Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka lansuar projektin "Trashëgimia Kulturore si Drejtuese e Dialogut Ndërkomunitar dhe Kohezionit Social".
Kjo u realizua së bashku me Instrumentin e Bashkimit Evropian, që i kontribuon Stabilitetit dhe Paqes (IcSP), zyrën e BE-së në Kosovë dhe Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Përfaqësuesi Special i BE-së, Tomas Szunyog, zyrtari i Reagimit ndaj Krizave, Asier Santillan Luzuriaga, zëvendëspërfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së, Niels Knudsen, ishin të pranishëm sot në ministri dhe shënuan vazhdimin e bashkëpunimit për iniciativat e trashëgimisë kulturore në Kosovë që synojnë ndërtimin e besimit ndërmjet komuniteteve, promovimin e dialogut, mirëkuptimin dhe nxitjen e ndjenjës së pronësisë së përbashkët të trashëgimisë së pasur kulturore të Kosovës me të gjitha komunitetet.
Szunyog me këtë rast foli për rëndësinë që ka ky projekt, qëllimin social dhe bashkimin e forcave që trashëgimia kulturore të shërbejë për afrimin në mes komuniteteve. Gjithashtu shprehu edhe një herë përkrahjen e vazhdueshme që Bashkimi Evropian do të bëjë në këtë drejtim.
Zëvendëspërfaqësuesi i UNDP-së ka deklaruar se trashëgimia kulturore është një nga faktorët kryesorë në afrimin e njerëzve, prandaj implementimi i një projekti të tillë kërkon shumë punë në terren dhe punë me njerëzit e Kosovë.
Çeku theksoi rëndësinë e një programi të tillë duke thënë se trashëgimia kulturore e Kosovës është universale, ajo i bashkon njerëzit, kontribuon në paqen e qëndrueshme dhe ringjalljen ekonomike.
Edhe zyrtari për Reagim ndaj Krizave, Asier Santillan Luzuriaga, shpjegoi rëndësinë e mbajtjes gjallë të trashëgimisë kulturore dhe diversitetit kulturor, thuhet në njoftimin e MKRS-së.
●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.