Lajmet e fundit

Në kohët moderne, është e çuditshme që një të famshmi të mos i dihet data e saktë e lindjes.
Por, legjendës braziliane të futbollit, Ronaldos, pak kush ia di datën e saktë të ardhjes së tij në këtë botë.
Sipas burimit kryesor të informacionit në nivel global, Wikipedia, ditëlindja e Ronaldos është më 18 shtator, 1976.
Llogaria zyrtare e Ligës së Kampionëve uroi për ditëlindjen e Ronaldos më 19 shtator, por, nuk e pati problem që të njëjtën ta bënte edhe më 22 shtator.
Barcelona, një nga klubet e mëparshme të brazilianit, postoi një urim për ditëlindjen e ish lojtarit të tyre vitin e kaluar, më 18 shtator, gjë të cilën e bënë edhe shumë faqe tjera të internetit, po në atë datë.
Por, këtë vit, katalunasit zgjodhën të bëjnë një cicërimë për ditëlindjen e tij më 22 shtator, shkruan 90Min, transmeton Klankosova.tv.
Interi, AC Milan dhe Federata e Futbollit Brazilian i kanë postuar të gjitha urimet e ditëlindjes për “O Fenômenon” më 22 shtator.
Wikipedia në gjuhën portugeze shënon 18 shtatorin si ditë feste për një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave. Por, Wikipedia frënge dhe gjermane e rendisin 22 shtatorin.
Por cila është data e saktë? Përgjigja duket të jetë 22 shtator. Tre herë lojtari më i mirë i Kupës së Botës jo gjithmonë poston për ditëlindjen e tij në Instagram ose Facebook. Por një pjesë e vogël e postimeve në vitet e fundit tregojnë datën 22 si ditëlindjen e tij, në vend të datës 18.
"Ditë e mrekullueshme me shumë mesazhe për ditëlindjen time" thuhet në një postim në Facebook më 2014.
Një postim i lojtarit më 2017, duke iu referuar 22 shtatorit shkruan: “Faleminderit për kaq shumë mesazhe nga të gjitha pjesët e botës. Dita ime nuk do të ishte e njëjtë pa ju".
Nëse 22 shtatori është ditëlindja që feston vetë Ronaldo, atëherë nga erdhi 18 shtatori?
Ekziston një teori pse 18 shtatori konsiderohet gjithashtu si ditëlindje. Kjo shfaqet në një libër të vitit 2005 të James Mosley të titulluar “Ronaldo: Udhëtimi i një Gjeniu”, duke pretenduar se lojtari në të vërtetë kishte lindur më 18 shtator, por lindja e tij nuk u regjistrua zyrtarisht deri katër ditë më vonë.
Nuk ka asnjë mënyrë për të verifikuar atë sugjerim, por të paktën ofron një arsye të mundshme pas mospërputhjes.