Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktvendimin në lidhje me çështjen e tatimit në pronë.
Në aktgjykim thuhet se komunat duhet të vendosin vetë për faljen e tatimit në pronë dhe se ligji i kontestuar nga komunat nuk është në kundërshtim me ligjin e pushtetit lokal.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur në fund të marsit të këtij viti pati miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, ndër pikat e këtij Projektligji është edhe falja tatimore për vitin tatimor 2023.
Sipas njoftimit, qëllimi i këtij Ligji është të sigurojë progresivitet të shkallës tatimore, lirim tatimor për vendbanimin parësor dhe tokat bujqësore, faljet tatimore për vitin tatimor 2023 dhe rregullat kufizuese për aplikimin e detyrimit tatimor, dhe interesit.
Në muajin korrik, ky projektligj pati kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, pati thënë se përmes këtij Ligji poashtu mundësohen lirime tatimore për banimin primar e tokën bujqësore.
E dy ditë para miratimit të këtij projektligji në Kuvend, Murati pati komentuar paralajmërimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës për dërgimin në Kushtetuese të Ligjit për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, duke thënë se një veprim i tillë është absurd dhe hipokrizi.
Në konferencë për media, Murati pati thënë se qeveria vetëm e ka krijuar bazën ligjore, ndërsa thoshte se vendimi për falje u takon komunave.
“Kjo na kthen përsëri në atë pikën fillestare që çdo herë kemi thënë që kryesisht tek opozita e që në këtë rast edhe AKK dominohet nga opozita, ka një lloj hipokrizie sa i përket çështjeve të halleve të qytetarëve që shpesh herë pretendojnë se i qajnë. Nëse kërkesa ka qenë se duhet të ulet barra tatimore për qytetarët ne u kemi mundësuar me këtë ligj, dhe tani janë pikërisht komunat që po e kundërshtojnë”, pati deklaruar Murati.
Ndërkaq, më 25 gusht, komunat e Kosovës e patën dërguar në Kushtetuese Ligjin për tatimin në pronë të paluajtshme, i cili parashihte faljen e 100 eurove të tatimit për qytetarët.
Dorëzimin e kërkesës për vlerësimin e ligjshmërisë së këtij ligji e patën bërë drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi dhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj.
Totaj pati thënë se kjo kërkesë është bërë për shkak se Ligji ndërhyn në kompetencat vetanake të komunave.
E më 4 shtator, Kushtetuesja e pati pranuar kërkesën e parashtruar nga Komuna e Prizrenit, duke vendosur masë të përkohshme deri në nëntor të vitit 2023 për nenin 5 të ligjit, derisa të merret një vendim përfundimtar.
Ndërsa sot, Gjykata Kushtetuese publikoi Aktgjykimin në këtë rast, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, i cili ka hyrë në fuqi më 16 gusht 2023.
Gjykata tha se ka vendosur që (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) neni 5 i Ligjit të kontestuar nuk është në kundërshtim me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafin 1 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 2 dhe 5 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës; (iii) të shfuqizojë Vendimin për Masë të Përkohshme të 1 shtatorit 2023, meqenëse Gjykata tashmë ka vendosur lidhur me meritat e rastit; si dhe që (iv) afati i mbetur pesëmbëdhjetë (15) ditor nga afati tridhjetë (30) ditor i përcaktuar në paragrafin 2 të nenit 11/B (Shuma e faljes së tatimit në pronë për pronën e paluajtshme) të nenit 5 të Ligjit të kontestuar, fillon të rrjedhë nga dita e hyrjes në fuqi të Aktgjykimit.
Aktgjykimi i Gjykatës fillimisht sqaron që bazuar në paragrafin 4 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, komuna është e autorizuar të kontestojë kushtetutshmërinë e ligjeve të Kuvendit ose të akteve të Qeverisë, të cilat cenojnë përgjegjësitë komunale ose zvogëlojnë të hyrat e komunës, në rast se komuna përkatëse është prekur nga ai ligj ose akt.
Bazuar në këtë dispozitë, Gjykata thotë se parashtruesi i kërkesës, përkatësisht Komuna e Prizrenit, kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme.
Ky nen, thotë Gjykata, “përcakton që (i) çdo tatimpagues që është i detyruar të paguajë tatimin mbi pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023, kualifikohet për faljen e tatimit; (ii) shuma e faljes së tatimit në pronë për të gjithë tatimpaguesit lejohet deri në lartësinë e faturës së tatimit në pronë për vitin 2023, por jo më shumë se njëqind (100) euro; (iii) vendimi për faljen e tatimit në pronë merret nga kuvendi komunal i çdo komune më së largu tridhjetë (30) ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji; (iv) në rast që tatimpaguesi ka paguar faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese; (v) zbatimi i kësaj dispozite mbetet në përgjegjësinë e çdo komune përgjegjëse për administrimin e procesit të tatimit në pronë, për pronat e paluajtshme që ndodhen brenda territorit të komunës përkatëse; dhe që (iv) Ministria përgjegjëse për financa nxjerr vendime që mund të jenë të nevojshme për zbatimin e kësaj dispozite”.
“Para Gjykatës, parashtruesi i kërkesës pretendoi se, dispozita e lartcekur cenon përgjegjësitë komunale dhe zvogëlon të hyrat e komunës në kundërshtim me (i) garancitë kushtetuese të përcaktuara në paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafët 1 dhe 3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 2, 3 dhe 5 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës; (ii) Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale; dhe (iii) Ligjin nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale, Ligjin nr. 03/L-049 për Financat e Pushtetit Lokal dhe Ligjin 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, në esencë dhe ndër tjerash sepse, ndërhynë në ushtrimin e kompetencave vetanake të komunës përkitazi me të hyrat nga tatimi në pronën e paluajtshme dhe afekton buxhetin komunal deri në vlerën prej tre (3) milionë euro, ndërsa në nivel të pushtetit lokal në Republikën e Kosovës, deri në vlerën prej njëzet e shtatë (27) milionë euro, sipas të dhënave të referuara të Asociacionit të Komunave të Kosovës. Parashtruesi i kërkesës gjithashtu kishte kërkuar nga Gjykata që deri në vendosjen meritore të saj lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit 5 të Ligjit të kontestuar, të vendosë masën e përkohshme, duke pezulluar efektet e tij. Lidhur me këtë të fundit, më 1 shtator 2023, Gjykata, vendosi për (i) miratimin e kërkesës për masë të përkohshme, në kohëzgjatje deri më 30 nëntor 2023; dhe (ii) pezullimin e zbatimit të nenit 5 të Ligjit nr.08/L-224 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme dhe zbatimin e vendimeve të nxjerra në bazë të këtij neni, deri në afatin e lartpërmendur”, thotë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.
Aktgjykimi në fund sqaron që (i) marrë parasysh faktin që Ligji i kontestuar ka hyrë në fuqi më 16 gusht 2023, ndërsa rrjedhja e afatit tridhjetë (30) ditor i përcaktuar në paragrafin 2 të nenit 11/B (Shuma e faljes së tatimit në pronë për pronën e paluajtshme) të Ligjit të kontestuar është ndërprerë me 1 shtator 2023 me vendosjen e masës së përkohshme nga Gjykata, e cila e ka pezulluar zbatimin e nenit 5 të Ligjit të kontestuar deri në vendimmarrjen meritore të saj; (ii) pjesa e mbetur e afatit pesëmbëdhjetë (15) ditor të saktësuar në nenin e lartcekur, fillon të rrjedhë nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Aktgjykimi, përkatësisht me publikimin e tij në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, me ç’rast shfuqizohet edhe Vendimi për Masë të Përkohshme.
“Aktgjykimi tutje sqaron që në rast të ushtrimit të diskrecionit të përcaktuar përmes nenit 5 të Ligjit të kontestuar nga kuvendet komunale lidhur me faljen e tatimit në pronën e paluajtshme për vitin tatimor 2023, vet neni 5 i Ligjit të kontestuar përcakton zgjidhjen për qytetarët të cilët tashmë kanë paguar tatimin në pronën e paluajtshme për vitin 2023, duke saktësuar në paragrafin 6 të nenit 11/B (Shuma e faljes së tatimit në pronë për pronën e paluajtshme) të tij, që “në rast se tatimpaguesi ka paguar faturën e tatimit në pronë për vitin 2023, shuma e falur i llogaritet si paradhënie për vitet pasuese”, përfundoi Gjykata Kushtetuese. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.