Lajmet e fundit

Në zhargonin e të drejtave të njeriut, LBGT do të thotë lezbike, homoseksual, biseksual e transgjinor.
Por Yahya Jammeh, president i Gambia tash e 20 vjet komunitetin LBGT e përshkruan ndryshe, transmeton Klan Kosova.
“LGBT do të thotë sëmundje e lebras, bakterie dhe tuberkuloz”.
Ai i krahason homoseksualët me parazitë dhe shprehet se qeveria e tij do t’i luftojë ata njëjtë siç lufton me mushkonjat e malaries.
Sipas statistikave të vitit 2014, martesat mes së njëjtës gjini janë ilegale në Gambia dhe në 37 vende të tjera afrikane.
Madje në gusht të vitit 2014 qeveria në Gambia solli një ligj anti-homoseksual.
Disa javë më pas ministrat në Chad e aprovuan një ligj që do t’i dënonte 15 deri në 20 vjet të gjithë personat që kryejnë akte seksuale mes së njëjtës gjini.
Përgjatë Afrikës, por edhe në shumë vende të tjera në botë, politikanët i shikojnë homoseksualët si persona që nuk kanë vlerë dhe i përdorin ata që të largohet vëmendja nga problemet kryesore, siç është niveli i lartë i korrupsionit.
Rasti më i rëndë është në Uganda. Në vitin 2009 deputeti, David Bahati, paraqiti një projekt-ligj që do i dënonte me vdekje homoseksualët.
Kjo gjë u kritikua rëndë nga grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si dhe nga disa qeveri.
E njëjta retorikë u dëgjua nga Presidenti i Nigerisë, Goodluck Jonathan, i cili kishte miratuar një ligj kundër dashurisë mes së njëjtës gjini si dhe duke i dënuar personat ose grupet që i mbrojnë të drejtat e LGBT-së deri në 14 vjet burg.
Rusia, gjithashtu është një shtet ku nuk respektohen fare të drejtat e homoseksualëve.
Kurse SHBA-të më 26 qershor të vitit 2015 e legalizuan martesën mes së njëjtës gjini në të gjitha shtetet e saj.