Lajmet e fundit

Thomas Strakosha te Lazio deri në vitin 2021. Portieri i talentuar shqiptar i ka bindur të gjithë me paraqitjet e tij gjatë këtij sezoni dhe Lazio kërkon ta blindojë 21-vjecarin.
Mediat italiane raportojnë se drejtuesit e klubit bardhekaltër me në krye drejtorin sportiv Igli Tare kanë bërë gati kontratën e re për Strakoshën e cila do të zgjasë deri në vitin 2021 dhe do ta lidhë gardianin kuqezi me klubin kryeqytetas edhe për 5 vitet e ardhshme, shkruan supersport. Strakosha i cili këtë sezon bëri debutimin e tij në Serinë A, shkëlqeu në 3 ndeshjet e tij të para me Lazion dhe si shpërblim tashmë përfiton rinovimin e kontratës.
Marrëveshja aktuale e 21-vjecarit me bardhekaltërit skadon në 30 Qershorin e vitit 2017 por në ditët e ardhshme, ish portieri i Salernitanës pritet të firmosë kontratën e re nga e cila do të përfitojë dukshëm një pagë më të lartë se ajo aktualja.
Strakosha për momentin është zëvendësi i Marchettit te Lazio por nëse paraqitet si në sfidën ndaj Milanit, portieri shqiptar ka shanse të mira për të qenë ai titullari i skuadrës së Simone Inzaghit në të ardhmen.