Më 8 maj në Maqedoninë e Veriut do të mbahet rrethi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, si dhe votimet për përbërjen e re të Kuvendit të këtij shteti.
Rëndom, në këto anë të Evropës, për t’i dhënë vlerë të jashtëzakonshme zgjedhjeve, pohohet që kësaj here, kemi të bëjmë me një lloj të Referendumit ku do të shprehet vullneti final i qytetarëve për çështjet jetike të një shteti.
Duket që ky cilësim apo kualifikim (për Referendumin), është qind për qind i saktë për votimet e 8 majit në Maqedoninë e Veriut.
Do të ketë, si zakonisht kur bëhet fjalë për zgjedhje në shtetet e Ballkanit Perëndimor, shumë parti në votimet parlamentare, dhe vetëm dy pretendentë për të marrë postin e Presientit të Maqedonisë së Veriut.
Por, politika në këtë shtet, tash e sa kohë njeh vetëm dy pole të mirëfillta, apo, thënë ndryshe, shfaqet në trajtë të dy drejtimeve politike.
Ky i pari është shumë-etnik dhe shumë-partiak, gjë që vet prej vetes është një vlerë e veçantë për Maqedoninë e Veriut, kur dihet përbërja etnike e saj dhe përpjekja e gjatë gati dyzet vjet për ta bërë këtë shtet demokratik dhe liberal.
Përkundër vendnumërimeve dhe madje, prapakthimeve të kohëpaskohshme, ky pol politik në Maqedoninë e Veriut tutje beson që mbijetesa dhe prosperiteti i këtij shteti janë në varëshmëri të drejtpërdrejtë nga anëtarësimi (sa më i shpejtë), i Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
Poli apo drejtimi i dytë politik në Maqedoninë e Veriut është një-etnik dhe një-partiak (në esencë).
Partia politike që i prinë këtij drejtimi (VMRO-DPMNE), është kundërshtare e afrimit të shpejtë të Maqedonisë së Veriut kah Bashkimi Evropian, pos tjerash, sepse nuk përkrah ndryshimet e domosdoshme kushtetuese në këtë shtet, të cilat do të duhej të akomodonin pakicën bullgare.
Për më shumë, afërisa e kësaj partie me pushtetet autokratike në Serbi dhe në Hungari është si thuhet, një e ‘vërtetë publike’.
Nuk duhet pra të jesh shumë i informuar për ngjarjet dhe rrethanat politike në Maqedoninë e Veriut, për të konkluduar, me saktësi të plotë, që këta dy krah politik në shtetin fqi të Kosovës, kështu si janë, reflektojnë këtë përplasjen e madhe që po ndodhë gjithandej Evropës në mes të popullizmit dhe demokracisë, teksa viteve të fundit, pas agresionit të Rusisë në Ukrainë, kjo përplasje ka marrë edhe trajtën e konfrontimit të egër midis vlerave politike perëndimore dhe atyre të Rusisë.
Është kjo një barrë shumë e madhe gjeo-politike për një shtet të vogël, çfarë është Maqedonia e Veriut, veçmas kur dihet se sa i brishtë është ky shtet, në masë të madhe për shkak të paaftësisë së Brukselit zyrtar për t’i dhënë një shtytje ireverzibile Maqedonisë së Veriut në drejtim të anëtarësimit në BE, pas ndryshimi të emrit dhe përfundimit të kontestit dhjetëra vjeçar me Greqinë.
Ka shumë hisenik pra në këtë vendnumërimim më të ri të Maqedonisë së Veriut.
Natyrisht, edhe për lajme të mira, për tejkalimin e kësaj ngecjeje gjithnjë e më të rrezikshme që po e ngulfatë këtë shtet, duhet shumë palë.
Ajo kryesorja do të duhej të ishte rezultat i përpjekjeve të vet faktorit të brendshëm, të atij që u njoh pak më lartë si i grumbulluar rreth polit të parë.
Politikanët dhe partitë shqiptare, përkundër dallimeve evidente (që u shfaqën sidomos para rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale), janë së bashku kur bëhet fjalë për atë drejtimin strategjik të këtij shteti.
Kjo ka rëndësi jetike për Maqedoninë e Veriut.
Në anën tjetër, përçarja brenda faktorit politik maqedonas është e pariparueshme, e pandreqshme, dhe ajo ka si ‘lëndë djegëse’ luftimin e korrupsionit dhe të gabimeve në qeverisje, por realisht, ndërtohet mbi dallimet e mëdha sa i përket identitetit të brendshëm dhe të jashtëm të këtij shteti.
Edhe për këtë shkak, duke mos e harruar këtu atë diskreditimin e Brukselit me politikën e vet karshi Maqedonisë së Veriut, BE-ja do të duhej të shfaqej fare hapur në përkrahje të një politike në këtë shtet që është pro-evropiane dhe pro-perëndimore.
Nuk ka dhe nuk mund të ketë këtu asnjanësi. Përkundrazi.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kolumne dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.