Lidhja e Bizneseve të Kosovës është duke kërkuar nga institucionet e nivelit qendrore dhe lokal që ta zbatojnë ligjin për mbështetjen e punës publike.
Konkretisht është shoqata e ndërtimtarëve dhe kompanive të ndërtimit që funksionojnë në kuadër të kësaj ode që e kërkojnë këtë.
“Kjo ka sjellë një situatë kritike financiare për kompanitë e ndërtimit të cilat kanë realizuar kontratat e tyre me institucionet përkatëse dhe kanë ekzekutuar të gjitha obligimet sipas kontratave, e që mbështetja financiare e premtuar prej 20% nga kontratat publike ende nuk është rimbursuar siç parashikon ligji”, thuhet në kërkesë, përcjell KlanKosova.tv.
“Kjo situatë ka vendosur një barrë të konsiderueshme për bizneset, duke ndikuar në stabilitetin financiar dhe aftësinë e tyre për të vepruar në mënyrë efektive. Ne i nxisim fuqimisht autoritetet përgjegjëse që të japin përparësi dhe të përshpejtojnë rimbursimin e mbështetjes prej 20%”.
Sipas tyre, zbatimi i ligjit jo vetëm që do të sigurojë lehtësim shumë të nevojshëm financiar për kompanitë, por gjithashtu do të forcojë besimin dhe bashkëpunimin midis sektorit publik dhe privat.
●●●
LSHKRIMI NGA
LiZe
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.