Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar vendimin e sotëm të kryeministrit Albin Kurti për çështjen e zbutjes në raport me Ligjin për të huajt dhe atë për Automjete.
Në një reagim në Facebook, ai thotë se, ndonëse Kosova duhet të jetë e gatshme për dialog me Serbinë, me ndërmjetësimin e aleatëve, nuk ka të drejtë të pranojë zgjidhje, “edhe pse mund të duken teknike, që normalizojnë funksionimin e strukturave paralele”.
“Kosova sigurisht se duhet të jetë e gatshme për dialog me fqinjin verior, gjithmonë me ndërmjetësimin e aleatëve. Por askush nuk ka të drejtë të pranojë zgjidhje, edhe pse mund të duken teknike, që normalizojnë funksionimin e strukturave paralele. Nuk duhet të pranohet vendosja e një ‘status quo’-je”, shkroi Hoti.
Sipas tij, Kurti, në fillim të mandatit në vitin 2021, e braktisi dialogun për njohje reciproke dhe marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare ligjërisht të obligueshme.
“Në atë kohë ishte krijuar dakordim i përgjithshëm me aleatët se dialogu duhet të zhvillohej vetëm për marrëveshje përfundimtare, në të cilën do të adresoheshin të gjitha çështjet e mbetura në dialogun teknik duke marrë për bazë normat dhe standardet ndërkombëtare të normalizimit të bashkëpunimit ndërshtetëror. Në vazhdimësi, liderët evropianë dhe ata amerikanë e theksonin mbështetjen për një marrëveshje të tillë”.
“Tash, pas disa vitesh sanksionesh nga BE-ja dhe kritikash nga aleatët e tjerë, Kurti detyrohet të merret me normalizimin e funksionimit të strukturave paralele”, potencoi deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti.
Qeveria ka vendosur të lëshojë leje të përkohshme qëndrimi me afat 12-mujor për pjesëtarët e komunitetit serb që nuk posedojnë dokumente të Kosovës, si dhe të pranojë kartat e identitetit të lëshuara nga autoritetet serbe. Këto masa synojnë të zbusin efektet që mund të sjellë zbatimi i plotë i Ligjit për të huajt dhe i Ligjit për automjetet.
Sipas qeverisë, zbatimi i plotë i këtyre ligjeve do të nisë më 15 mars, siç ishte paraparë.
Vendimi u mor pas takimit që kryeministri Albin Kurti zhvilloi të shtunën me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.