të falënderoja të gjithë aktivistët dhe simpatizantët e LDK-së që kanë qëndruar me mua dhe më kanë përkrahur këto ditë.Presim rezultate të mira. Ende po vazhdon procesi i numërimit të votave. Ende nuk i kemi të dhënat e saktë, por sipas informacioneve jemi duke prirë në të gjitha vendvotime. Shpresoj që edhe kështu do të përmbyllet më një fitore të LDK-së".
? 19:50
Mbyllen të gjitha vendvotimet - në 21:00 dalin rezultatet preliminare
Janë mbyllur të gjitha vendvotimet në Komunën e Podujevës dhe atë të Mitrovicës së Veriut.
Kështu ka bërë të ditur në një konferencë për media kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka.
Ajo ka shtuar se rreth orës 21:00 pritet që të dalin rezultatet preliminare për dy komunat në fjalë, njofton Klan Kosova.
"Në komunën e Podujevës, në procesin e sotëm zgjedhor kanë votuar 40.51 për-qind e votuesve apo 35 mijë e 400 nga 87 mijë e 381 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën orë kishin votuar 40 mijë e 162 votues apo 47.7 për-qind".
"Në komunën e Mitrovicës së Veriut, kanë votuar 39.14 për-qind e votuesve apo 9 mijë e 124 votues nga 23 mijë e 313 votues sa është numri i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 8 mijë e 269 votues apo 37.9 për-qind".
Nga ekipi i Bulliqit: Presim rezultat të mirë
? 19:33
Pas orës 19:00 janë mbyllur Qendrat e Votimit në Podujevë, ku Nexhmi Rudari, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Shpejtim Bulliqi, nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Naim Fetahu, nga Partia Demokratike e Kosovës, po garojnë për të zënë vendin e të parit të kësaj komune.
Nga Lëvizja Vetëvendosje tashmë kanë filluar ta shpallin fitoren.
Klan Kosova ka kontaktuar me kandidatin e Vetëvendosjes Shpejtim Bulliqi, për të marrë ndonjë informacion lidhur me rezultatin.

Nga tabori i Bulliqit kanë deklaruar se rezultati do të jetë shumë i mirë.
“Rezultati do të jetë shumë i mirë. Ne do të ju informojmë gjatë një konference për media”.
Rudari i LDK-së: Herët të flitet për rezultatet, VV po bazohet në sondazhet e saj
Kandidati i LDK-së për Kryetar të Podujevës, Nexhmi Rudari, ka thënë se ende është herët të flitet se kush është fitues nga procesi i sotëm zgjedhor.
“Qendrat e votimit sapo janë mbyllur dhe është herët të flitet për ndonjë rezultat”, është shprehur Rudari për KlanKosova.tv.
Lidhur me deklarimet e zyrtarëve të Vetëvendosje se janë ata që kanë fituar sot dhe kandidati i tyre Shpejtim Bulliqi, Rudari është shprehur: “Duket se bazohen në sondazhet e tyre që i kanë bërë dje. Është herët të flitet për rezultate”.
? 19:30
Rudari i LDK-së: Herët të flitet për rezultatet, VV po bazohet në sondazhet e saj
Kandidati i LDK-së për Kryetar të Podujevës, Nexhmi Rudari, ka thënë se ende është herët të flitet se kush është fitues nga procesi i sotëm zgjedhor.
“Qendrat e votimit sapo janë mbyllur dhe është herët të flitet për ndonjë rezultat”, është shprehur Rudari për KlanKosova.tv.
Lidhur me deklarimet e zyrtarëve të Vetëvendosje se janë ata që kanë fituar sot dhe kandidati i tyre Shpejtim Bulliqi, Rudari është shprehur: “Duket se bazohen në sondazhet e tyre që i kanë bërë dje. Është herët të flitet për rezultate”.
? 19:14
Mbyllet qendra e votimit në shkollën teknike në Mitrovicë të Veriut
Sot në orën 19:00 është mbyllur qendra e votimit në shkollën teknike në Mitrovicë të Veriut.
Në Mitrovicën e Veriut janë shtatë qendra të votimit me gjithsej 27 vendvotime, ku të drejt vote kanë 23,313 qytetarë, njofton Klan Kosova.
Kandidatë për kryetar komune atje janë Milan Radojeviq nga Lista Serbe, Florent Azemi PDK, Erden Atiq VV dhe Dushan Millunoviq kandidat i pavarur.
? 19:00
Mbyllet në 19:00 qendra më e madhe e votimit në Podujevë
Në orën 19:00 është mbyllur qendra më e madhe e votimit në Komunën e Podujevës e cila ndodhej në shkollën fillore “Isa Boletini”.
Drejtori i kësaj shkolle ka thënë se pjesëmarrja në procesin zgjedhor në këtë qendër ka qenë 48.1 përqind, njofton Klan Kosova.
Ai ka thënë se procesi zgjedhor ka shkuar pa asnjë ekses dhe që tërë kohës janë respektuar masat anti COVID-19 si nga stafi ashtu edhe nga votuesit.
? 17:00
Edhe një person e fotografon fletëvotimin në Podujevë
Sot kur janë duke u mbajtur zgjedhjet lokale në dy komuna të Kosovës, një person pasi ka votuar, e ka fotografuar fletëvotimin e tij.
I njëjti [emër i njohur për redaksinë] fletëvotimin e ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook, ku mund të vërehet se ka votuar për kandidatin nga radhët e VV-së për kryetar të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqin.
? 16:30
Qytetari përpos që e fotografon votën ia bashkëngjit edhe letërnjoftimin
Sot po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës.
Gjatë votimit një qytetar i kësaj komune e ka fotografuar votën e tij.
Kjo sipas ligjit është e ndaluar.
Përpos që e ka fotografuar votën, i njëjti e ka bashkangjitur edhe letërnjoftimin.

Në garë për të parin e Podujevës janë:
Nexhmi Rudari, nga Lidhja Demokratike e Kosovës;
Shpejtim Bulliqi, nga Lëvizja Vetëvendosje; dhe
Naim Fetahu, nga Partia Demokratike e Kosovës.
? 16:26
VV në Podujevë: Shoferi i Nexhmi Rudarit po bën presion te votuesit (VIDEO)
Dega e Lëvizjes së Vetëvendosje në Podujevë është ankuar se shoferi i kandidatit të LDK-së për kryetar, është duke bërë presion tek qytetarët.
“Në shkollën “Shaban Shala”, Bekim Rudari, shoferi i kandidatit të LDK-së, Nexhmi Rudari, gjatë tërë kohës po qëndron brenda qendrës së votimit dhe bën presion ndaj votuesve”, thuhet në njoftim, transmeton Klan Kosova.
“Ftojmë organet e rendit që të marrin masa ndëshkuese ndaj këtij personi dhe kujtdo tjetër që për qëllim ka manipulimin e procesit zgjedhor”.
Për ta parë videon, klikoni:
KËTU!
? 15:41
Dalja në zgjedhje deri në orën 15:00: Në Podujevë 29.76 përqind, në Mitrovicë të Veriut 30. 03 përqind
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencë për daljen e qytetarëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Podujevës dhe Komunës së Mitrovicës së Veriut.
Kryetarja e këtij komisioni, Valdete Daka, ka njoftuar se në të dy komunat procesi zgjedhor është zhvilluar në atmosferë të kënaqshme.
“Deri në orën 15:00 dalja në zgjedhje ka qenë 29.76 përqind, apo 26 mijë votues nga 87 mijë e 381. Në vitin 2017 dalja në zgjedhje ka qenë 31 përqind. ”, është shprehur Daka, njofton Klan Kosova.
“Në Mitrovicën e Veriut dalja në zgjedhje deri në orën 15:00 është 30.3 përqind, apo shtatë mijë e 62 qytetarë. Dalja në zgjedhje në vitin 2017 në këtë komunë ka qenë 29 përqind deri në orën 15:00”.
? 15:15
Zemaj monitoron procesin zgjedhor edhe në Podujevë (VIDEO)
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, po qëndron në qytetin e Podujevës.
Ai ka vizituar shkollën “Isa Boletini” në këtë qytet, e cila është një prej qendrave të votimit, njofton Klan Kosova.
Zemaj ka dalë sot në terren për të monitoruar procesin e zgjedhjeve lokale në kohën derisa edhe Kosova po përballet me koronavirusin. Fillimisht ai ka qëndruar në Mitrovicë të Veriut dhe më pas në Podujevë.
Në këto dy komuna janë duke u mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar.
https://www.youtube.com/watch?v=LYb-slNuyR4&feature=youtu.be
? 14:44
DnV: Zgjedhje të qeta, por me respektim jo të kënaqshëm të masave anti COVID
Demokracia në Veprim (DnV) bën të ditur se përmes ekipeve mobile janë duke e vëzhguar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut si dhe janë duke mbuluar pjesën më të madhe të qendrave të votimit në këto dy komuna.
Përgjithësisht, DnV vlerëson se procesi i deritanishëm zgjedhor është zhvilluar pa incidente apo parregullsi që mund të cenojnë integritetin e këtij procesi.
” Dalja e votuesve në Komunën e Podujevës është deri më tani është në nivele të kënaqshme, marrë parasysh situatën me pandeminë si dhe trendet e daljes në zgjedhjet lokale të vitit 2017. Ndërsa, në Mitrovicë të Veriut është raportuar për pjesëmarrje më të ulët në zgjedhje”.
Ndërsa, sa i përket zbatimit të masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë, DnV konsideron që masat dhe procedurat e parapara të votimit përmes udhëzimit të KQZ-së, nuk janë respektuar sa duhet.
“Përkundër faktit që KQZ ka angazhuar ekipe monitoruese të zbatimit të masave anti-COVID, të cilat kanë qenë të pranishme në pothuajse të gjitha qendrat, vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar për respektim të pjesshëm të mbajtjes së maskës në mënyrë adekuate. Kjo është vënë re më shumë në radhët e komisionerëve. Po ashtu në shumë raste është raportuar për mosrespektim të distancës fizike, si në radhët e votuesve, ashtu edhe të komisionerëve. Ndërsa, dezinfektimi i duarve është masa e cila është respektuar më së paku, sipas vëzhguesve tanë”.
“Bazuar në vlerësimin tonë, KQZ nuk ka shfrytëzuar të gjithë kapacitetin e disponueshëm lidhur me hapësirat e votimit, meqë rast në disa qendra të votimit ka mbingarkim me votues, që ka rezultuar edhe me pamundësi për mbajtje të distancës, ndërsa objekte tjera publike (shkolla) nuk janë marrë fare në shfrytëzim për proces të votimit. Sa i përket hapësirave, vlen të përmendet që në shumë raste është evidentuar numër më i madh i vëzhguesve, në kundërshtim me vendimin e KQZ-së që ka paraparë vetëm një vëzhgues për entitet në vendvotim”.
Nga DnV gjithashtu thuhet se pasaktësia e listës së votuesve vazhdon të mbetet sfidë e procesit zgjedhor në këto dy komuna, sikur edhe në zgjedhjet paraprake.
“Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar për shqetësime të ngritura nga qytetarët për praninë e personave të vdekur në lista të votimit, si dhe janë evidentuar pakënaqësi lidhur me ndërrimin e qendrave të votimit të votuesve. Sa i përket ushtrimit të së drejtës së votimit, disa qytetarë janë ankuar që komisionerët nuk ua kanë lejuar të drejtën e votimit për shkak të skadimit të afatit në dokumente identifikuese, çështje kjo e cila nuk është adresuar si duhet nga KQZ dhe institucionet tjera relevante”.
“DnV ju bën thirrje qytetarëve që kohën e mbetur ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votimit, në përputhje me manualet për parandalimin e koronavirusit. Po ashtu, DnV kërkon nga komisionerët e subjekteve politike që të garantojnë mbarëvajtje të procesit të votimit, si dhe t’i kushtohet vëmendje e veçantë procesit të numërimit”, thuhet në njoftimin e DnV-së.
? 14:10
Kështu duken anëtarët e ekipeve lëvizëse që mundësojnë votimin e personave me COVID-19
Të drejtën e votimit për zgjedhjet për kryetar komune në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut janë duke e zhvilluar edhe pacientët që janë të prekur me COVID-19.
Ekipet e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) janë duke shkuar në shtëpitë e këtyre personave dhe janë duke u dërguar votat.
Këtë e bëri të ditur për Klan Kosova Valmir Elezi, zëdhënës për media në KQZ.
“Në komunën e Podujevës janë kontaktuar rreth 500 persona dhe pothuajse gjysma e tyre kanë shprehur vullnetin për të votuar përmes ndonjërit nga ekipet lëvizëse, ndërsa në komunën e Mitrovicës së Veriut nga kontakti me 21 persona, shumica prej tyre kanë aprovuar shërbimin e KQZ-së”.
“Të gjithë personat të cilët janë kontaktuar nga Komisionet Komunal të Zgjedhjeve të këtyre dy komunave, i takojnë listës zyrtare të cilën e kemi pranuar”, ka thënë Eelezi.
Këtu më poshtë keni fotografinë se si janë duken personat që janë pjesë e këtyre ekipeve të KQZ-së:
? 13:52
Nuk raportohen telashe gjatë votimit në Mitrovicë të Veriut (VIDEO)
Procesi i votimit për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut është duke u zhvilluar pa probleme.
Nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) deri tani kanë bërë të ditur se atje nuk është shfaqur asnjë problem.
Në këtë qytet për vizitë ka shkuar edhe Armend Zemaj, ministri i Shëndetësisë, i cili ka thënë se ëshë i kënaqur me masat që janë duke u zhvilluar.
? 13:40 PZAP mohon se ka pranuar ankesë nga Vetëvendosje për Rakiqin
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Mitrovicën e Veriut, Erden Atiq, ka bërë të ditur se LVV-ja ka dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ankesën për shkelje të heshtjes zgjedhore nga zëvendëskryeministri Goran Rakiq.
Kjo gjë është mohuar nga PZAP, njofton Klan Kosova
Kryesuesi i sekretariati të PZAP-së, Mul Desku, për klankosova.tv tha se nuk kanë pranuar asnjë ankesë.
"Deri në këto momente asnjë ankesë nga asnjë subjekt politik nuk kemi pranuar", deklaroi Desku.
? 13:28 Rakiq theu heshtjen zgjedhore, VV dorëzon ankesën në PZAP
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për Mitrovicën e Veriut, Erden Atiq, ka bërë të ditur se LVV-ja ka dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ankesën për shkelje të heshtjes zgjedhore nga zëvendëskryeministri Goran Rakiq.
Atiq në një reagim thotë se kandidati për kryetar të kësaj komune nga Lista Serbe, Milan Radeojoviq, është deklaruar në kundërshtim me ligjet e Kosovës duke mohuar shtetësinë dhe ofenduar qytetarët.
Reagimi i plotë i Atiq:
Shkelësit e ligjit nuk mund të qeverisin, ata që nuk njohin ligjet nuk sigurojnë zbatimin e tyre!
Ata që i drejtohen Republikës së Kosovës me ‘’Kosovo i Metohija’’ nuk mund të përfaqësojnë qytetarët e këtij vendi.
Kryetari i listës serbe, që njëherësh është zëvendës kryeministër, Goran Rakiq ka bërë thirrje të votohet Lista Serbe, duke thyer kështu ligjin për zgjedhje dhe heshtjen zgjedhore, ndërkohë kandidati për kryetar të veriut Radejoviq ka bërë një deklaratë që është në kundërshtim me ligjet në Kosovë, duke mohuar shtetësinë tonë dhe duke ofenduar qytetarët e pjesës veriore!
Zyrtarët tonë ligjor kanë dorëzuar ankesën për shkeljen e heshtjes zgjedhore në PZAP.
? 13:27 Zemaj viziton Mitrovicën e Veriut, thotë se gjatë votimit po respektohen masat kundër COVID-19
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka vizituar Mitrovicën e Veriut, ai ka parë nga afër se si ëshë duke u zhvilluar procesi zgjedhore për kryetar komune atje.
Zemaj ka thënë se është i kënaqur me respektimin e masave që janë duke u bërë në këtë qytet, njofton Klan Kosova.
? 13:20 Qytetari që fotografoi votën në Podujevë, jeton në diasporë
Një qytetar ka fotografuar votën e tij në shkollën e mesme “Isa Boletini” në Podujevë – për këtë u shoqërua në Polici.
Drejtori i kësaj shkolle, Fehmi Zeqiri, ka dhënë detaje shtesë rreth këtij rasti teksa potencoi se procesi zgjedhor po shkon sipas planit të paraparë, njofton Klan Kosova.
“Sa përket këtij rasti kemi të bëjmë me një qytetar që jeton jashtë Kosovës dhe ka bërë fotografimin e votës. Si është vërejtur nga komisionarët në klasë menjëherë është lajmëruar policia”.
Zeqiri mes tjerash bëri të ditur se në këtë shkollë si qendra më e madhe e votimi të drejtë vote kanë rreth 15 mijë qytetarë.
“Të drejtë votimi në këtë qendër kanë rreth 15 mijë qytetarë deri tani rreth 15% të votuesve kanë dalë të votojnë ose 1922 qytetarë”.
“Deri tani kemi të bëjmë me një proces të përgjegjshëm të votimit dhe gjithçka po shkon sipas planit”, deklaroi Zeqiri.
? 13:04
MPB sqaron: Veturat tona janë në shfrytëzim të KQZ-së për organizimin e zgjedhjeve
Ministria e Punëve të Brendshme ka dalë me një sqarim pas disa raportimeve në media se veturat e kësaj ministrie janë duke u përdorur në procesin elektoral që është duke u mbajtur sot në komunën e Podujevës dhe atë Mitrovicës së Veriut.
MPB njofton se veturat e saj janë dhënë në shfrytëzim për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për organizmin e zgjedhjeve.
"Ju bëjmë me dije se kjo është një praktikë që gjatë organizmit të zgjedhjeve në Kosovë, KQZ, kërkon nga Ministria e Administratës Publike, mbështetje me vetura për organizmin të zgjedhjeve. Tashmë meqë ish-Ministria e Administratës Publike është shuar në Ministrisë e Punëve të Brendshme, është përgjegjësi e MPB-së që t’iu jep në shfrytëzim vetuat për KQZ-në".
"Ju njoftomë se këto vetura janë dhënë në shfrytëzim me miratimin e Sekretarit të Përgjithshëm të MPB-së, z. Lulzim Ejupi", thuhet në njoftimin e kësaj ministrie, transmeton Klan Kosova.
? 13:03
Podujevë: Fotografoi votën, shoqërohet për në polici një person
Në komunën e Podujevës sot janë duke u mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme për kreytar komune.
Një votues dyshohet se ka fotografuar votën e tij në shkollën “Isa Boletini”, me ç’rast është shoqëruar nga policia, njofton Klan Kosova.
Rastin për klankosova.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinë, Agron Borovci.
“Policia e ka marrë një thirrje telefonike nga kryesuesja e komisionit zgjedhor në shkollën “Isa Boletini” se një person ka fotografuar votën e tij”.
“Menjëherë në vendin e ngjarjes ka dalë policia me ç’rast personi i dyshuar është përcjell për në stacionin policor në Podujevë për të verifikuar këtë gjë”, deklaroi Borovci.
? 12:36
Voton Saranda Bogujevci, thotë se procesi deri tani ka shkuar në rregull
Deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci, ka votuar sot në shkollën”Isa Boletini” në Podujevë.
Bogujevci ka thënë se procesi i votimit deri tani ka shkuar në rregull gjatë këtyre zgjedhjeve për kryetar komune, njofton Klan Kosova.
? 12:39
PDK në Podujevë: LDK dhe LVV po bëjnë presion ndaj votuesve
Rafet Llapashtica nga Dega e Partisë Demokratikë të Kosovës në Podujevë, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës është duke u bërë presion votuesve llapjan në të drejtën e tyre për të votuar.
“Kemi parë vëzhgues që bartin numrat dhe logot e partive të LDK-së dhe VV-së nëpër vendvotime të ndryshme. Po ashtu, persona të pautorizuar të këtyre dy partive po qëndrojnë edhe brenda vendvotimeve duke frikësuar kështu qytetarët llapjanë që të votojnë.”, ka thënë Llapashtica.
Llapashtica ka thënë se janë duke u shfrytëzuar veturat zyrtare nga ana e LDK-së.
? 11:45
KQZ: Nuk ka ndonjë parregullësi gjatë votimit deri tani
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Dakaj ka mbajtur konferencën e dytë, duke bërë të ditur ecurinë e votimeve gjatë ditës së sotme në komunën e Podujevës dhe Mitrovicën e Veriut.
Dakaj në një konferencë për media tha se deri më tani nuk ka pasur ndonjë lajmërim për parregullësi gjatë votimit, njofton Klan Kosova
“Ju njoftoj se deri në këto momente që po flasim, procesi zgjedhor në këto dy komuna është duke u zhvilluar normalisht dhe nuk ka pasur deri më tani ndonjë lajmërim për parregullësi gjatë votimit”.
“Duke u mbështetur në të dhënat e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën e Podujevës, deri në orën 11:00 kanë votuar 8.27% e votuesve apo 7 mijë e 223 votues nga 87 mijë e 381 sa është numri i përgjithshëm i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën orë kishin votuar 7 mijë e 658 votues apo 9.1%”.
“Ndërsa, në komunën e Mitrovicës së Veriut, deri në orën 11:00 kanë votuar 12.62% e votuesve apo 2 mijë e 942 votues nga 23 mijë e 313 votues sa është numri i tyre. Në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, deri në të njëjtën kohë kishin votuar 3 mijë e 324 votues apo 15.2%”, deklaroi Dakaj.
? 11:29
Zgjedhjet në Podujevë: Voton Shpejtim Bulliqi
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka hedhur votën e tij.
Votimin ai e bëri në fshatin Llugë, ku edhe bëri thirrje për dalje më masive në zgjedhje.
" Ftoj gjithë qytetarët e komunës sonë që të dalin në mënyrë masovike në këto zgjedhje, ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre, të votojnë për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre”, tha ai.
? 11:08
VV: Vëzhguesi i LDK-së mban maskë me numrin e Nexhmi Rudarit
Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë ka akuzuar një vëzhgues të LDK-së se ka mbajtur në maskë numrin e kandidatit për kryetar komune, Nexhmi Rudarit.
Nga LVV me anë të një postimi në rrjetin social Facebook thonë se "Në shkollën Naim Frashëri të Podujevës, një vëzhgues nga radhët e LDK-së është parë duke mbajt maskën me numër të kandidatit për kryetar të kësaj komune, Nexhmi Rudari".
"Një sërë parregullsish të tilla janë evidentuar që në orët e para të mëngjesit, prej se ka filluar procesi zgjedhor. Sipas qytetarëve LDK po tejkalon të drejtat e përcaktuara me rregulloren e KQZ-së në mënyrë që të dal sa më mirë në rezultatin e këtyre zgjedhjeve".
? 10:42
Fetahu i PDK-së: Llapjanët të dalin në mënyrë sa më masive në këto zgjedhje
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Podujevës, Naim Fetahu, ka votuar sot në shkollën fillore “Esat Mekuli”, në fshatin Dobratin.
Pas hedhjes së votës së tij, Fetahu ka thënë se këto janë zgjedhjet më të rëndësishme për komunën e Podujevës dhe ka ftuar të gjithë llapjanët që të marrin pjesë në votim, njofton Klan Kosova.
“Zgjedhjet lokale janë më të rëndësishme se ato nacionale. Këto zgjedhje, na prekin direkt ne që jetojmë në këtë komunë. Janë zgjedhje për mirëqenien tonë, për punësimin e qytetarëve tanë, për përmirësimin e kushteve për mësimdhënësit tanë e mbështetjen e sipërmarrësve".
"Prandaj, unë ftoj të gjitha këto kategori, të gjithë qytetarët llapjanë, që sot të dalin në mënyrë sa më masive në zgjedhje”, ka thënë Fetahu.
? 10:34
VV në Podujevë: Vëzhguesi jonë është ndaluar t'a bëjë punën, organet kompetente të merren me rastin
Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë thotë se menaxheri i qendrës së votimit 1830 në Metehi ka ndaluar vëzhguesin e Vetëvendosjes që të kryejë detyrën e tij prej vëzhguesi.
Në njoftimin e degës së Vetëvendosjes në Podujevë thuhet se kjo është bërë pa ndonjë arsye, njofton Klan Kosova
"Menaxheri i Qendrës së Votimit në Metehi (1830e), e ndalon vëzhguesin e LV-së pa arsye dhe nuk e lejon të hyjë ta kryej detyrën që i është dhënë si vëzhgues. Lëvizja VETËVENDOSJE! fton organet kompetente të merren me rastin sa më parë" thuhet në njoftim.
? 10:21
Voton kandidati i PDK-së në Mitrovicë: Procesi i votimit duhet të jetë demokratik
Kandidati nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës për Mitrovicën e Veriut, Florent Azemi, ka votuar në qendrën e votimit në Lagjen e Boshnjakëve.
Azemi ka bërë thirrje që qytetarët të dalin të votojnë sa më shumë sot, njofton Klan Kosova.
“Ajo çka është me rëndësi është që ky proces të jetë i lirë dhe demokratik. Ky proces i votimit duhet të ketë vlera demokratike dhe evropiane”.
“Deri tani nuk kemi asnjë problem të raportuar, shpresojmë se çdo gjë do të shkojë mirë”, ka thënë Azemi.
? 10:07
Rudari nën shoqërinë e nipave të vegjël voton për Podujevën
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka hedhur votën e tij për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë.
Rudari nën shoqërimin e nipave të vegjël ka votuar në shkollën "Naim Frashëri" në Podujevë, njofton Klan Kosova.
Rudari u deklarua para mediave pas votimit ku falënderoi të gjithë qytetarët që po votojnë teksa apeloji që të gjithë të respektojnë masat anti-pandemi.
“Falënderoj komisionarët dhe vëzhguesit të cilët janë zgjuar herët për të siguruar një proces të rregullt zgjedhor. Sigurisht se sot është një ditë e jashtëzakonshme, sepse edhe situata është e jashtëzakonshme me COVID-19. Apeloj nga qytetarët që të kryejnë obligimin e tyre për të votuar, por të kujdesen edhe për veten, të mbajnë maskat dhe distancën”, u shpreh Rudari.
? 10:06
Rakiq thyen heshtjen zgjedhore, kërkon të votohet kandidati i Listës Serbe
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, u ka bërë thirrje qytetarëve të Mitrovicës së Veriut që të dalin të votojnë në zgjedhjet e sotme.
Ai para mediave pas votimit ka thënë se banorët e asaj ane duhet të votojnë për kandidatin e Listës Serbe, Milan Radojeviq.
“Qytetarët janë duke dalë të votojnë të bashkuar. Ftoj qytetarët e komunës së Mitrovicës së Veriut që të dalin të votojnë duke respektuar masat kundër COVID-19 dhe duhet ta votojnë kandidatin e Listës Serbe”, ka deklaruar Rakiq.
?09:32
Voton kandidati i VV-së në Mitrovicë: Procesi ka shkuar mirë deri më tani
Ekrem Atiq, kandidati për kryetar komune në Mitrovicën e Veriut nga Vetëvendosje, ka votur sot në njërën nga qendrat e votimit.
Ai para mediave ka deklaruar se deri tani procesi zgjedhor ka shkuar mirë, njofton Klan Kosova.
“Sapo e kreva procesin e votimit. Pres rezultate të mira, procesi ka shkuar mirë deri më tani".
"Kemi një pasur një problem, ka pasur tendencë për të ndaluar vëzhguesit në Qendra të Votimit, por kjo është kryer me intervencë nga KQZ. Presim sukses”, ka thënë Atiq.
?09:17
Prokurori i Shtetit po e përcjell procesin zgjedhor në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut
Prokurori i Shtetit bën të ditur se është duke përcjellë me vëmendje procesin zgjedhor i cili po zhvillohet sot, për kryetarë të dy komunave, në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut.
Në njoftimin e dërguar nga Prokurori thuhet që nga ora shtatë e mëngjesit të sotëm, janë të angazhuar prokurorë kujdestarë, të cilët do të përcjellin për së afërmi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në zgjedhjet lokale, në Podujevë dhe në Mitrovicë të Veriut, transmeton Klan Kosova.
"Prokurorët kujdestarë janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit".
"Prokurori i Shtetit, me qëllim të parandalimit të çdo shkelje që lidhet me të drejtën e votës, fton qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile, të bashkëpunojnë dhe raportojnë te Policia dhe Prokuroria të gjitha pretendimet për keqpërdorim të votës", thuhet në njoftim.
?08:45
Votojnë Igor Simiq dhe Goran Rakiq
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Administratës dhe Pushtetit Lokal, njëherësh edhe kryetar i Listës Serbe, Goran Rakiq, bashkë me nënkryetarin e këtij subjekti, Igor Simiq, kanë votuar në mëngjesin e sotëm, në njërën nga qendrat e votimit në Mitrovicë të Veriut.
Bashkë me ata për të votuar ishte edhe kandidati për kryetar komune në këtë qytet, Milan Radojeviq.
Atje janë shtatë qendra të votimit me gjithsej 27 vendvotime, ku të drejt vote kanë 23,313 qytetarë, njofton Klan Kosova.
Mitrovica e Veriut është pa kryetar komune që nga muaji qershor, kjo pasi ish-kryetari i kësaj komune Goran Rakiq, është emëruar zëvendëskryeministër dhe ministër i Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës.
Kandidatë për kryetar komune atje janë Milan Radojeviq nga Lista Serbe, Florent Azemi PDK, Erden Atiq VV dhe Dushan Millunoviq kandidat i pavarur.
?08:22
Dimitroviq: Procesi i votimit ka nisur me kohë në veri, qytetarët po respektojnë masat anti-covid
Kryetari i KQZ-së në veri të Mitrovicës, Sllobodan Dimitroviq, ka deklaruar se në këtë komunë janë marrë të gjitha masat për një mbarëvajtje të rregullt të zgjedhjeve dhe qytetarët janë duke i respektuar masat anti-covid, duke bartur maskat mbrojtëse dhe dorëzat.
Ai tha se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë.
“Në Mitrovicë të veriut në ora 7:00, janë hapur të gjitha qendrat e votimit me kohë, janë gjithsej 7 qendra 27 vendvotime, dhe të drejtën e votimit e kanë 23.313 Janë marrë të gjitha masat dhe qytetarët janë duke i respektuar ato, do me thënë ata bartin maskat mbrojtëse, dorezat dhe deri tash gjithçka është në rregull”, ka thënë ai.
Kurse, njëri nga qytetarët, Dragon Radojanoviq, pas votimit tha se presin që pas këtyre zgjedhjeve të bëhet më mirë.
“Presim nga këto zgjedhje që të bëhet më mirë”, tha ai./KP/
?08:12
KQZ: Të gjitha qendrat e votimit në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut janë hapur me kohë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) bën të ditur se në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut të gjitha qendrat e votimit janë hapur në kohën e planifikuar dhe të përcaktuar me ligj.
KQZ kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për zbatimin e masave mbrojtëse sipas rekomandimeve të institucioneve shëndetësore.
"Sot në dy komunat e Republikës së Kosovës, Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetarin e tyre. Sipas raportimeve nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve nga këto dy komuna, të gjitha qendrat e votimit janë hapur në kohën e planifikuar dhe të përcaktuar me ligj".
"Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për zbatimin e masave mbrojtëse sipas rekomandimeve të institucioneve shëndetësore", ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës për media në KQZ.
?07:50
Mitrovicë e Veriut: Voton kandidati i Listës Serbe, Milan Radojeviq
Kandidati i Listës Serbe për kryetar të Komunës në Mitrovicën e Veriut, Milan Radojeviq, ka votuar në njërën nga qendrat e votimit.
Radojeviq ka votuar në orën e parë të mëngjesit, pos tij, kandidatët tjerë për kryetar komune janë edhe Florent Azemi i PDK-së, Erden Atiq i VV -së dhe Dushan Millunoviq, kandidat i pavarur, njofton Klan Kosova.
?07:07
Mitrovicë e Veriut, fillon procesi i votimit
Në Mitrovicën Veriore ka filluar të zhvillohet procesi i votimit për zgjedhjet për kryetar komune.
Në këtë komunë janë shtatë qendra të votimit me gjithsej 27 vendvotime, ku të drejt vote kanë 23,313 qytetarë, njofton Klan Kosova.
?07:05
Hapen qendrat e votimit në Podujevë
Në qytetin e Podujevës kanë filluar të mbahen zgjedhjet për kryetar të komunës, atje janë hapur qendrat e votimit me kohë.
Në këtë komunë janë 45 qendra të votimit me gjithsej 115 vendvotime, ku të drejt vote kanë 87,381 persona, njofton Klan Kosova.
Kandidatë për kryetar komune janë Naim Fetahu i PDK-së, Nexhmi Rudari i LDK-së dhe Shpejtim Bulliqi i LVV-së.
?07:00
Sot mbahen zgjedhjet në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut
Në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut sot do të mbahen zgjedhjet për kryetar të komunës.
87,381 llapjanë kanë të drejtë vote në 45 qendra të votimit me 115 vendvotime.
Ndërsa, në Mitrovicën e Veriut janë shtatë qendra të votimit me gjithsej 27 vendvotime, ku të drejt vote kanë 23,313 qytetarë, njofton Klan Kosova.
Procesi i votimit do të përfundojë në ora 19:00.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë janë duke u mbajtur për shkak se ish-kryetari i kësaj komune, Agim Veliu, është emëruar ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës.
Ky qytet është pa kryetar komune që nga muaji qershor, ku ushtrues detyre i kryetarit ishte Nexhmi Rudari nga LDK-ja.
Kandidatë për kryetar të komune janë Naim Fetahu i PDK-së, Nexhmi Rudari i LDK-së dhe Shpejtim Bulliqi i LVV-së.
Po ashtu edhe Mitrovica e Veriut është pa kryetar komune që nga muaji qershor, kjo pasi ish-kryetari i kësaj komune Goran Rakiq, është emëruar zëvendëskryeministër dhe ministër i Administratës dhe Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës.
Kandidatë për kryetar komune atje janë Milan Radojeviq nga Lista Serbe, Florent Azemi PDK, Erden Atiq VV dhe Dushan Millunoviq kandidat i pavarur.
Liridona Gashi, Njomza Pllana, Shkurte Zajmi