Lajmet e fundit

“Lideri”, një dramatizim skenik sa argëtues dhe i trishtë, ku absurdi si ndërtim dramturgjik bën absurd vetë realitetin që jetohet, u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar nën regjinë e Andonis Filipit. Një vepër e cila bën bashkë në skenë aktorë të njohur të skenës si Marjana Kondi apo Bujar Asqeriu me aktorë që ngjiten për herë të parë në skenë. Një vepër që duket që i flet aktualitetit, asaj çfarë shoqëria jonë e trazuar ka kaluar këto vite. Turma dhe individë që rendin pas njëshit në mënyrë frenetike, duke trasmetuar frikë gati-gati frymëzuese. Sipas regjisorit Filipi, performanca e kësaj shfaqjeje është bazuar në një prej farsave më të holla dhe plot aromë të Ioneskos, shkruar rreth viteve ’50. “Ajo është strukturuar që si një vetëpasqyrë të mund të reflektojë ndaj çdo forme të diktaturës, diktatit e politikës që prodhon dehumanizmin, shkatërrimin e individualitetit të njeriut dhe lirisë”, thotë Filipi. Vepra është e ndërthurur dhe me elemente muzikore apo vizuale. “Elemente të tillë, siç janë lëvizja, gjestet, klounata, përbëjnë komponentët e një shfaqjeje përgjithësisht vizuale, muzikale, e cila e ka impaktin dhe forcën komunikuese me spektatorin, sigurisht brenda asaj që buron nga dramaturgjia. Është një dramaturgji vetoratore e Ioneskos. Vërtet kemi të bëjmë me një teatër absurd, por unë mendoj se, ne e kemi shkodifikuar dhe zbërthyer veprën për të krijuar impaktin te publiku, përmes provokimit emocional që krijon vepra, e më tej atë intelektual”, thotë regjisori Filipi. Sipas tij, mesazhi i kësaj vepre është universale dhe trajton raportet e individit në kushtet e diktatit. “Vepra prezanton individin në raport me diktaturën. Kjo lloj qasje vjen për të parë sesi individë të ndryshëm, në turmë njerëzish rendin pas numrit një, në mënyrë idioteske, duke zhvatur dhe personalitetin që kanë. Në këtë kontekst mendoj se vepra, si brendi krijon ndjeshmëri për ato vende që vijnë nga sisteme diktatoriale, që ende trashëgohen, si atavizma. Ne turbulencat i kemi kaluar në 25 vjet tranzicion, por herë pas here ndeshim turbulenca që janë rezultat i kësaj trashëgimie. Prandaj vepra ka një impakt të menjëhershëm”, thotë Filipi. Në vepër interpretojnë dhe aktorë të rinj si Gert Ferra, Ersila Rezhda, Guliem Kotori, Estela Xhafa. “Ky është një rast që e kam pritur me kohë. Është hera e parë që do të luajë në teatër, ndërsa e kam ëndërruar veten në një skenë teatri prej vitesh. Regjisori më përgëzoi për plastikën e fytyrës dhe zërin, tani mbetet në dorën time të jap rezultatet në prova që të mos e zhgënjej për besimin që më ka dhënë”, thotë Xhafa. Për aktorin Asqeriu, kjo vepër është e rëndësishme jo vetëm për studentët që do të merren direkt me artin e teatrit, por kjo do të sensibilizojë dhe studentë të degëve të ndryshme për t’u dhënë kënaqësi estetike dhe për t’u integruar sa më mirë në këto aktivitete artistike, që ua pasurojnë jetën./ Gazeta-Shqip.com