Lajmet e fundit

Gjykata e Elbasanit ka lënë në burg dy rusët dhe ukrainasin që u kapën teksa tentuan të hynin në uzinën e armëve në Gramsh.
Avokatët e dy shtetasve rusë dhe atij ukrainas kanë kërkuar detyrim paraqitjeje.
Kryesuesja e trupit gjykues, gjyqtarja Pajtime Fetau, tha se pas shqyrtimit të provave të sjella nga prokuroria u gjykua se dyshimet e akuzës janë të bazuara. Ndaj tre shtetasve u vendos masa e sigurisë "arrest me burg".
Mbi dy shtetasit rusë (33-vjeçarja Svetlana Timofoeva dhe 23-vjeçari Mikhail Zorin) dhe ukrainasin (Fiodor Mihailoviç) rëndojnë dy akuza “Dhënia e informatave sekrete” dhe “Goditja për shkak të detyrës”.
Incidenti në Gramsh:
Dy shtetas rusë, 33-vjeçarja Svetlana Timofoeva, 23-vjeçari Mikhail Zorin dhe një ukrainas, Fiodor Mihailoviç u arestuan mbrëmjen e së shtunës pas një incidenti në uzinën ushtarake në Gramsh. Teksa tentuan të futeshin në uzinë ata sulmuan me spray neuro-paralizues dy ushtarët shqiptarë.
Në dëshminë e tyre, shtetasit e huaj kanë thënë se janë blogerë dhe fotografonin kryesisht territore ushtarake që janë të braktisura dhe nuk përdoreshin më nga shteti.
Tashmë mbi ta rëndon zyrtarisht akuza e “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”.
Për këtë ngjarje ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh një ditë më parë se rasti po hetohet me seriozitet dhe se nuk përjashtohet të jetë bërë për të tërhequr vëmendjen nga një ngjarje tjetër.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi u shpreh se hetimet vijojnë. Nga opozita nuk mungojnë akuzat dhe theksohet se është cenuar siguria kombëtare./ Euronews.al