Lajmet e fundit

5 pikë diferencë nga vendi i dytë dhe një dorë tek titulli kampion i Premier League. Kush do ta kishte menduar që skuadra e drejtuar nga Claudio Ranieri do të bënte një rrugëzim të tillë, në kufijtë e të pamendueshmes.
Një sezon më parë “dhelprat” siguruan mbijetesën në pikën e fundit të djersës, por muzika ndryshoi, kjo skuadër është një kryevepër e futbollit modern, e ngjashme me partiturat e të mëdhenjve të muzikës klasike.
Trajneri italian mbetet njeriu simbol i një grupi që u ngrit dhe arriti majën më të lartë, duke shtangur edhe tifozin më fanatik. Në një intervistë të gjatë dhënë për gazetën spannjolle “Marca”, tekniku italian ndalet gjatë te ecuria e skuadrës së tij këtë sezon.
“Suksesi jonë lind nga një seri rrethanash që janë kombinuar me njëra tjetrën. Skuadrat e mëdha nuk po arrijnë të sigurojnë vazhdimësi dhe ne po bëjmë diçka që askush nuk e priste.
Nuk kemi arritur ende asgjë por rrugëtimin tonë por është një moment i pabesueshëm sepse një klub i vogël si Leicester arrin të kundërpërgjigjet ndaj shoqërive me buxhete të mëdha”, thekson Ranieri.
Në vijim ai analizon mënyrën se si luan skuadra e tij që në aspektin e mbajtjes së topit është një nga më të dobëtat e Premier League. “Duhet të njohësh mirë karakteristikat e lojtarëve dhe t’i shfrytëzosh në maksimum.
Në Angli futbolli është më dinamik dhe luftohet shumë. Nuk mund ta mbajmë topin sepse nuk kemi cilësi për të çarë mbrojtjet kundërshtare, prandaj kemi zgjedhur të luajmë përherë në mënyrë të shpejtë”, shton trajneri italian.
Kur e pyesin nëse është në dijeni të interesimit të skuadrave të mëdha për yjet e tij Mahrez apo Kante, 64-vjeçari nuk preferon të flasë shumë. “Duhet pritur sepse tani në Leicester ata konsiderohen si mbretër.
Këtu nuk ka shumë presion dhe në një klub të madh gjërat ndryshojnë sepse ke më shumë përgjegjësi”, shton Ranieri, i cili e përfundon intervistën duke theksuar se dëshiron ta mbyllë karrierën si trajner pikërisht me Leicesterin, për të kurorëzuar në mënyrën e duhur një karrierë të gjatë në futbollin botëror./Supersport