12:17 - Përfundon seanca e përbashkët e Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë
Ka përfunduar seanca e përbashkët e Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.
Kjo seancë është mbylluar nga Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca dhe homologia e tij Lindita Nikolla.
"Sot e nisëm një praktikë të re të bashkëpunimit parlamentar mes kuvendeve tona dhe kjo mbledhje e parë e përbashkët e organizuar duke e shënuar dhe kremtuar 110 vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë është hap i sigurtë që të vazhdojmë edhe me thellimin e bashkëpunimit tonë në të ardhmën", është shprehur Konjufca.
"Mbledhjen e parë të përbashkët të dy kuvendeve, të Kuvendit të Shqipërisë dhe të Kosovës e deklarojë të mbyllur", është shprehur Nikolla.
12:16 - Rama përmend LDK-në, UÇK-në dhe Thaçin, si faktorë kryesorë për të tashmen
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalimin e tij në mbledhjen e dy kuvendeve, të Shqipërisë dhe Kosovës, ka përmendur LDK-në dhe UÇK-në, pa të cilët tha se nuk do të mund kuptohej ardhja deri në këtë ditë.
“Dy emra do të sjellë në vëmendje këtu, pa të cilët nuk mund të kuptohet sot, as ardhja deri në këtë ditë dhe as vazhdimësia përtej kësaj dite; Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe të dyja këto natyrisht lidhen me Ibrahim Rugovën, një i munguar i madh sot, pasi u nda nga jeta para kohe por me mision të kryer, dhe Hashim Thaçin, një tjetër i munguar sot në këtë sallë, i cili është i ndarë prej nesh përkohësisht, në një mision që vazhdon”, tha Rama, transmeton Klankosova.tv.
12:07 - Kurti-mërgimtarëve për 28 nëntor: Kjo ditë është edhe e juaja, e më së shumti e juaja
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalimin e mbajtur në seancën e përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, foli edhe për mërgimtarët.
Ai iu drejtua atyre duke thënë se 28 nëntori është "ditë është edhe e juaja, e më së shumti e juaja".
Kurti u shpreh se mërgimtarët janë mbështetja më e madhe ekonomike për vendet tona e për familjet e tyre.
"Sot është kremte, Dita e Flamurit, e nuk dëshirojë të flas gjatë për halle e probleme, por dua t'u dërgoj një mesazh të gjithë atyre që kanë marrë udhën gjithmonë të dhimbshme të kurbetit, kjo ditë është edhe e juaja, e më së shumti e juaja. Mërgimtarët janë mbështetja më e madhe ekonomike për vendet tona e për familjet e tyre, por edhe burim demokratizimi e kulture që ata e marrin në shoqëritë e zhvilluara ku shkojnë të jetojnë e të punojnë".
"E di se atje nuk po shkoni për qejf, por prej brengës, e di që ende s'kemi bërë mjaftueshëm që t'ua kthejmë besimin në institucione, në drejtësi, në shtet në politike, që ju ta mendoni rritjen e fëmijevë tuaj në atdheun tuaj si opsionin më të mirë. Por, iu garantojë se këtë betejë do ta bëjmë deri në fund e do ta fitojmë edhe me ndihmën tuaj", u shpreh tutje ai.
11:55 - Kurti në Kuvendin e Shqipërisë: Duhet të jemi më shpesh bashkë, jo vetëm në kremte
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur fjalimin e tij në seancën e përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.
Ai u shpreh se duhet të gëzohemi kur përfshihemi, siç tha ai, sa më shumë në çështjet publike të njëri-tjetrit.
"Duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në çështjet publike të njëri-tjetrit, jo për të penguar, por për të kontribuar. Hapësira jonë publike, politika, kultura e ekonomia, nuk janë çifligje të bllokuara me tapi, por e përbashkëta, kalaja ku e vëmë të gjithë nga një gurë", tha ai.
Kurti, tutje tha se duhet të jemi më shpesh bashkë dhe jo vetëm në kremte, përcjell Klankosova.tv.
"Na duhet të jemi më shpesh bashkë dhe jo vetëm në kremte, jo vetëm ne politikanë, na duhet të punojmë bashkë, të ndajmë ide me njëri-tjerin, t'i pranojmë kritikat njëri-tjetrit, pra të punojmë së bashku", u shpreh tutje ai.
11:37 - Kusari-Lila për seancën e përbashkët Kosovë-Shqipëri: Pamja më e bukur në botë
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila mbajti fjalimin e saj në seancën e përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë,
Ajo u shpreh se deputetët e të dyja kuvendeve, krijonin një pamje, siç tha ajo 'impozante'.
Kusari-Lila tha se ajo ishte "pamja më e bukur në botë", përcjell Klankosova.tv.
"Një pamje impozante, pamja më e bukur në botë. Kolegët e mi deri më tani nuk treguan peshën e emocionit të ndjejmë ne nga Kosova që kemi ardhur për të mbajtur fjalim nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë", u shpreh ajo.
11:34 - Alibeaj: PD do ta shoh Serbinë vetëm me sytë e Kosovës
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike në Shqipëri , Enkeljed Alibeaj, ka thënë se Partia Demokratike mbështet përpjekjet për dialog mes Kosovës dhe Serbisë, por se PD do ta shoh Serbinë vetëm me sytë e Kosovës.
“Ne jemi për paqe midis popullit serb dhe atij shqiptarë, por pa lëkundur mendojmë se të drejtën e kësaj shpalljeje e ka Kosova dhe populli i saj“, tha Alibeaj, transmeton Klankosova.tv.
Alibeaj tregoi se janë në pritje të shqyrtimit në seancë të projekt-rezolutës për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë.
“Qëndrimi ynë i palëkundur është se cfarë është mirë për Kosovën, është mirë edhe për Shqipërinë”, u shpreh ai.
11:27 - Gashi: Republika e Kosovës është një storie suksesi kombëtare e ndërkombëtare
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi mbajti fjalimin e tij në seancën e përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.
Ai është shprehur se Republika e Kosovës është një storie suksesi kombëtare e ndërkombëtare, përcjell Klankosova.tv.
Gashi tha se me përkrahjen e miqve kemi arritur të ndërtojmë një demokraci, siç u shpreh ai, të qëndrueshme.
"Republika e Kosovës është një storie suksesi kombëtare e ndërkombëtare, edhe pse jemi një shtet i ri, me përkrahjen e miqve tanë, ne kemi arritur të ndërtojmë një demokraci të qëndrueshme, me institucione funksionale, konkurrente për rajonin", u shpreh ai.
11:20 - Mehdiu: Shpresoj se një ditë jo të largët do të jemi bashkë, shqiptarë të bashkuar në Evropë
Kryetari i grupit parlamentar Aleanca për Ndryshim, Fatmir Mehdiu, ka shprehur dëshirën për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë, në mbledhjen e përbashkët të Kuvendit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës, se
“Ne jemi kombi më i vjetër në Ballkan. Jemi sot, dy shtete dhe një komb i ndarë. Shpresoj dhe besoj se një ditë jo të largët, do të jemi të gjithë bashkë, shqiptarë të bashkuar në Evropë, këtë e kemi detyrim ndaj historisë, por dhe ndaj të ardhmes, e kemi detyrim ndaj burrave dhe grave, që sakrifikuan jetën në emër të historisë dhe kombit të tyre, atyre që bënë historinë, si Ismail Qemali, Isa Boletini, presidenti Rugova dhe Adem Jashari, heronjtë e UÇK-së që sot janë padrejtësisht në Hagë, atyre që bënë historinë e pavarësisë së Kosovës, e kemi detyrim ndaj gjithë shqiptarëve”, ka thënë Mehdiu, transmeton Klankosova.tv.
11:18 - Kervan: Shtetet tona të jenë shtëpi për secilin, pa dallime mes komuniteteve
Kryetari i grupit parlamentar multietnik, Enis Kervan ka folur në mbledhjen e përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.
Ai është shprehur se kanë një bashkëpunim të mirë me institucionet e Kosovës.
"Si komunitetet joshumicë në Kosovë, kemi një bashkëpunim të shkëlqyer me institucionet e Kosovës dhe angazhohemi që komunitetet joshumicë të ndjehen të sigurtë dhe të trajtuar në mënyrë të barabartë me të drejtat kushtetuese dhe ligjore", u shpreh ai.
Kervan u shpreh se shtetet tona duhet të jenë shtëpi për secilin, pa dallime mes komuniteteve, përcjell Klankosova.tv.
"Ne do të veprojmë me shembullin e mirë, që shtetet tona të jenë shtëpi për secilin prej nesh, ku nuk do të ketë dallim ndërmjet komuniteteve, as i pasuri nga i varfëri, as i bardhi nga i ziu, por të gjithë të trajtuar në mënyrë të barabartë", u shpreh tutje ai.
11:10 - Doda në mbledhjen e dy kuvendeve: Mungojnë Thaçi, Veseli, Krasniqi e të tjerë
Kryetarja e grupit parlamentar për Demokraci dhe Integrim, Mesila Doda, ka thënë në mbledhjen e kuvendeve të Shqipërisë dhe Kosovës, se në sallë mungojnë ish-komandantët e UÇK-së.
“Kjo sallë ka mungesa të mëdha sot, janë komandantët e luftës; Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe të tjerë. Duhet të përsërisim se lufta e UÇK-së është faqe lavdie në historinë e kombit dhe njerëzit që i dalin zot atdheut të tyre janë heronj dhe jo kriminelë lufte “, tha Doda, transmeton Klankosova.tv.
“Ne sot bashkërisht mbrojmë luftën dhe heronjtë tanë nga çdo sulm. Nuk mund të humbim në paqe atë që fituam në luftë. Kosova dhe beteja e saj janë fitore të jashtëzakonshme në mijëvjeçarin e ri”, shtoi ajo.
“A është gabim të ëndërrosh bashkimi kombëtar? Në fakt është gabim të ëndërrosh dhe të mos punosh për të”.
11:09 - Tahiri në Kuvendin e Shqipërisë: E ardhmja jonë është e bashkuar
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka folur në mbledhjen e përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.
Ai është shprehur se e ardhmja e Kosovës dhe e Shqipërisë është e bashkuar.
Tahiri tha se dy vendet kanë misione dhe qëllime të përbashkëta, përcjell Klankosova.tv.
"E ardhmja jonë është e bashkuar, bashkim në zhvillim, bashkim në progres, bashkim me zemër, bashkim me vlerat tona të përbashkëta europerëndimore, të afërt me njëri-tjetrin , të hapur ndaj fqinjëve, si dhe një aleancë e përhershme me ShBA-të dhe të integruar në NATO dhe në familjen e madhe evropiane, kjo është rruga jonë, kjo është e ardhmja jonë, ky është misioni ynë, ky është qëllimi ynë i përbashkët", u shpreh ai.
10:57 - Tahiri: E kemi detyrë kombëtare që të punojmë e të bëhemi popull lider në Ballkan
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri ka mbajtur fjalimin e tij në mbledhjen e përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.
Ai është shprehur se është detyrë kombëtare që shqiptarët të bëhen popull lider në Ballkan.
Tutje, ai u shpreh se duhet të jemi më të bashkuar dhe më zhvilluar, përcjell Klankosova.tv.
"E kemi detyrë kombëtare, fal gjithë sakrificës që të punojmë dhe ta gjejmë rrugën që si njëri ndër popujt më të vjetër në Ballkan, të bëhemi popull lider në Ballkan, duket të jemi më të bashkuar, më të mirë, më të zhvilluar, më të përparuar dhe ta duam njëri-tjetrin më shumë. Këtë ua kemi borxh të gjithë atyre që kanë dhënë për Shqipërinë, shqiptarinë e Kosovën. Zoti e bekoftë Kosovën e Shqipërinë, Zoti e bekoftë këtë komb të bekuar", u shpreh ai.
10:54 - Sveçla në Kuvendin e Shqipërisë: Është koha më shumë se kurrë që hapat tanë të jenë një
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka folur në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë, përderisa po mbahet mbledhja e përbashkët e dy parlamenteve, duke thënë se është koha më shume së kurrë që hapat mes dy shteteve të jenë një.
“Pëvoja jonë si shqiptarë nuk ka qenë e qetë, ne nuk përjetuam periudha të gjata e të qeta të ndërtimit të shtetit tonë. Ne pësuam më shumë se kushdo, por përpjekjet dhe sakrificat nuk u ndalën deri sa e çliruam edhe Kosovën”, tha Sveçla, transmeton Klankosova.tv.
“Ne vepruam si një popull, edhe pse në troje të ndara, dhe sot ne kemi realizuar një shtetim të madh të shqiptarëve”.
“Ashtu siç po i shtojmë e thellojmë marrëveshjet e bashkëveprimit mes nesh, tani është koha më shumë se kurrë që hapat tanë të jenë njo, që mbërrithja jonë drejt qëllimit të jetë sa më e shpejtë”.
10:48 - Spiropali: Shqipëria është një nga avokatët më të zëshëm të Kosovës për liberalizimin e vizave
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin në Shqipëri, Elisa Spiropali ka folur në mbledhjen e përbashkët të Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.
Ajo ndër të tjera foli për liberalizimin e vizave, duke e cilësuar si të padrejtë izolimin e Kosovës.
Spiropali tha se Shqipëria është një nga avokatët më të zëshëm të Kosovës për liberalizimin e vizave, përcjell Klankosova.tv.
"Shqipëria është një avokatët më të zëshëm të Kosovës për liberalizimin e vizave, ne e gjykojmë absurde se si vazhdon ende të qëndrojë në këmbë regjimi i vizave".
"Se si është e mundur që në Kosovë ata që sot kanë moshë gjyshërish lëviznim lirshëm kur ishin në pushtimin e ish-Jugosllavisë, ndërkaq nipëritë e tyre, të lindur në lirinë që sollën bashkërishtë ShBA-të, BE-ja, NATO-ja, gjithë perëndimi së bashku me luftën e Kosovës, janë të dënuar ta kalojnë jetën në izolim. Shpresojmë të ndryshojë shpejtë, shpresojmë të ndodh menjëherë", u shpreh ajo.
10:36 - Konjufca: 28 nëntori i mban në gjirinë e vet të gjitha ëndrrat tona kolektive
Sot për herë të parë, Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, do të mbajnë mbledhjen e përbashkët, me rastin e 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
E në këtë seancë, fjalimin e tij e mbajti kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, i cili tha se 28 nëntori i mban në gjirinë e vet të ëndrrat tona kolektive.
"28 nëntori i mbanë në gjirinë e vet të gjitha ëndrrat tona kolektive, por edhe aspiratat e përbashkëta, mundin dhe përpjekjen e gjatë për liri si dhe dashurinë e madhe për kombin tonë. Kjo ditë e ka krejt simbolikën e vet të nevojshme, për të na mbajtur gjallë emocionet më të thella, krenarinë më të lartë, gatishmërinë më të vendosur dhe kujtimet tona më të çmuara"
Ai u shpreh se sa më afër që janë Kosova dhe Shqipëria, aq më lehtë do të jetë, siç u shpreh ai, për t'i mbrojtur interesat jetike të kombit tonë, përcjell Klankosova.tv.
"Sa më afër njëra-tjetrës Shqipëria me Kosovën, aq më lehtë do të jetë për t'i mbrojtur interesat jetike të kombit tonë. Ne do të mund të shënojmë arritje të radhës si komb vetëm nëse e kombinojmë, mençurinë e Ukshin Hotit, atdhedashurinë e Adem Demaçit, maturinë e Fehmi Aganit, përgatitjen e Gazmend Zajmit dhe mendjeprehtësinë e Arbën Xhaferit. Vazhdimisht duket t'i lexojmë ata, sepse mendimi i tyre politik është shumë i vlefshëm në rrethanat e reja të shekullit 21", u shpreh ai.
10:20 - Nis mbledhja e dy kuvendeve, Nikolla: Dikur edhe si ëndërr nuk mund të na shfaqej ky moment
Kryetaraja e Parlamentit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka thënë në mbledhjen e Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë, se kjo është një ditë e bukur dhe e paharrueshme.
“Sot kjo orë e shënuar rikonfirmon thirrjen shpirtërore “një komb, një qëndrim”, atë të vëllazërimit Shqipëri-Kosovë, në vigjilje të 28 nëntorit”, tha Nikolla, transmeton Klankosova.tv.
“Dikur, edhe si ëndërr nuk mund të na shfaqej ky moment, nga pengesat e panumërta të historisë, që ekzistencën, territorin, gjuhën dhe identitetin na e vinin në diskutim”.
“Teksa ecën nëpër stinë e mote, shqiptarët e gjetën shekullin e tyre. Asnjëherë nuk i ikën nderit e privilegjit që iu dha emri shqiptar. U bë Shqipëri dhe Kosova, u bënë shqiptarët këndej e andej kufirit qytetarë të denjë të civilizim. Pa dallim feje, krahine dhe ideje, iu falën flamuri kombëtar”.
Nikolla tha se Shqipëria dhe Kosova sot janë dy shtete të pavarura, demokratike e të respektuara, me miq aleat të mëdhenj, SHBA-në dhe BE-në, me aspirata për në Bruksel.
10:16 - Tirana bashkoi dy kuvendet, por kur u mbajt takimi i fundit mes dy qeverive shqiptare?
Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, janë bërë bashkë për herë të parë në Tiranë.
Këtë seancë do të niset nga kryetarja e kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, e më pas do të flas homologu i saj nga Kosova, Glauk Konjufca.
Deputetëve do t’iu drejtohen edhe dy kryeministrat, Edi Rama dhe Albin Kurti.
Fjalime do të mbajnë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, si dhe ministrat e Punëve të Jashtme, përcjell Klankosova.tv.
Ndërkaq, më 20 qershor është mbajtur mbledhja e tetë e përbashkët e të dyja qeverive, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë.
Të pranishëm aty ishin kryeministrat Albin Kurti dhe Edi Rama, e pos tyre morën edhe ministrat e të dyja kabineteve qeveritare.
Në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë u nënshkruan 19 marrëveshje.
Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve do të jetë në ora 12:30, transmeton KlanKosova.tv.
Deri tani gjithçka është bërë gati për të filluar pritja e delegacionit të Shqipërisë në krye me kryeministrin shqiptar Edi Ramën.
Pritja dhe mbledhja do të mbahen në një hotel në kryeqytet, ku delegacioni i qeverisë shqiptare pritet të arrijë aty në orën 10:45, derisa në orën 11:00 është planifikuar pritja e kryeministrit Edi Rama nga kryeministri Albin Kurti.
Mbledhja e dy qeverive do të fillojë në orën 11:15, teksa më pas është planifikuar një konferencë për shtyp.
Ndryshe, mbledhja e fundit e dy qeverive ishte mbajtur në nëntor të vitit të kaluar në Elbasan, ku ishin nënshkruar 19 marrëveshje.
/Klankosova.tv/
10:13 - Kryeministrat dhe kryekuvendarët shqiptarë bashkë në një fotografi
Sot për herë të parë, Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, do të mbajnë mbledhjen e përbashkët, me rastin e 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Kryeminitrat, Edi Rama dhe Albin Kurti si dhe kryeparlamentarët Glauk Konjufca dhe Lindita Nikolla tashmë janë takuar, përcjell Klankosova.tv.
Të katërt janë shfaqur bashkë në një fotografi.

09:56 - Deputetët e Kuvendit të Kosovës mbërrijnë tek Kuvendi i Shqipërisë (VIDEO)
Deputetët e Parlamentit të Kosovës kanë mbërritur para Kuvendit të Shqipërisë, ku do të mbajnë mbledhjen e parë të përbashkët.
Fillimsht, deputetët kanë shikuar ekspozitat e vendosura përreth tepihut të kuq dhe më pas kanë hyrë brenda.
09:54 - Glauk Konjufca pritet nga homologia Lindita Nikolla në Shqipëri (VIDEO)
Sot për herë të parë do të mbahet mbledhja e përbashkët e Kuvendit të Kosovës dhe atij të Shqipërisë.
Mbledhja pritet të fillojë nga ora 10:00, në Tiranë, përcjell Klankosova.tv.
Atje tashmë ka arritur Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili është pritur nga homologia e tij Lindita Nikolla.
07:26 - Mbahet mbledhja e parë e dy kuvendeve shqiptare
Sot për herë të parë, Kuvendi i Kosovës dhe ai i Shqipërisë, do të mbajnë mbledhjen e përbashkët, me rastin e 110 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Mbledhja do të fillojë nga ora 10, në Tiranë.
Këtë seancë do e nis kryetarja e kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ku pas saj do të flas homologu i saj nga Kosova, Glauk Konjufca.
Deputetëve do t’iu drejtohen edhe dy kryeministrat, Edi Rama dhe Albin Kurti.
Fjalime do të mbajnë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, si dhe ministrat e Punëve të Jashtme
Më poshtë mund të shihni agjendën e plotë:
