Lajmet e fundit

Javier Marías - “Nesër në betejë mendo për mua”
“Te ‘Nesër në betejë mendo për mua‘, Marías na jep një roman të shkruar sipas modelit të prozës filozofike që e hasim te Marcel Proust dhe Henry James … Krahas kësaj, na jep një panoramë historike dhe vetjake, tituj filmash dhe emra politikanësh, duke u shfaqur një shkrimtar i një lloji krejt tjetër.” Javier Marías – bir i filozofit Julián Marías, i njohur për prirjet e tij republikane, dhe i shkrimtares Dolores Franco Marena – lindi në Madrid më 20 shtator 1951. Fëmijërinë iu desh ta kalonte në mërgim, në SHBA, për shkak të përplasjeve politike të të atit, të cilit iu ndalua deri edhe mësimdhënia në universitet, pavarësisht se ishte anëtar i Akademisë Mbretërore të Spanjës.
Sveva Casati Modignani - “Pallati Soljano”
Është mbrëmje maji, kur në pallatin Soljano – ndërtesa e shtatëqindtës e dinastisë së korolarëve të Kullës së Grekut – bie telefoni. E gjithë familja është mbledhur në tryezë për të ngrënë drekën: Ursula, e shoqja e Eduardit, të pesë fëmijët e tyre, Margarita, e vjehrra dhe dy bijat e saj. Të gjithë janë në pritje që Eduardi të kthehet.
Ursula ngre receptorin dhe nëpërmjet zërit me ton zyrtar të një polici njoftohet se i shoqi ka humbur jetën në një aksident automobilistik. Dhe ja te vjen goditja e tmerrshme: dashuria e tyre tridhjetëvjeçare që përfundon sa hap e mbyll sytë. Ursula nuk mund ta dijë se ajo dhembje e beftë, në vetëm pak kohë ka për t’u kthyer në një dhembje edhe më të fortë, në çastin kur zbulon disa fotografi të bashkëshortit, ku ka dalë një djalosh me sytë me bisht dhe ku shkruhet: “Yt bir, Stivi”.
Mihail Bulgakov - “Mjeshtri dhe Margarita”
“Mjeshtri dhe Margarita” në Bashkimin Sovjetik të periudhës staliniste mundi të shpërndahej në dorëshkrim në mënyrë klandestine, në rrethin e ngushtë të miqve të Bulgakovit. Në format libër u botua vetëm njëzet e gjashtë vjet mbas vdekjes së tij. Kjo kryevepër konsiderohet si një roman kompleks, e ndërlikuar dhe tronditëse. Përshkrimi alegorik deri në detaje i dramës njerëzore e zhvendos lexuesin mes dy botëve paralele. Pasi ka përjetuar emocione tronditëse, ai e ka të vështirë që të bëjë dallimin mes gënjeshtrës dhe së vërtetës. Ky trazim i ndjesive gjatë leximit nuk lë hapësirë për një zgjedhje vetjake, por e dikton lexuesin për t’i shkuar këtij “teatri” deri në faqen e fundit…
Eskili - Prozë
Eskili, poeti i parë i madh i Greqisë së Lashtë, luftëtar dhe këngëtar i lirisë së atdheut dhe i fitores së demokracisë mbi tiraninë, i patriotizmit dhe i së vërtetës. Edhe pse lëndën e mori nga mitologjia, ai mbrujti me të probleme të rëndësishme të shoqërisë së kohës: gdhendi shpirtra guximtarë dhe liridashës të përmasave të jashtëzakonshme, u ngriti himn qëndresës kundër dhunës e despotizmit dhe dinjitetit kundër nënshtrimit. Leximi i poezisë dramatike të Eskilit, Sofokliut dhe Euripidit, që shijohen e studiohen prej shekujsh në mbarë botën, kërkon përgatitje kulturore dhe njohje të mitologjisë e të historisë antike, çka arrihet me mund dhe në një moshë të caktuar./Gazeta Shqip/