Lajmet e fundit

Protesta e serbëve të veriut, e thirrur për sot në orën 12:00, ka përfunduar e qetë dhe pa incidente.
Pjesëmarrësit, në mesin e të cilëve ishin edhe pjesëtarë të Listës Serbe, thanë se kanë disa kushte për largimin e barrikadave të vendosura para rreth 2 jave, që erdhën pas arrestimit të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiqit.
“Lirimi i serbëve të arrestuar, tërheqja e listave sekrete për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve, si dhe tërheqja e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i Kosovës janë kushtet për heqjen e barrikadave të ngritura në këtë zonë”, tha Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, parti e cila vepron në Kosovë nën direktivat e Beogradit zyrtar.
Ai tha se pa plotësimin e këtyre kushteve, nuk do të ketë tërheqje të barrikadave, sepse, siç tha ai, populli serb i Kosovës është lodhur “duke pritur se kush prej nesh është i radhës në listën për arrestim apo ekzekutim, vetëm pse jemi serbë”.
Ai tha se zgjidhja e kësaj krize është “ekskluzivisht në Prishtinë”.
Në protestë foli edhe djali i Dejan Pantiqit, Predrag Pantiq, pastaj ish-kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikolla Kabashiq, ish-kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq, dhe të tjerë.
Të gjithë thanë se duan paqe, “duan të qëndrojnë dhe të mbijetojnë në Kosovë”, se “nuk kanë asgjë kundër popullit shqiptar”, por se janë “kundër Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti”.
Qëllimi i arrestimit të serbëve, sipas tyre, është “frikësimi” i popullit serb. /Klankosova.tv
13:16-Përfundon pa incidente protesta e serbëve në veri (VIDEO/FOTO)
Ka përfunduar pa incidente dhe e qetë protesta e serbëve në Rudar të Zveçanit.
Pjesëmarrësve aty iu drejtua, veç tjerëve, edhe Predrag Pantiq, djali i policit të arrestuar Dejan Pantiq, duke thënë se babai i tij u arrestua vetëm pse është serb dhe se dalja në barrikada është opsioni i fundit me shpresën për të ndalur, sipas tij, dëbimin politik të serbëve në këtë zonë.
Gjatë kësaj proteste, në mesin e pankartave të shumta, serbët kanë shpalosur edhe një flamur të madh me ngjyrat e shtetit të Serbisë.
12:11-Serbët varin pankartën në Rudar: “Kurti, Kosova nuk është pordha jote, kjo është trashëgimia jonë”
Në Rudar afër Kryqit në Zveçan, ku në mesditë është paralajmëruar të mbahet protesta e serbëve të Kosovës, është shpalosur një pankartë me mbishkrimin “Kurti, Kosova nuk është pordha jote, kjo është trashëgimia jonë!”.
Aty po bëhen përgatitjet për një takim tyre që e kanë paralajmëruar se do të jetë i madh, ku tashmë janë mbledhur një numër i serbëve.
Misioni i EULEX-it sot ka njoftuar me anë të një postimi në Facebook se po monitoron nga afër situatën e sigurisë në veri të Kosovës përmes pranisë së tyre të shtuar në terren.
Nis protesta në veri, shpaloset flamuri i madh i Serbisë
Ka nisur protesta e serbëve në Rudarë, ku po marrin pjesë edhe pjesëtarë të Listës Serbe.
Aty është shpalosur një flamur i madh i Serbisë.
12:00 Serbë nga qytete të tjera të Kosovës dhe nga Beogradi shkojnë për të protestuar në Rudarë (VIDEO)
Në protestën e paralajmëruar për t'u mbajtur nga ora 12:00 në Rudarë të Zveçanit kanë shkuar për të marrë pjesë edhe serbë nga qytetet tjera të Kosovës.
Pos tyre, janë vërejtur edhe organizime me autobusë me targa të Beogradit të Serbisë, njofton Klankosova.tv.
Ata janë ftuar për të marrë pjesë nga i ashtuquajturi shtabi i krizës në veri të vendit.
Përfaqësues të këtij shtabi kanë bërë të ditur se organizimi i kësaj proteste ka të bëjë me deklaratat e fundit rreth heqjes së barrikadave nga ana e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, të cilat i konsiderojnë si kërcënim, si dhe të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde./Klankosova.tv/
11:37 Serbët fillojnë të mblidhen në Rudarë për të protestuar (VIDEO)
Një numër i madh i serbëve kanë filluar të shkojnë në Rudarë të Zveçanit për të marrë pjesë në protestën që është paralajmëruar për t'u mbajtur nga ora 12:00.
Nga pamjet e siguruara nga Klan Kosova shihet se ka pjesëtarë të KFOR-it të cilët kanë dalë në rrugën që të dërgon për në Rudarë.
Ndërsa gjatë rrugës Prishtinë-Zveçan janë dy patrulla policore që po i ndalin kryesisht veturat me targa serbe. Në mesin e serbëve që kanë filluar të mblidhen shihen vetura me targa të qyteteve të tjera të Kosovës, më së shumti janë ato me numrat 01 dhe 06. Po ashtu ka serbë që janë me transport të organizuar nga Begradi.
Ata janë ftuar për të marrë pjesë nga i ashtuquajturi shtabi i krizës në veri të vendit. Përfaqësues të këtij shtabi kanë bërë të ditur se organizimi i kësaj proteste ka të bëjë me deklaratat e fundit rreth heqjes së barrikadave nga ana e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, të cilat i konsiderojnë si kërcënim, si dhe të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Në këtë protestë pjesëmarrjen e kanë të detyrueshme të gjithë të punësuarit në institucionet të cilat funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, nga mbarë Kosova, ndërsa janë ftuar edhe qytetarë nga qytetet e afërta të Serbisë, siç janë Rashka dhe Novi Pazari.
Ndër të tjera, Policia e Kosovës sot ka bërë thirrje që qytetarët të protestojnë të qetë./Klankosova.tv./
11:15 - Policia bën thirrje për protestë të qetë në veri, "mos bini pre e provokimeve"
Policia e Kosovës ka bërë thirrje që qytetarët të protestojnë të qetë, në protestën e paralajmëruar për sot në veri të Kosovës.
Në një njoftim dërguar mediave, Policia ka kërkuar nga qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar gjatë kësaj proteste.
“Sot, në veri të Mitrovicës është paralajmëruar të mbahet një protestë/tubim, andaj lidhur me këtë Policia e Kosovës duke njohur të drejtën për tubime publike përmes protestës paqësore, sipas detyrës zyrtare kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike si dhe detyrave të përcaktuar sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Duke ditur rrethanat dhe situatën e brishtë të sigurisë të krijuar nga grupet kriminale në veri të vendit dhe tendencës për destabilizim të situatës, Policia e Kosovës fton qytetarët që të kenë vëmendje dhe kujdes të shtuar përgjatë thirrjes së kësaj proteste, të protestojnë në mënyrë të qetë dhe të mos bien pre e provokimeve të mundshme, të çfarëdo natyre qofshin ato”, thuhet në njoftimin e Policisë.
PK-ja thotë po ashtu se angazhimet policore në forcimin e rendit dhe sigurisë publike, ofrimi sigurisë ndaj qytetarëve si dhe ndërmarrja e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në veri të vendit, do të vazhdojnë të mbesin ndër objektivat dhe detyrat primare të Policisë së Kosovës.
I ashtuquajturi shtabi i krizës në veri të vendit, i formuar nga serbët lokalë, ka ftuar qytetarët në “protestën më të madhe ndonjëherë” që pritet të mbahet sot nga ora 12:00 në Rudar të komunës së Zveçanit.
Përfaqësues të këtij shtabi kanë bërë të ditur se organizimi i kësaj proteste ka të bëjë me deklaratat e fundit rreth heqjes së barrikadave nga ana e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, të cilat i konsiderojnë si kërcënim, si dhe të ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde.
Në këtë protestë pjesëmarrjen e kanë të detyrueshme të gjithë të punësuarit në institucionet të cilat funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, nga mbarë Kosova, ndërsa janë ftuar edhe qytetarë nga qytetet e afërta të Serbisë, siç janë Rashka, Novi Pazari, etj. /Klankosova.tv
09:50 - EULEX: Jemi duke kryer patrullime vëzhguese në Mitrovicën e Veriut dhe Zveçan
EULEX-i ka njoftuar se është duke e monitoruar nga afër situatën e sigurisë në pjesën veriore të Kosovës përmes pranisë së tyre të shtuar në terren.
Me anë të një postimi në Facebook bëhet e ditur se pjesëtarët e Njësisë Policore të Specializuara të këtij misioni dhe pjesëtarët nga Njësia Policore e Specializuar Rezervë nga Forca Evropiane e Xhandarmërisë së tyre janë duke kryer patrullime vëzhguese, përfshirë patrullimet në këmbë në Mitrovicën Veriore dhe Zveçan.
“Duke e pasur parasysh situatën e paqëndrueshme të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës dhe vendosjen e barrikadave shtesë, EULEX-i rregullisht e përshtatë praninë e tij për ta pasqyruar situatën në terren, si dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in”, thuhet në njoftimin e EULEX-it.