Lajmet e fundit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar pas arrestimit të 109 personave të premten në Prizren, nën dyshimin për manipulim të votave gjatë zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.
Kurti, në një postim në Facebook, shkroi se komisionerët dhe individët që janë përfshirë në mënyrë të fshehtë në manipulime votash brenda subjekteve politike nuk do të kenë amnisti.
Ai inkurajoi institucionet përgjegjëse që hetimet të shkojnë deri në fund, raporton Klankosova.tv.
“Komisionerë e individë që në mënyrë klandestine janë përfshirë në manipulime votash brenda subjekteve politike duke dëmtuar kolegë e subjekte politike nuk kanë amnisti. I inkurajojmë institucionet përgjegjëse që hetimet të shkojnë deri në fund. Lëvizja VETËVENDOSJE! ka qenë gjithnjë gardiane e ruajtjes së vullnetit politik të shprehur përmes votës në kuti të votimit dhe ashtu do të qëndrojë përherë”, shkroi i pari i LVV-së.
Ai njëherësh tha se vullneti i qytetarëve është i shenjtë dhe vota e lirë do të garantohet deri në fund, duke theksuar se manipuluesit duhet të ndëshkohen dhe se këto raste nuk duhet të përsëriten më.
“Republika e Kosovës është shembull i demokracisë në rajon dhe i proceseve zgjedhore. Adresimi përmes ligjit dhe llogaridhënies për rastet e dyshimeve të manipulimeve brenda subjekteve politike, është i domosdoshem për integritetin e procesit. Vullneti i qytetarëve është i shenjtë, vota është e lirë, dhe kjo do të garantohet deri në fund. Dyshimet duhet të hetohen, manipuluesit duhet të ndëshkohen, këto raste nuk duhet të na shfaqen kurrë më në të ardhmen”, tha Kurti. /Klankosova.tv