Lajmet e fundit

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ermal Sadiku, mbrëmë në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova deklaroi se vëmendja e madhe që partitë dhe opinioni publik po i kushtojnë LDK-së nuk është domosdoshmërisht negative.
Sipas tij, ndërsa të tjerët merren me LDK-në, partia duhet të fokusohet në reflektim dhe riorganizim të brendshëm, transmeton Klankosova.tv.
“Sot të gjithë janë duke u marrë me LDK-në, edhe mendoj që kjo indirekt nuk është edhe aq e keqe sa po mendohet. Duhet të merren me LDK-në, le të merren të gjithë me LDK-në, por LDK-ja duhet të merret me veten, e tjerët le të merren”, u shpreh Sadiku.
Sadiku theksoi se LDK-ja historikisht ka performuar më mirë në qeverisje sesa në opozitë, por shtoi se partia duhet të mësohet të jetë funksionale dhe efektive edhe kur është në opozitë.
“Unë e pranoj që nëse e merr me shiku listën, kryesinë edhe programin e LDK-së, është parti e cila performon më mirë në qeverisje, në pozitë, sesa në opozitë. Edhe ne duhet të mësohemi me qenë edhe në opozitë performues si në pozitë”, tha Sadiku.
Po në “Rubikon”, nënkryetarja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, foli për rezultatin e dobët zgjedhor të partisë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, ku LDK-ja u rendit e treta me 13.23 përqind të votave, përkatësisht 126 mijë e 102 vota.
Ajo tha se një nga arsyet kryesore të këtij rezultati ishte mungesa e komunikimit të duhur me qytetarët, pavarësisht, siç u shpreh ajo, një liste të fortë kandidatësh dhe një programi “të jashtëzakonshëm”.
“Kemi pasur listën absolutisht më të mirë të kandidatëve. Ka qenë periudha e shkurtër e komunikimit, projektet, programi ka qenë i jashtëzakonshëm dhe mua vërtetë më vjen keq që nuk kemi arritur të komunikojmë sa duhet me qytetarët”, deklaroi ajo.
Lushaku-Sadriu theksoi gjithashtu se brenda LDK-së ekziston hapësirë e madhe për kontribut dhe garë të hapur për udhëheqjen e partisë.
Ajo bëri të ditur se çdo anëtar që ka ambicie për të drejtuar LDK-në mund ta shpallë kandidaturën në Kuvendin Zgjedhor.
“Kushdo që ka ambicie edhe që mendon që mund ta udhëheq LDK-në, të vij edhe ta shpallë kandidaturën edhe varet nga rezultati i kuvendit. Normalisht që gara është e hapur dhe duhet me pas mundësi secili edhe këtë e garanton LDK-ja. Secili që ka ambicie duhet ta shfaq, kuvendi është në të cilën do të ndodh ajo”, theksoi Lushaku-Sadriu.