20:45 - “Fadil Vokrri” mbushet plot, gjithçka gati për Ëndrrën Amerikane (VIDEO)
Stadiumi "Fadil Vokrri" është mbushur plot, tani kur kanë mbetur edhe rreth 20 minuta kohë për ndeshjen historike të Kosovës kundër Turqisë për Kampionatin Botëror.
19:46 - Moti i detyron deçanasit të mblidhen në hapësirë të mbyllur për ta përkrahur Kombëtaren (VIDEO)
Gazetari i Klan Kosovës, Kastriot Tahiri, i cili sot po qëndron në komunën e Deçanit ka zhvilluar një intervistë me Shefin e Kulturës në Deçan, Afrim Hasanmetaj.
Ai tha se aktiviteti për t’u mbledhur në përkrahje të Kombëtares së Kosovës ishte planifikuar të mbahej në ambiente të jashtme, por kjo gjë ndryshoi për shkak të motit.
“Ka qenë e paraparë që të mbahet në ambiente të jashtme, por për shkak të kushteve atmosferike kemi vendosur që të mbahet në amfiteatër. Pritet të jenë mbi 100 persona”, tha Hasanmetaj.
Ndërkaq, Kryetari i Rinisë në këtë komunë u shpreh se ky organizim tregon se sporti çdoherë bashkon.
“Bashkë e kemi organizuar një aktivitet në përkrahje të Kombëtares së Kosovës, për arsye se kjo ndeshje është e rëndësisë së veçantë. Ky organizim tregon se sporti na bashkon çdoherë”, tha ai./Klankosova.tv
19:29 - Nis të mbushet “Fadil Vokrri”, atmosferë elektrizuese brenda dhe përreth stadiumit (VIDEO)
Tifozë të shumtë tashmë ia kanë mësyrë stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Të mbështjellur me flamuj të Kosovës dhe Shqipërisë e simbole të tjera shtetërore e kombëtare, mijëra qytetarë ndodhen përreth stadiumit, disa prej tyre që do ta ndjekin ndeshjen nga brenda, e të tjerë që do t’i shijojnë momentet kulmore në afërsi të “Fadil Vokrrit”.
Në lidhjen e drejtpërdrejt të gazetarit Andi Shabani për edicionin special të Klan Kosovës, tifozët kanë shprehur bindjet e tyre se Kosova do të fitojë përballë Turqisë.
Kur kanë mbetur edhe pak orë nga fillimi i ndeshjes, atmosfera brenda dhe përreth stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë është elektrizuese. /Klankosova
19:03 - Sadiku: Formacioni i Kosovës nuk ndryshon nga ai ndaj Sllovakisë
Kombëtarja e Kosovës nuk do të bëjë asnjë ndryshim në formacion nga ai që startoi ndaj Sllovakisë.
Kështu ka raportuar gazetari dhe drejtori i sportit në Artmotion, Arlind Sadiku.
19:15 - Kombëtarja turke mbërrin në “Fadil Vokrri”
Kombëtarja e Turqisë ka mbërritur tashmë në “Fadil Vokrri”, ku sonte do të zhvillojnë ndeshjen finale përballë Kosovës.
Loja nis me fillim nga ora 20:45.
19:11 - Kombëtarja e Kosovës afër hyrjes në Prishtinë, siguri e lartë – LIVE
Kombëtarja e Kosovës është nisur drejt stadiumit ‘Fadil Vokrri’.
Klan Kosova po e ndjek rrugën drejt Prishtinës për ndeshjen e madhe të Dardanëve ndaj Turqisë.
Në pamjet LIVE në Klan Kosova shihet siguria e lartë policore.
https://youtu.be/FnrcyEtXPQQ
19:02 - Erdhi nga Gjermania për ta parë ndeshjen, mërgimtari i bindur që Kosova sonte fiton (VIDEO)
Gazetarja e Klan Kosovës, Diellëza Berisha ka përcjellur nga afër atmosferën në sheshet kryesore të Prishtinës, duke thënë se ka njerëz nga vende të ndryshme të botës, të cilët kanë ardhur për ta ndjekur ndeshjes mes Kosovës dhe Turqisë.
Ajo intervistoi edhe një mërgimtar i cili ka ardhur nga Gjermani për ta parë ndeshjen dhe i njëjti u shpreh i bindur në fitoren e Kosovës.
“Atmosfera qenka shumë e mirë në Prishtinë. Jemi të sigurt, e kemi ndjenjen që sonte do të fitojmë, fitorja është e jona. Unë e kam një ndjenjë që jemi shumë të fortë dhe besoj në një rezultat 3:1”, tha ai. /Klankosova.tv
18:59 - Kombëtaret nisen drejt ‘Fadil Vokrrit’ (VIDEO)
Kombëtarja e Kosovës dhe ajo e Turqisë janë nisur drejt stadiumit ‘Fadil Vokrri’, për ndeshjen e madhe, vlefshme për kualifikim në Kupën e Botës.
Klan Kosova ka sjellë pamje nga dy lokacionet ku qëndruan ekipet, të cilët me autobusë kanë marrë rrugën.
18:58 - Nuk kishin bileta, policia nuk i lejon tifozët turq të hyjnë në “Fadil Vokrri”
Ka mbetur edhe pak kohë deri te fillimi i ndeshjes historike mes Kosovës dhe Turqisë.
Një numër i madh i tifozëve turq u kthyen nga policia gjegjësisht Njësia Speciale Operative (NJSO) dhe nuk u lejuan të hyjnë në stadium për shkak se nuk kishin bileta.
Finalja e madhe Kosovë-Turqi nis nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri”.
“Dardanët” synojnë ta shkruajnë historinë duke marrë pjesë për herën e parë në Kampionatin Botëror, njofton Klankosova.tv.
18:55 - “Sonte fiton Kosova”, fluks i madh në kufi, qytetarë nga Shqipëria ia mësyjnë Prishtinës (VIDEO)
Qytetarë të shumtë nga Shqipëria kanë hyrë sot në Kosovë, me qëllim që të ndjekin nga afër emocionet e finales së madhe ndërmjet Kosovës dhe Turqisë.
Kufiri ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ka qenë plot me vetura, me qytetarë nga vende të ndryshme që kanë mësyrë Prishtinën për ndeshjen historike për kualifikim në Kupën e Botës.
Emocione nga pikëkalimi kufitar në Vërmicë ka sjellë gazetarja e Klan Kosovës, Gresa Nitaj.
Në transmetimin special të Klan Kosovës, qytetarët nga Tirana e Pogradeci kanë dhënë parashikimet e tyre për ndeshjen, duke thënë se Kosova do të fitojë përballë Turqisë.
“4:0 për Kosovën”, ka thënë njëri prej tyre.
Ata kanë mbajtur flamuj dhe simbole të tjera shtetërore e kombëtare. /Klankosova
18:28 - 11-shja fatlume që starton ndaj Turqisë – a ka befasi nga Foda? (VIDEO)
Gazetari i Klan Kosovës, Andi Shabani, është paraqitur direkt nga zhveshtorja e kombëtares së Kosovës, para ndeshjes ndaj Turqisë, që zhvillohet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në 20:45.
Shabani tha se deri më tash të gjitha informacionet tregojnë se selektori i Kosovës, Franco Foda, ka vendosur të startojë me 11-shen e njëjtë, sikur ndaj Sllovakisë.
Megjithatë, disa orë para ballafaqimit, pritet të shihet nëse do të ketë befasi.
“Pak do të ketë befasi, do të jetë pothuajse ai formacion i përzgjedhur nga Foda edhe për ndeshjen ndaj Sllovakisë. Do të shohim a do të ketë ndonjë befasi të fundit. Por natyrisht, të gjitha informacionet janë që do të jetë 11-shja që luaji kundër Sllovakisë.”
18:26 - Përparim Rama parashikon fitoren e Kosovës me rezultat 2:0
Kryetari i Prishtinës Përparim Rama, e ka parashikuar fitoren e Kosovës ndaj Turqisë me rezultat 2:0.
“Por, mundet edhe më shumë”, u shpreh Rama direkt në Klan Kosova.
Në një atmosferë impozante nga kryeqyteti, Rama tha se pas kësaj fitore do të shkojmë edhe në Amerikë.
Sonte ndeshja Kosovë-Turqi, do të transmetohet drejtpërdrejtë edhe në tri ekrane gjigante nën organizimin e KD Events, Komunës së Prishtinës, Artmotion dhe DigitAlb.
Ato janë të vendosura në tri pika: Te sheshi Zahir Pajaziti, Sheshi Skenderbeu dhe te Pallati i Rinisë.
https://klankosova.tv/rama-parashikon-fitoren-e-1kosoves-me-rezultat-20/
18:25 - “Ethet” e finales së madhe, pamje ekskluzive brenda zhveshtores së Kombëtares së Kosovës (VIDEO)
Transmetimi special i Klan Kosovës ka sjell edhe pamje speciale brenda dhomës së zhveshjes së futbollistëve.
Pak orë para nisjes së ndeshjes ndërmjet Kosovës dhe Turqisë në finalen për Kupën e Botës, ku nga kjo dhomë “Dardanët” do të bëhen gati për ta “pushtuar” fushën e gjelbër, për çka shqiptarët presin triumfin e tyre.
Në pamjet ekskluzive të Andi Shabanit janë parë fanellat e të gjithë futbillistëve, si dhe disa gjëra ushqimore, e të tjera.
Nga ky vend, e këto hapësira brenda stadiumit “Fadil Vokrri”, “Dardanët” do të nisen për të dalë në fushë e kthimi në to shpresohet të jetë me këngë, brohoritje pas fitores përballë Turqisë.
https://www.youtube.com/watch?v=QJNSTrYsYqA
18:02 - Zymberi i Dritës plot emocione para ndeshjes: Është bërë sakrificë e madhe (VIDEO)
Gazetarja e Klan Kosovës, Vesa Hoda e cila po qëndron në Gjilan, ka intervistuar Drejtorin sportiv të Dritës, Valon Zymberi, i cili u shpreh i emocionuar para ndeshjes Kosovë-Turqi.
Ai është shprehur se për këtë moment të po përjetohet sot, është bërë sakrificë e madhe, përcjell Klankosova.tv.
“Sot është një emocion i veçantë. Një moment i cili është pritur nga shumë njerëz. Është një ditë e mbushur me shumë emocione, ky moment shijohet nga ne, por ka njerëz që kanë bërë shumë sakrificë të madhe”.
“Në krejt këto moment që po i përjetojmë, dëshirojmë shumë që në fund t’i gëzoheni edhe rezultatit dhe të kualifikohemi në Kampionatin Botëror”, tha ai.
https://youtu.be/lZTTMUtqOog
17:55 - Doktoresha Tafilaj flet për emocionet që mund t’i kenë “Dardanët” (VIDEO)
Doktoresha neuropsikiatre, Valbona Tafilaj, ka folur në lidhje me gjendjen psiko-emocionale të lojtarëve të Kombëtares së Kosovës para ndeshjes me Turqinë.
Ajo thotë se frika më e madhe është te lojtarët e rinj, të cilët nuk kanë përvojë në menaxhimin e këso lloj situatash.
“Kur jemi para një diçka që është shumë e madhe, kur kemi një barrë apo përgjegjësi shumë të madhe para së cilës do të dalim, normalisht që presioni psiko-emocional rritet shumë më shumë dhe vjen duke u shndërruar në një ankth e stres, kur ne e dimë që djemtë sot luajnë para gjithë shqiptarëve, dhe i presin të gjithë me entuziazëm... fillon me ankth, mandej shfaqet me stres, por kjo vjen si pasojë që këta e ndiejnë presionin e madh për fitore. Dihet që është lojë e madhe, dhe besoj që djemtë tanë kanë marrë ndonjë këshillë se si ta tejkalojnë këtë. lojtarët që kanë më shumë përvojë, e tejkalojnë më lehtë këtë pjesën e ankthit dhe stresit. Frika është më e madhe te lojtarët e rinj”, deklaroi Tafilaj për gazetaren e Klan Kosova, Arbreshë Uka.
17:41 - Sadiku: Trajnerët do t’ua kumtojnë lojtarëve formacionet rreth orës 18:15
Arlind Sadiku, drejtor i Sportit në Artmotion, po qëndron para hotelit të Kombëtares Turke.
Ai tha se hoteli është bllokuar në total.
“Janë futbollistët brenda, zyrtarët, një numër i mysafirëve, një delegacion me rreth 200 mysafirë nga Turqia që qëndrojnë në këtë hotel. Autobusët kanë ardhur nga Franca për t’i bartur lojtarët nga hoteli deri te stadiumi. Në orën 19:15, futbollistët do të hipin në autobus”.
“Sa i përket formacioneve, nuk dihet asgjë nga asnjëri kamp. Trajnerët pritet që formacionet startuese të kësaj ndeshjeje mjaft të rëndësishme t’ua kumtojnë lojtarëve rreth orës 18:15”, u shpreh Sadiku.
https://youtu.be/tp4a9xGICdg
17:41 - “Do të fitojmë”, tifozet e vogla të emocionuara pasi morën nënshkrimet e futbollistëve kosovarë (VIDEO)
Gazetari i Klan Kosovës, Lutrim Islami ka raportuar direkt nga hoteli ku po qëndrojnë futbollistët e Kombëtares së Kosovës, para një sfide tepër të rëndësishme, në finalen e madhe ndaj Turqisë.
Ai ka intervistuar dy tifoze të cilat kanë pritur me orë të tëra për të marrë nënshkrimet e disa lojtarëve të Kosovës.
Ato janë shprehur shumë të emocionuara, duke u shprehur të bindura se Kosova do të korr fitore sonte.
“Mendojmë që ne fitojmë 3:2 për Kosovën. Jemi të fortë”, thanë vajzat./Klankosova.tv
https://youtu.be/JejaNfO0UNQ
17:35 - Shpërthen atmosfera në shesh, tifozët s’i ndalin këngët e brohoritjet (VIDEO)
Pjesët qendrore të Prishtinës, tashmë janë mbushur me qytetarë dhe tifozë të shumtë.
Në Edicionin Special të Klan Kosovës, gazetarja Diellëza Berisha, ka sjell momentet kulmore nga festa e madhe në kryeqendrën e Kosovës.
Në një lidhje të drejtpërdrejt, ajo ka sjell pamje nga atmosfera, teksa shihen qytetarë dhe tifozë që mbajnë në duar flamuj e pankarta me mbishkrime të ndryshme, pak orë para ndeshjes historike ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, e vlefshme për kualifikim në Kupën e Botës.
Tifozë nga Kosova dhe Turqia qëndrojnë bashkë në shumë hapësira në sheshet e kryeqytetit, derisa për asnjë moment nuk i ndalin këngët, thirrjet dhe brohoritjet e tyre.
Atmosfera është e jashtëzakonshme, kur kanë mbetur edhe pak kohë deri në nisjen e ndeshjes historike. /Klankosova.tv
17:30 - Peja e kampionëve të xhudos nis festën, e bindur që Kosova sonte korr fitore (VIDEO)
Gazetari i Klan Kosovës, Kastriot Tahiri ka qëndruar në Pejë, për të parë atmosferën atje para ndeshjes Kosovë-Turqi.
Nga qyteti i kampionëve të xhudos, ai është shprehur se festa veçse ka filluar, përcjell Klankosova.tv.
Pejanët janë shprehur të bindur që ndeshja e cila do të zhvillohet sonte, do t’i sjell Kosovës fitore dhe do ta çoi atë në Kampionatin Botëror.
17:26 - Shakohoxha: Çunat e Kosovës synojnë ta çojnë misionin e Fadil Vokrrit aty ku ai ëndërronte (VIDEO)
Veç një hap larg “ëndrrës amerikane”.
Sonte Kosova synon ta shkruajë historinë në finalen e madhe përballë Turqisë.
E komentatori i njohur shqiptar Dritan Shakohoxha, tha se kjo ndeshje është shumë speciale.
“Çdo njëri prej këtyre futbollistëve që sonte do të zbresin në fushë nuk përfaqësojnë vetëm vetën e tyre, por një gjeneratë të tërë yjesh, njerëz që sakrifikuan për këtë sport që nuk e mbërritën këtë natë dhe kjo ndoshta i bën ata më të mbinatyrshëm përballë kundërshtarëve të tyre turq”, u shpreh ai.
“Sonte këta çuna synojnë ta çojnë misionin e Fadil Vokrrit, ku ai ëndërronte”, theksoi ai.
Derisa drejtori i Sportit në Artmotion Arlind Sadiku, u shpreh se me shumë emocion e ka pritur këtë ndeshje.
Ai tha se nuk ka fjetur krejt natën.
Të dy u paraqitën nga qendra e Prishtinës, konkretisht nga shtatorja e Gjergj Kastrioti – Skënderbeut.
https://youtu.be/faGH5ymZSFo
17:21 - Munishi: Besoj në fitoren e Kosovës, lojtarët do dinë t’i kontrollojnë emocionet
Ish-futbollisti, Kushtrim Munishi ka deklaruar se sonte pret fitoren e Kosovës në përballje me Turqinë.
Në Edicionin Special të Klan Kosovës, ai ka thënë se beson fuqishëm që futbollistët dhe trajneri i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, do të dinë si t’i qasen lojës.
“Unë së pari besoj shumë në mënyrën se si do ta përgatisë lojën trajneri i Kosovës, Franco Foda. Duke pasa parasysh ndeshjet e fundit, unë besoj shumë se ata do të jenë në gjendje t’i kontrollojnë emocionet. Kush ka lujtë futboll, e din se kur fillon loja emocionet zhduket”, ka thënë Munishi.
Ai ka shtuar se është me rëndësi që futbollistët ta kenë përqendrimin maksimal dhe nëse I përmbahen udhëzimeve të trajnerit, sipas tij, gjithçka do të shkojë mirë. /Klankosova
17:20 - Prizrenasi i bindur: Andrra e Kosovës për Amerikë gjithmonë e më afër, 3-0 do të fitojmë (VIDEO)
Edicioni Special i Klan Kosovës ka nisur me emocione të mëdha për ndeshjen Kosovë – Turqi, që zhvillohet sonte në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.
Direkt nga Prizreni, gazetaret Gresa Nitaj dhe Artina Breznica, kanë sjellë atmosferën para përballjes së madhe.
Një qytetar nga ky qytet tha se shpreson se ëndrra amerikane është afër, duke prognozuar një rezultat prej 3 me 0, për Dardanët.
“Jemi përgatitur për këtë ndeshje sepse andrra jonë për Amerikë është gjithmonë më afër. Unë vi nga Prizreni, kryeqyteti kulturor shqiptar. Rezultati do të jetë 3-0 për Kombëtaren tonë. Unë jam i bindur se Kosova e ka shansin të arrijë për Amerikë”. /Klankosova.tv
17:17 - Qetësi para stuhisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë (VIDEO)
Gazetari i Klan Kosovës, Andi Shabani ka raportuar nga stadium “Fadil Vokrri” në Prishtinë, aty ku sonte do të zhvillohet ndeshja mes Kosovës dhe Turqisë.
Ai është shprehur se aty aktualisht është një “qetësi para stuhisë”, pasi për pak kohë pritet që të mbushet me tifozë.
“Gjendem në stadiumin “Fadil Vokrri”, aty ku është një qetësi para stuhisë, pasi pas disa orësh, ky stadium do të jetë i mbushur plot dhe shpresojmë që një emër i madh si Fadil Vokrri, legjenda e futbollit kosovar, t’u sjell fat Dardanëve që sonte të arrijnë kualifikimin historik”, tha ai.
Shabani gjithashtu bëri të ditur se fusha është në gjendje të mirë dhe se aty janë duket u bërë përgatitjet e fundit për ndeshje.
“Fusha duket në gjendje perfekte, po bëhen edhe organizimet e fundit, në ora 17:45 do të hapen edhe dyert për tifozët të cilët do të vijnë”, tha ai./Klankosova.tv
17:11 - “S’ma ka marrë mendja që m’dridhen pulpat”, analisti Llumnica i emocionuar para ndeshjes (VIDEO)
Edicioni Special i Klan Kosovës tashmë ka nisur, me emocione të mëdha për ndeshjen Kosovë – Turqi, që zhvillohet sonte në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.
I ftuar për analizën e këtij ballafaqimi, në studio është edhe njohësi i sportit, Ardian Llumnica.
Fjalën ai e nisi me emocione të mëdha për këtë përballje, që tha se është fort e veçantë, raporton Klankosova.tv
“Është kënaqësi, por edhe emocion. Kemi analizu ngjarje të jashtëzakonshme sportive në Klan, por kjo sot qenka shumë e veçantë. Nuk ma ka marrë mendja që vjen një ndeshje e Kosovës, që në studio me mu dridh pulpat prej emocioneve.”
17:11 - Seferi: Foda do të bëjë lojë të sigurt, do t’i pres gabimet e kundërshtarit (VIDEO)
Klan Kosova po sjell transmetim maratonik nga të gjitha qytetet e Kosovës duke sjellur atmosferën të prag të ndeshjes finale e cila sonte luhet me fllim nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri” mes Kosovës dhe Turqisë.
E kryetari i Lidhjes Rajonale të Futbollit të Mitrovicës dhe trajneri Bardhec Seferi, deklaroi se këtë ndeshje e gjitha Kosova e ka pritur me vite të tëra.
“Mendoj se do të jetë një ndeshje e fortë”, u shpreh ai për Klan Kosovën.
“Mendoj se selektori FODA do të shkoj në një lojë të sigurt dhe do ta pres kundërshtarin në gabimet e veta”, theksoi trajneri mitrovicas.
Dardanët duan Botërorin, nis Edicioni Special në Klan Kosova (VIDEO)
Zemrat rrahin më shpejt se kurrë, ndërsa Kosova përgatitet për një ndeshje historike kundër Turqisë.
Klan Kosova sjell Edicionin Special për këtë përballje të madhe.
Gazetarët e televizionit do t’ju sjellin atmosferën nga shumë qytete të Kosovës, ku flamujt valëviten, tifozeria shpërthen dhe emocionet arrijnë kulmin.
Transmetimi ka nisur dhe specialen mund ta ndiqni edhe në kanalin zyrtar në Youtube.
Bëhuni pjesë e momentit që do të mbetet në historinë e futbollit kosovar!
https://www.youtube.com/watch?v=FnrcyEtXPQQ
●●●
VRSHKRIMI NGA
Ve Ra
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.