Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji do të shqyrtojë sot kërkesën për dhënie të licencës për furnizim me energji elektrike për “Elektrosever” për katër komunat veriore, bazuar në marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Kosova dhe Serbia në Bruksel të martën nënshkruan udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve të arritura për energjinë gjatë viteve 2013 e 2015, ku njëra ndër pikat obligon ZrRE-në t’ia lëshojë licencën e furnizimit “Elektroseverit”.
Lidhur me “Elektro Sever”, Klan Kosova pati realizuar një kronikë të historikut, në janar të vitit të kaluar, kur bëhej me dije se serbët të komanduar nga Kompania shtetërore e energjisë elektrike “Elektroprivreda Srbija” aplikuan për të marrë licensë për furnizim në veri, por këtë kërkesë autoritetet në Prishtinë e patën refuzuar. E më pas, në zyrat e Rregullatorit për Energji u dorëzua kërkesë/aplikacioni për marrje të licensës për furnizim me energji veçse tash me emrin “Elektro Sever D.O.O”, por në atë kohë, bordi i Rregullatorit e kishte të pamundur të marrë vendime, pasi që kishte vetëm dy anëtarë nga pesë sa është e përcaktuar me ligj të jenë. (Ndiqni kronikën e përgatitur nga Besnik Tahiri, rreth "Elektro Sever" me më shumë detaje).
https://www.youtube.com/watch?v=9o_Ns9EAbxY
Ndërkohë, objekti i elektro-distribucionit në veri të Mitrovicës është sulmuar të enjten mbrëma rreth orës 22:45 me mjet shpërthyes dhe përveç dëmeve materiale nuk kishte të lënduar.
Kështu kanë bërë të ditur burime të KosovaPress, të cilët më tej kanë shtuar se si pasojë këtij shpërthimi një trafo është dëmtuar krejtësisht dhe disa automjete të cilat kanë qenë të parkuara afër këtij objekti.
“Dyshohet se mjeti shpërthyes është hedhur qëllimshëm nga një person ose më shumë persona dhe ka të bëjë me marrëveshjen për energjinë të arritur në mes të Prishtinës dhe Beogradit ditë më parë në Bruksel. Si rrjedhojë pjesa dërmuese e qytetit ka mbetur pa energji elektrike deri në orët e hershme të mëngjesit”, kanë thënë burimet.
Mësohet se policia ka dalë menjëherë në vend ngjarje dhe po zhvillon hetimet, ndërsa është hapur rast për tre vepra penale që ndërlidhen me incidentin.
●●●
VSHKRIMI NGA
V.R.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.