Lajmet e fundit

Udhëtimi i Teatrit të Prishtinës në Tiranën e vitit 1978 nën kujtimet e Ramiz Kelmendit, për të ngjitur në skenë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Takimet me Tefta Camin, kineastët shqiptarë dhe bisedat me Ismail Kadarenë.
Ramiz Kelmendi, një nga publicistët e njohur në Kosovën e 40 viteve të fundit, e sillte shpesh në mendje atë dimër në Tiranë. Në Kosovën e viteve ’80, çdo rrugë që mund të çonte drejt Shqipërisë ishte si një takim me të pamundurën. Kurioziteti, por dhe dëshira për të prekur tokën amë, ngatërrohej me trishtimin e asaj çfarë komunizmi kishte sjellë në këtë vend.
Por, jo çdokush kishte fatin të udhëtonte drejt Shqipërisë. Në kujtimet e tij, Kelmendi ka shënuar me kujdes çdo detaj të këtij udhëtimi që do ta kujtonte shpesh. Në fillim të shtatorit të vitit 1978, Teatri i Prishtinës i dërgoi Teatrit Popullor të Tiranës një letër, në të cilën i kërkohej që t’i kthehej vizita që i bëri Teatri i Tiranës, në dhjetor të 1977.
Në letër propozohej që ky turne të bëhej brenda muajit tetor, për shkak të xhirimit të filmit “Kur pranvera vonohet”, që parashikohej të bëhej më vonë. Sipas Kelmendit në letër iu propozuan tri spektaklet më të mira të teatrit të Prishtinës: “Svinga e gjallë” e Rexhep Qoses, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur “, i Ismail Kadaresë, dhe “Makbethi” i Shekspirit.
Bashkë me sugjerimet për këto tri shfaqje kërkohej që regjisori Pirro Mani dhe skenografi Agim Zajmi (regjisor dhe skenograf që realizuan “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” në Prishtinë), të riktheheshin në Prishtinë për të vënë në skenë dramën “Arturo Ui” të Brehtit, të cilën teatri i Tiranës e kishte ngjitur në skenë dy vjet më parë.
“Pas dy-tre intervenimesh me telegrame, aty nga mesi i tetorit, morëm përgjigjen, në të cilën na thuhej se nuk mund të na presin deri në vitin tjetër, për shkak të angazhimeve të tyre, si dhe se mund të vijë në konsiderim për t’u shfaqur në Shqipëri vetëm “Gjenerali…”.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni më poshtë:
http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2016/01/21/kur-aktoret-nga-kosova-kritikonin-tefta-camin/