Lajmet e fundit

Asamblisti i PDK-së, Granit Geci, ka folur për ligjëratën e mbajtur dje në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë nga zyrtarë të Gjykatës Speciale.
Geci, në emisionin “Ora 7” në Klan Kosova, tha se në parim nuk janë kundër diskutimeve për Gjykatën Speciale apo për tema të tjera që përbëjnë interes për shoqërinë kosovare, por sipas tij, shqetësuese mbetet mënyra se si është organizuar ky proces.
“Ne në parim nuk jemi kundër diskutimeve për Gjykatën Speciale dhe as për asnjë temë tjetër që është preokupim për shoqërinë kosovare, por ajo që na ka shqetësuar tej mase është se ky proces ka qenë tërësisht jo transparent, i mbuluar nga disa qarqe që, sipas mendimit tim, mund të jenë edhe të dyshimta sa i përket linjës së financimit të tyre”, tha Geci.
Ai tha po ashtu se shqetësim tjetër mbetet edhe tema që, sipas tij, po tentohet të shtyhet përpara përmes këtyre ligjëratave.
“Ekziston një agjendë që ne e konsiderojmë se mund të jetë antikombëtare”, tha Geci.