Lajmet e fundit

Edhe pse Ligji për Kontrollin e Duhanit në Kosovë parasheh gjoba deri në 3 mijë euro për shkelësit, pirja e tij në ambiente të mbyllura vazhdon të jetë praktikë e përditshme në shumicën e lokaleve të gastronomisë.
Ky realitet dëshmon se problemi nuk qëndron te mungesa e ligjit, por te mungesa e zbatimit të tij.
Në kafene, restorante dhe bare anembanë vendit, duhani konsumohet hapur, shpesh pa asnjë shenjë paralajmëruese apo ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse. Të rralla janë ato lokale ku ndalimi i pirjes së duhanit respektohet realisht, ndërsa qytetarët jo-duhanpirës vazhdojnë të ekspozohen ndaj rreziqeve serioze për shëndetin.
Ligji është në fuqi që nga viti 2013 dhe ndalon në mënyrë të qartë pirjen e duhanit në të gjitha ambientet e mbyllura publike, duke e konsideruar atë të dëmshme dhe të ndëshkueshme.
Megjithatë, mbi një dekadë më vonë, zbatimi i tij mbetet i dobët dhe selektiv.
Një nga arsyet kryesore për këtë situatë është mungesa e mbikëqyrjes së vazhdueshme dhe efikase nga inspektoratet përkatëse. Për vite me radhë, numri i inspektorëve sanitarë ka qenë i pamjaftueshëm për të mbuluar të gjithë territorin e Kosovës.
Sipas të dhënave të mëhershme, vetëm rreth 12 inspektorë ishin përgjegjës për kontrollin sanitar dhe sigurinë ushqimore, përfshirë edhe zbatimin e ligjit për duhanin një shifër alarmante për një problem kaq të përhapur.
Më vonë, rreth 57 inspektorë sanitarë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë janë transferuar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe tani veprojnë në kuadër të Inspektoratit Sanitar.
Ndër detyrat kryesore të tyre është edhe kontrolli i respektimit të ligjit për kontrollin e duhanit. Së fundmi, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar për rekrutimin e rreth 30 inspektorëve të rinj dhe ka paralajmëruar angazhimin e rreth 100 inspektorëve shtesë në të ardhmen.
Megjithatë, pavarësisht këtyre zotimeve dhe rritjes graduale të kapaciteteve, situata në terren nuk reflekton një ndryshim të dukshëm. Shkeljet vazhdojnë të jenë masive, çka ngre dyshime serioze mbi efektivitetin e inspektimeve, frekuencën e tyre dhe seriozitetin e ndëshkimeve.
Ndiqni kronikën nga Kiks Kosova: