11:29 - Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, mbrojtja paraqet shqetësime lidhur me zhvillimin e seancave të mbyllura
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në seancën e së enjtes, në gjykmin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, mbrojtja e të akuzuarve ka shfaqur disa shqetësime lidhur me zhvillimin e procedurave në seanca të mbyllura.
Këtë shqetësim, e ka paraqitur për palët, mbrojtësi i Hashim Thaçit, avokati Gregory Kehoe.
Ai tha se për shkak të urdhrit të trupit gjykues të seancës së 17 majit për zhvillimin e procedurave për seanca private apo mbyllura, dëshirojnë të paraqesin disa vështirësi, duke thënë se të njëjtit kanë kundërshtuar të gjitha masat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) edhe për masa mbrojtëse.
“Dua të tërheq vëmendjen që jo vetëm e kundërshtojmë, po kemi shqetësime praktike për ndjekjen e praktikës së ZPS-së’’, tha ai.
Sipas tij, ZPS ka mundësinë të dalin dhe të futen në seancë private sa herë që e shohin të nevojshme dhe për ta si mbrojtje paraqet vështirësi që të kalojnë sa në një pyetje në pyetjen tjetër.
Tutje, ai tha se kjo vështirësi do vlerësohet edhe për shkak se edhe dy dëshmitarët e tjerë me radhë kanë masa të mëdha mbrojtëse.
Sipas tij, kjo shkakton vështirësi që publiku të kuptojë se çfarë pyesin pasi që sipas Kehoe, procedura është shumë më e vështirë nga ana e tyre sesa nga ana e Prokurorisë.
Lidhur me këtë, është deklaruar edhe ZPS duke thënë se shqetësimet kryesore nuk vijnë nga ata, por nga frikësimi i dëshmitarëve dhe se kjo nuk është diçka që mund të parandalohet nga ta.
Sipas ZPS-së, Prokuroria ka rast që ka kërkuar që seanca të bëhet publike, por është kundërshtuar nga mbrojtja.
E që, avokati Kehoe reagoi duke thënë se ata nuk pajtohen me këtë qëndrim, pasi që të njëjtit këtë praktikë e kundërshtojnë me vite dhe shtoi se ‘‘ne duam t’i zhvillojmë në seancë të hapur’’.
Por, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Charles Smith tha se urdhri nuk është bërë për të fajësuar dikë, por që nëse kjo nuk arrihet nga palët, do të bëjnë vetë si trupi gjykues.
Seanca është duke vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të pestë (me kodin 3165) në këtë çështje./BetimipërDrejtësi
11:22 - Dëshmitari i pestë në Hagë pyetet për kohën kur u bë pjesë e UÇK-së
Dëshmitari i pestë në Hagë i cili po vazhdon dëshminë e tij ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, ka deklaruar se u bë pjesë e UÇK-së në korrik të vitit 1998.
I pyetur nga mbrojtësi Hashim Thaçit, Albert Moskowitz, se a i ishte dhënë ndonjë mjet identifikimi për këtë siç e quajti ai anëtarësim, dëshmitari u përgjigj se jo.
Ai gjithashtu u pyet për uniformën, duke dhënë se e ka blerë vet, përcjell Klankosova.tv.
"Unë jam bërë në ora 2 të natës atë natë, kurse të nesërmen i ka marrë shënimet komandanti që ka qenë aty. Nuk më kanë dhënë. Uniformën e kisha ble vet, s'ka pas në atë kohë, është dashtë me e ble dhe është dashur të blehet materiali kamufllazh dhe e kemi paguar për ta bërë veshje ushtarake. Në atë kohë blejshim copa dhe i qepshim. Armën e pata marrë nga një bashkëfshatar", është shprehur Dëshmitari i pestë.
11:04 - Dëshmitari 5 thotë se anëtarë të UÇK-së morën të afërmit e tij: Desha të di pse i morën
Dëshmitari i pestë në Hagë po vazhdon dëshminë e tij ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Ai dje kishte deklaruar se anëtarë të UÇK-së ia kanë marrë të afërmit e tij, derisa prokurorja sot ka vazhduar me pyetje në lidhje me këtë dëshmi të tij, përcjell Klankosova.tv.
I pyetur nga prokuroria se a i shkoi ai prapa pasi siç tha ai, anëtarë të UÇK-së ia morën të afërmit e tij, ai u përgjigj se po, ka shkuar.
Dëshmitari pesë u shpreh se këtë veprim e bëri për të kuptuar se siç i shpreh ai, pse i morën ata.
"Me këqyr çka u bo, pse i morën", u shpreh ai.
10:42 - Vazhdon gjykimi në Hagë ndaj Thaçit dhe të tjerëve, seanca sërish në mënyrë private (VIDEO)
Po vazhdon edhe sot gjykimi në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit.
Sot po vazhdon dëshmia e dëshmitarit të pestë në këtë gjykim, përcjell Klankosova.tv.
Ndryshe, marrja në pyetje e dëshmitarit të pestë ka filluar dje.
Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.
BONUS: Merreni aplikacionin tonë në
Android dhe
iOS.
https://www.youtube.com/watch?v=b2F_NKlBTzQ