Skiatorja italiane që përfaqëson flamurin shqiptar, Lara Colturi, u rendit e dyta në Kupën e Botës.
Ajo shkroi historinë në rrethin Arktik në garën e sotme të Ski World Cup, duke e vendosur Shqipërinë në majat e këtij kompeticioni elitar.
Në garën e dytë të këtij sezoni, në Levi të Finlandës, ajo siguroi vendin e dytë në total, me kohën 1 minutë, 50 sekonda e 58 të qindtat, vetëm 1.66 sekonda më shumë se fituesja e kësaj gare, legjenda amerikane Mikaela Shiffrin, shkruan Euronewsal, transmeton Klankosova.tv.
Në lëshimin e parë në disiplinën e slalomit, Lara e mbylli në vendin e dytë me vetëm 1.08 sekonda pas Shiffrin (56.08), ndërsa në lëshimin e dytë u rendit e treta me 0.58 sekonda pas Shiffrin (52.84 sekonda), e cila dominoi këtë garë.
“Shqipëria dhe Colturi sot shkëlqen mbi borën e bardhë”, shkruan Federata Shqiptare e Skive në faqen zyrtare të saj.
Edhe kryeministri Rama ka reaguar. Kryeministri Edi Rama ka uruar skiatoren Lara Colturi për arritjen e vendit të dytë në ndalesën e dytë të Botërorit të Skive në Finlandë.
Colturi siguroi podiumin e katërt në karrierë, por padyshim ky ishte më i veçanti, pasi ajo feston sot ditëlindjen e 19-të.
“Lara Colturi, skiatorja e Shqipërisë, ka siguruar vendin e dytë në Botërorin e Slalomit në Finlandë. E gjithë kjo arritje e madhe në një ditë të veçantë për Larën, e cila sot feston 19-vjetorin e saj. Edhe 100 Lara”, shkruan kryeministri.
Javën që vjen, Lara Colturi do të jetë në pistën e Gurgl në Austri, në disiplinën e slalomit.
●●●
LESHKRIMI NGA
Lendita Elshani
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.