Ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe autori bestseller James Patterson janë ribashkuar për romanin e tyre të tretë, “The First Gentleman” – një thriller politik që imagjinon çfarë ndodh kur bashkëshorti i presidentes amerikane përballet me një gjyq për vrasje.
Në qendër të ngjarjes është Presidentja e SHBA-ve, Madeline Wright, dhe burri i saj, Cole Wright, ish-yll i futbollit amerikan, i cili përballet me akuza për vrasjen e një cheerleader-e 20 vite më parë.
Ndërkohë që politika përplaset me gjykatat dhe mediat, dy gazetarë investigativë përpiqen të zbulojnë të vërtetën, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Clinton dhe Patterson, pas suksesit të romaneve të mëparshme "The President is Missing" dhe "The President’s Daughter", kanë sjellë një histori që kombinon intriga politike, mister dhe një analizë të sistemit amerikan – që këtë herë përfshin edhe negociatat për borxhin publik dhe shpenzimet shtetërore.
Clinton, duke reflektuar mbi përvojën e tij si president, thekson: “Kur pala tjetër të shpall luftë në Shtëpinë e Bardhë, ti ende duhet të paraqitesh e ta bësh punën”.
Romani është shitur për t’u adaptuar në një projekt filmik nga skenaristi i “Peaky Blinders”, Steven Knight, dhe pritet që figura qendrore në ekran të jetë gazetarja Brea Cooke.
●●●
LESHKRIMI NGA
Lendita Elshani
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.