Lajmet e fundit

13:45 - Hapet e pamja për gruan e vrarë mbrëmë, familjarët tregojnë se ajo ishte kërcënuar (FOTO)
Është hapur e pamja për gruan që dyshohet se u vra nga ish-bashkëshorti i saj para Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK.
Familjarët për Klan Kosovën kanë vërë të ditur se varrimi nuk do të bëhet sot, pasi ende nuk e kanë marrë trupin e saj të pajetë.
Sipas të njëjtëve, tashmë e ndjera është kërcënuar vazhdimisht nga i dyshuari.
Ata për Klan Kosovën kanë thënë se kjo ka ndodhur edhe pas shtrirjes së saj në spital, ku sipas tyre, ai ka qëndruar para Klinikës së Gjinekologjisë.
12:58 - Prokuroria thotë se realizimi i urdhrit mbrojtës ishte në kompetencë e policisë
Vrasja e gruas shtatzënë që ndodhi mbrëmë në oborrin e QKUK-së ka tronditur të gjithë në Kosovë.
Dyshohet se 35 vjeçarja është vrarë nga ish-burri i saj.
E viktima kishte urdhër të mbrojtjes.
Me këtë rast Prokuroria Themelore e Ferizajt ka deklaruar se realizimi i urdhrit mbrojtës ka qenë në kompetencë të policisë.
Prokuroria thekson se i ka marrë të gjitha masat e nevojshme të parapara me ligj.
“Ky urdhër i është dorëzuar Qendrës për Punë Sociale në Lipjan dhe Policisë së Kosovës – Stacionit Policor në Lipjan dhe në bazë të këtij vendimi, kompetent për zbatimin e urdhrit mbrojtës ka qenë Policia e Kosovës. Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bazë të autorizimeve të saj i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit lidhur më këtë çështje penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Ferizajt përcjell Klankosova.tv
12:38 - Abdixhiku, Kurtit për vrasjen e gruas shtatzënë: Merr masa, vepro
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas rastit tragjik që ndodhi mbrëmë ku një grua shtatzënë dyshohet se u vra nga ish-bashkëshorti i tij.
Ai tha se shteti i udhëhequr nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka rënë në çdo drejtim.
Abdixhiku ka kërkuar nga Kurti masa dhe veprime konkrete lidhur me rastin.
“Një grua shtatzënë kishte urdhër mbrojtje. Shteti i udhëhequr nga ai, ka rënë në çdo drejtim”, tha Abdixhiku.
“Përgjegjësi kërko Kryeministër! Merr masa, vepro”- tha ai.
12:27 - Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për kapjen e të dyshuarit për vrasjen e shtatzënës
Njësiti i hetimeve të përgjithshme që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, me autorizim nga prokuroria kompetente, kërkon ndihmë nga qytetarët në ofrimin e informatave, të cilat do të ndihmonin në arrestimin e personit të dyshuar për vrasjen e gruas shtatzënë në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK.
I dyshuari Sokol Halili, i lindur më 07.05.1991 nga fshati Godancë i Shtimes, kërkohet për vrasjen e rëndë që ka ndodhur me 30.11.2022, në Prishtinë, njofton Klan Kosova.
“Të nderuar, për çdo informatë që mund të çojë në identifikimin e vendndodhjes së personit të dyshuar kontaktoni policinë në numrin e telefonit: 192”.
12:22 - Haradinaj për vrasjen e gruas shtatzënë: Kurti bashkëpjesëmarrës në krim
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, ka bërë sërish një reagim për rastin e vrasjes së gruas 35 vjeçare e cila ishte shtatzënë.
Ai tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është bashkëpjesëmarrës në këtë krim.
Haradinaj tha se Kurti e ka defunksionalizuar sistemin e dretësisë.
“Një kryeministër që e defunksionalizon sistemin e drejtësisë në shtet duke i përgjysmuar pagat e gjyqtarëve e prokurorëve, që i poshtëron policët, i lë të leckosur e me paga mizërie, që i detyron mjekët ta braktisin punën e vendin sepse nuk mund të jetojnë nga puna e tyre, që e rrezikon funksionalitetin e sistemit shkollor duke i shtyrë mësuesit të hyjnë në grevë për më shumë se një muaj, që vendin e shndërron në gogol të komunitetit ndërkombëtar…ai me ose pa vetëdije është shndërruar në bashkëpjesëmarrës edhe në krimet makabre që po ndodhin përditë”, tha Haradinaj.
Ai tha se ka qenë i pari që e ka quajtur Albin Kurtin mashtrues dhe se të gjithë ata që e kanë kritikuar kanë rënë në fjalët e tij.
12:11 - Shefi i BE-së në Kosovë: Jam i tmerruar nga vrasja e mbrëmshme
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian Tomasz Szunyog, ka thënë se është i tronditur nga vrasja e gruas shtatzënë cila ndodhi mbrëmë në oborrin e QKUK-së.
Szunyog tha se është rasti i dytë i vrasjes ku viktima është grua, dhe e gjithë kjo po ndodh brenda pak ditësh.
“Jam i tmerruar nga vrasja e mbrëmshme e një gruaje dhe fëmijës së saj të palindur. Ajo ishte gruaja e dytë e vrarë që nga fillimi i fushatës 16 Ditë të Aktivizmit kundër dhunës ndaj grave. Kjo është e papranueshme! Ngushëllimet e mia për familjet dhe mbështetjen e plotë për marshin e organizuar sot nga OSHC-të e grave”, tha ai.
10:23 - Rasti i gruas shtatzënë që u vra mbrëmë: I dyshuari kishte aktakuzë për kanosje
Një grua mbrëmë u vra në oborrin e QKUK-së.
Dyshohet se ajo u vra nga ish-bashkëshorti.
Në media u raportua se ata ishin në prag të divorcit dhe se kishte urdhër të mbrojtjes nga gjykata.
E lidhur me rastin është deklaruar Gjykata Themelore e Ferizajt.
Në njoftimin për media kjo gjykatë ka shpjeguar në detaje se si e ka trajtuar rastin e tyre.
“Gjykata pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit të kërkesës së urdhrit mbrojtës, me datë 13.09.2022 ka lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtje me të cilën ka aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtje të palës së mbrojtur dhe palës përgjegjëse i ka shqiptuar masat mbrojtëse sipas nenit 5 dhe 6 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje, në kohëzgjatje prej gjashtë muajve duke filluar nga data 13.09.2022 deri më datë 13.03.2022. Ky aktvendim i është dorëzuar palëve dhe atë palës përgjegjëse, mbrojtësit të tij, palës së mbrojtur, mbrojtësit të viktimave, QPS –Lipjan si dhe Stacioni Policor në Lipjan i cili është urdhëruar që ta bëjë zbatimin e vendimit të urdhrit mbrojtës”, njofton Gjykata Themelore e Ferizajt përcjell Klankosova.tv
Gjykata thekson se i pandehuri S.H, ishte shpallur fajtor për armëmbajtje pa leje dhe ishte dënuar me gjobë.
Ndaj tij ishte ngritur edhe aktakuza për kanosje.
Njoftimi i plotë:
Gjykata deri më tani, nga të dhënat e nxjerra prej sistemit informativ për menaxhim të lëndëve SMIL, ka evidentuar disa të dhëna të cilat ju sjellim më poshtë:
Me datë 08.09.2022, nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë e Viktimave në Ferizaj, është paraqitur kërkesë për lëshimin e urdhrit mbrojtës ndaj palës përgjegjëse S.H. sipas nenit 13 dhe 14 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje.
Gjykata pas mbajtjes së seancës së shqyrtimit të kërkesës së urdhrit mbrojtës, me datë 13.09.2022 ka lëshuar aktvendimin për urdhër mbrojtje me të cilën ka aprovuar kërkesën për urdhër mbrojtje të palës së mbrojtur dhe palës përgjegjëse i ka shqiptuar masat mbrojtëse sipas nenit 5 dhe 6 të Ligjit për Mbrojtje nga dhuna në familje, në kohëzgjatje prej gjashtë muajve duke filluar nga data 13.09.2022 deri më datë 13.03.2022. Ky aktvendim i është dorëzuar palëve dhe atë palës përgjegjëse, mbrojtësit të tij, palës së mbrojtur, mbrojtësit të viktimave, QPS –Lipjan si dhe Stacioni Policor në Lipjan i cili është urdhëruar që ta bëjë zbatimin e vendimit të urdhrit mbrojtës.
Me datë 23.09.2022, me aktgjykimin e evidentuar si: 2022:174052, i pandehuri S.H. është shpallur fajtor për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së dhe i është shqiptuar dënim me gjobë.
Me datë 10.08.2022, Prokuroria Themelore në Ferizaj – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzën e evidentuar si: PP.II.nr,1066/2022, me të cilin ka akuzuar të pandehurin S.H. për veprën penale kanosja nga neni 181 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së, ndaj të dëmtuarës H.M. Me datë 07.09.2022 lidhur me këtë aktakuzë është caktuar dhe mbajtur shqyrtimi fillestar, me ç ‘rast i pandehuri S.H. ka deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet. Gjykata në afatin prej 30 ditëve konform nenit 245, 249 dhe 250 të KPP-së, i ka njoftuar të pandehurin dhe mbrojtësin e tij se mund të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave. Mbrojtësi i të pandehurit S.H. me datë 26.09.2022 ka paraqitur kërkesë për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave. Gjykata me datë 18.11.2022, ka marr aktvendim dhe ka refuzuar kërkesën e mbrojtësi të pandehurit për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave.
I dyshuari për vrasjen e gruas shtatzënë ende në arrati
I dyshuari për vrasjen e gruas shtatzënë është ende në arrati.
Kështu deklaroi për Klankosova.tv prokurori i rastit Ilaz Beqiri.
Beqiri tha se po punohet intensivisht për kapjen e tij.
“Ende nuk është arrestuar. Po punojmë intensivisht në kapjen e të dyshuarit. Trupit të pajetë të viktimës do t’i bëhet obduksioni. S’ka detaje të reja lidhur me rastin”, tha Beqiri për Klankosova.tv
Kjo vrasje ka tronditur mbrëmë të gjithë Kosovën duke shkaktuar reagime të mëdha.
Dyshohet se ajo u vra nga ish-bashkëshorti i saj.