Lajmet e fundit

Lorik Cana është në mesin e futbollistëve të njohur që u larguan pa lënë gjurmë në "Euro 2016".
Në krye të listës qëndron padyshim Zlatan Ibrahimovic i cili u tërhoq edhe nga përfaqësuesja suedeze. Përveç Ibrës, do të lënë skuadrën nordike edhe Lindelof, Kallstrom, Berg e Guidetti.
Një tjetër emër i njohur që la Evropianin ishte Arda Turan, kapiteni i përfaqësueses turke. Mesfushori i Barcelonës nuk u shfaq në nivel të mirë dhe largohet me një zhgënjim të madh pasi Turqia shpresonte të kalonte si një prej skuadrave të treta më të mira. Bashkë me të lënë Euro 2016 edhe emra të tillë si Çalhanoglu, Burak Yilmaz apo Nuri Sahin.
David Alaba ishte shpresa e madhe për Austrinë që ishte në një grup me Portugalinë, Hungarinë, e Islandën ku skuadra e Koller së bashku me luzitanët shiheshin si pertinentet për të kaluar.
Futbollisti i Bayernit nuk shkëlqeu dhe Austria mundi të marrë vetëm 1 pikë në barazimin me Portugalinë.
Një nga zhgënjimet më të mëdha të Europianit ishte Ukraina që largohet pa asnjë pikë të grumbulluar. Yarmolenko dhe Konoplyanka u fundosën së bashku me ekipin e tyre dhe nuk mundën të bënin asgjë në krahë në ndeshjet e zhvilluara.
Ukraina nuk shënoi asnjë gol në këtë eveniment pavarësisht se në dispozicion kishte talentet e Sevillës dhe Dinamos së Kievit.
Të tjerë futbollistë të rëndësishëm që u larguan nga Franca ishin Etrit Berisha, Elseid Hysaj dhe Lorik Cana për kombëtaren shqiptare, Cech e Rosicky të Çekisë apo Akinfeev e Dzyuba të Rusisë.