Seanca e sotme e gjyqit të madh në Hagë kundër katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ndodhet në fazën e fjalëve përfundimtare ka nisur me 40 minuta vonesë.
Kjo ditë pritet të jetë mjaft e ngjeshur, pasi fillimisht do të vazhdojë mbrojtja e Jakup Krasniqit, për pjesën tjetër të kundërshtimeve ndaj pretendimeve të ZPS-së.
Ndërsa pjesa e pasdites do të jetë e dedikuar për kundërpërgjigjet e Prokurorisë së Specializuar ndaj mbrojtjes dhe pyetjeve e trupit gjykues.
Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.
12:17 - Përfundon fjalën mbrojtja e Jakup Krasniqit: Të shpallet i pafajshëm!

Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra ka deklaruar edhe një herë se ish-kreu i UÇK-së duhet të shpallet i pafajshëm.
Ajo tha se Krasniqi nuk është përgjegjës për vuajtjen e popullsisë civile, transmeton Klankosova.tv.
“Kur fillon një gjykim në të njëjtën çështje dhe përfundon në të njëjtin vend, ligji lejon vetëm një rezultat, shpalljen e pafajësisë për të gjitha akuzat. Mbrojtja drejtohet në mënyrë të drejtpërdrejt dhe pa rezervë, nuk kërkohet zvogëlimi i vuajtjes së civilëve, por vuajtja sado e rëndë që të jetë, duhet të iu atribuohet atyre që janë përgjegjës në mënyrë penale dhe kriminale. Qëndrimi i mbrojtjes është i qartë, Jakup Krasniqi nuk është përgjegjës për vuajtjen e përshkruar në këtë proces, provat nuk vërtetojnë se urdhëroi, inkurajoi apo mbështeti, apo kishte synim në kryerjen e krimeve ndaj civilëve. Në të kundërtën, Krasniqi artikuloi nevojën për të mbrojtur civilët, shqiptarë apo serbë”, tha avokatja.
Ndryshe, mbrojtja e Krasniqi me këtë deklaratë, përmbylli fjalët përfundimtare në rastin Thaçi dhe të tjerët.
12:08 - Alagendra ia përplas në fytyrë ZPS-së: Krasniqi s’është Millosheviq, Jakupi ka dashur paqen!
Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra ka marrë edhe një herë fjalën në deklaratat përmbyllëse në gjyqin e madh në rastin Thaçi dhe të tjerët.
Ajo tha se Jakup Krasniqi ka paguar shtrenjtë për kundërshtimin e tij ndaj regjimit serb, teksa shtoi se ai është krenar për këtë gjë, transmeton Klankosova.tv.
Pos tjerash, Alagendra shtoi se Jakup Krasniqi nuk është si ‘kasapi i Ballkanit’ Sllobodan Millosheviqi, sipas saj, ai ka pasur vullnet për të gjetur zgjidhje paqësore.
“Për aktivizmin e tij, Jakup Krasniqi e pagoi shtrenjtë. Ai ka kaluar 10 vjet si i burgosur politik nga viti 81-91’, ku ka pësuar torturë dhe trajtim të rëndë në kushte të tmerrshme në duart e autoriteteve jugosllave. Ai është kundërshtar i kohës së gjatë i regjimit serb dhe është krenar për këtë, jo për urrejtje ndaj serbëve, pro kundërshtonte politikat kundër shqiptarëve të Kosovës”, tha Alagendra.
“Jakup Krasniqi është ndryshe, nuk është i njëjtë si Millosheviqi, apo si të tillë. Të nderuar gjykatës mos më besoni mua, por dëshmitarë vendorë e ndërkombëtarë kanë peshuar zotëri Krasniqin si të moderuar. Atyre ju kujtohet dëshira dhe vullneti i tij për t’u angazhuar në mënyrë kolaborative dhe për të gjetur zgjidhje paqësore. Dhe ajo që është më e rëndësishmja, asnjë dëshmitarë nuk ka dëshmuar se zotëri Krasniqi perceptohej si i përfshirë në krime apo plan kriminal. Përndryshe, pretendimet nuk janë besuar”, tha avokatja.
12:00 - Avokati e përfundon deklaratën me fjalët e Byrnes: “E ndjeja njerzillëkun e Krasniqit, e donte paqen”
Mbrojtja e Jakup Krasniqit po vazhdon me paraqitjen e fjalëve përmbyllëse në gjyqin e madh ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Avokati Aiden Ellis u shpreh se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka prova që Krasniqi ka ushtruar autoritetin e tij, siç pretendohet, për të kryer arrestime apo ndalime, transmeton Klankosova.tv.
“[Prokuroria] pretendon në mënyrë të pabazuar sipas nesh, që Jakup Krasniqi ka ushtruar autoritetin e vet për arrestimin dhe ndalimin e Blerim Kuqit. Prokuroria e di që këto pretendime, këto akuza nuk i ka provuar, kështu që është munduar të largohet nga to me argumentet me gojë”, tha Ellis.
“Prokuroria as nuk ka prova që Kuqi është arrestuar në praninë e Krasniqit, dhe sipas parashtrimeve tona, për barrën e provës në këtë çështje ia vlen të shkruhet një libër të tërë. Prokuroria nuk ka thirrur asnjë person që ka qenë prezent në momentin e arrestimit”, tha Ellis.
Ai shtoi se para mbrojtjes, sipas tij, kanë lindur dyshime mbi dëshmitë e ZPS-së.
Para trupit gjykues, Ellis po ashtu tha se forcat serbe kanë shkatërruar disa zona të Kosovës, teksa shtoi se Kuqi mund të jetë arrestuar për shkak të dezertimit.
Fjalën e tij ai e përfundoi me fjalët e një dëshmitari ndërkombëtar, Shaun Byrnes.
“Unë e ndjeja njerzillëkun dhe seriozitetin e tij, ai ishte në thelb një burrë që e donte paqen”, u shpreh Ellis.
11:56 - Beqiri: Qëllimi i përbashkët i UÇK-së ishte çlirimi i Kosovës
Avokati shqiptar, Mentor Beqiri ka thënë se është habitëse se si Prokuroria kërkon nga 45 vjet burgim për secilin nga ish-krerët e UÇK-së, por që për gjeneralët serbë dha dënim me nga 15 vjet.
“Prokuroria habit kur kërkon dënim prej 45 vjet burgim, më shumë se dyfishi që iu dha udhëheqësve serbë. Çdo vlerësim i objektivave të UÇK-së që shpërfill këtë mospërputhje është e paplotë dhe nga pikëpamja analitike, e pavend. Trupi gjykues nuk mund të gjykojë në mënyrë të duhur dhe të drejtë objektivat e UÇK-së, strukturën, veprimet, të izoluara dhe pa marr parasysh kushtet që çuan në krijimin e saj. Rezistenca e armatosur nuk u krijua përpara shtypjes, por pas shtypjes. Mbrojtja tregon se UÇK-ja lindi vetëm pas vitesh diskriminimi në rritje të dhunës dhe heqjes të plotë të mbrojtjeve institucionale dhe ligjore për shqiptarët e Kosovës”, tha Beqiri, raporton Klankosova.tv.
Ai përmendi masat e regjimit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës, që sipas Beqirit, ishin pjesë e një politike diskriminuese serbe.
“Në këtë kontekst, provat vërtetojnë se qëllimi i përbashkët i UÇK-së ishte çlirimi i Kosovës nga forcat serbe dhe mbrojtja e popullsisë civile. Asnjëra nga këto qëllime ligjërisht apo faktikisht nuk përmban objektiv kriminal. Në të kundërtën, akterë ndërkombëtarë pranuan se UÇK-ja lindi nga popullsia e cila pësonte shtypje, dhe jo që kërkonte marrjen e pushtetit politik në mënyrë të paligjshme”, tha avokati shqiptar.
11:42 - Avokati shqiptar e thotë në Hagë: UÇK-ja u themelua si lëvizje mbrojtëse, jo për pushtet

Avokati shqiptar, Mentor Beqiri, ka marrë fjalën në deklaratat përmbyllëse në gjyqin e madh ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Para trupit gjykues, Beqiri tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës u themelua si përgjigje ndaj kërcimit ekzistencial dhe të menjëhershëm me të cilin përballeshin shqiptarët e Kosovës nga forcat serbe, transmeton klankosova.tv.
“Pretendimi se zotëri Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ndanin qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontroll në të gjithë Kosovën përmes kryerjes së krimeve, nuk qëndron kur analizohen të gjitha provat. Provat që dëgjuam në këtë çështje treguan se UÇK-ja nuk u krijua si organizatë për marrjen e pushtetit, ajo u ngrit si një lëvizje mbrojtëse e krijuar në përgjigje ndaj kërcimit ekzistencial dhe të menjëhershëm me të cilin përballeshin shqiptarët e Kosovës, të cilët pësonin shtypjen e gjerë dhe dhunën nga forcat serbe”, tha ai.
11:13 - Mbrojtja akuzon Prokurorinë për shtrembërim të situatës që Krasniqin ta bëjë ‘përgjegjës të krimeve’

Aidan Ellis, avokati i Jakup Krasniqit ka qenë i qartë gjatë paraqitjes së fjalëve përfundimtare në gjyqin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Ai ishte i drejtpërdrejt para trupit gjykues se Krasniqi nuk ka asnjë lidhje me akuzat që Prokuroria e Specializuar i rëndon atij, transmeton Klankosova.tv.
Ellis deklaroi se ZPS nuk ka asnjë provë që Jakup Krasniqi ka qenë i përfshirë në arrestime dhe keqtrajtime, përkundrazi, sipas avokatit, ish-kreu i UÇK-së tentoi të zgjidhte çështjen e vendeve të ndalimit.
Po ashtu, ai tha se Prokuroria e Specializuar nuk mundet ta shtrembërojë situatën që ta bëjë Krasniqin përgjegjës për kryerje të krimeve.
“Nuk ka asnjë provë nga Prokuroria që zotëri Krasniqi ka qenë i përfshirë në arrestime, të ketë qenë i përfshirë në keqtrajtime, dhe nuk tregon që ai ka trajtuar këto raste. Ai është një person se kur ka mësuar për vendet e ndalimeve, është përpjekur ta zgjidh këtë gjë, dhe sipas nesh, kjo nuk tregon që ai ka kryer krime. Prandaj, Prokuroria nuk mund ta shtrembërojë situatën që ta bëjë zotëri Krasniqin përgjegjës për kryerjen e krimeve”, tha Ellis.
11:01 - Mbrojtja e prerë me ZPS-në: S’keni asnjë provë që Jakup Krasniqi ka vizituar vendet e ndalimit

Mbrojtja e Jakup Krasniqit po vazhdon me paraqitjen deklaratave përmbyllëse në gjyqin e madh ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Avokati Aidan Ellis, tha se Prokuroria e Specializuar nuk ka dhënë asnjë provë apo dëshmi që Jakup Krasniqi ka qenë në 50 vendet e ndalimit, ashtu siç pretendon ZPS, transmeton Klankosova.tv.
“Të hënën dëgjuam Prokurorinë kur tha se ka pasur më shumë se 50 vende ndalimi për të cilat janë ngritur akuza në aktakuzë. Për shumicën e këtyre vendeve nuk ka asnjë provë që Jakup Krasniqi t’i ketë vizituar këto vende në kohën konkrete apo të ketë pasur dijeni për ndonjë krim që mund të jetë kryer atje. Nuk është dhënë asnjë dëshmi, asnjë provë që zotëri Krasniqi të ketë qenë në këto vende, përfhsirë Drenocin, Budakovën, Jeshkovëm,. Dobratin, Qirezin, Bubël, Zllashë, Verbanin edhe disa vende në Prizren, Gllanasellën, Novosellë e Ulët, Gjilanin, Suharekën, Novobërdën dhe të tjera”, tha ai.
Po ashtu, Ellis shtoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk e ka shpjeguar sesi mund të vërtetojë lidhjen e Krasniqit me këto vende ndalimi.
“As nuk e ka shpjeguar Prokuroria se si mund ta vërtetojë lidhjen mes personit në fjalë dhe vizitave në vendin e ndalimit. Edhe të hënën kur Prokuroria theksoi disa vende të tjera, kjo nuk do të thotë se aty ka qenë zotëri Krasniqi”, u shpreh avokati.
10:53 - Avokati: ZPS gabimisht po përpiqet të lidh praninë e Krasniqit në vendet ku thotë se janë kryer krime
Avokati i Jakup Krasniqit, Aidan Ellis po paraqet fjalët përmbyllëse në gjyqin e madh ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
“Kryerja e krimeve nga anëtarë të policisë ushtarake, nuk është provë sipas nesh, që zotëri Krasniqi të ketë luajtur rol në këtë rregullore, dhe që ky rol të ketë pasur kontribut të konsiderueshëm në kryerjen e krimeve”, tha Ellis.
Nga ana tjetër, avokati tha se Prokuroria e Specializuar, në dosjen përfundimtare, sipas tij, në mënyrë të gabuar përpiqet të lidh praninë e Krasniqit në disa vende krimesh të pretenduara, me krimet e kryera.
“Pa dhënë një dëshmi të vetme, apo provë të vetme nëse prania e tij ka kontribuar në ndonjë mënyrë në kryerjen e krimeve”, shtoi ai.