Lajmet e fundit

Gjykata Kushtetuese i ka shpallur të pavlefshme ankesat e dy kandidatëve për pozitën e kryeprokurorit të shtetit.
Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti e kontestuan propozimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës, për emërimin e Blerim Isufajt në këtë pozitë.
Kushtetuesja konsideron se ankuesit nuk i kanë shtjerrë të gjitha mjetet juridike në këtë rast.
"Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesat e bashkuara në rastet KI 57/22, parashtruar nga Shqipdon Fazliu dhe KI 79/22, parashtruar nga Armend Hamiti, që të dy kandidatë për Kryeprokuror të Shtetit të Republikës së Kosovës, të cilët e kontestojnë kushtetutshmërinë e Vendimit të 6 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e z. Blerim Isufaj në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Gjykata vendosi që kërkesat përkatëse t’i shpallë të papranueshme mbi baza procedurale, sepse parashtruesit e kërkesave nuk i kanë shteruar mjetet juridike siç është përcaktuar me paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës", njofton Gjykata Kushtetuese, përcjell Klankosova.tv.